Mickoski paralajmëroi dhjetëra raste të reja si “Aditivi”
Në periudhën në vijim, sipas informacioneve që kam, do të ketë dhjetëra raste të tilla, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke komentuar aksionin e fundit të MPB-së dhe Prokurorisë për ndjekjen penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit nën emrin”Aditiv”. Në këtë mënyrë, kryeministri Mickoski paralajmëroi hetime të reja për rastet e krimit dhe korrupsionit, […]
Në periudhën në vijim, sipas informacioneve që kam, do të ketë dhjetëra raste të tilla, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke komentuar aksionin e fundit të MPB-së dhe Prokurorisë për ndjekjen penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit nën emrin”Aditiv”. Në këtë mënyrë, kryeministri Mickoski paralajmëroi hetime të reja për rastet e krimit dhe korrupsionit, të cilat do t’i kumtohen opinionit pas mbledhjes së dëshmive nga MPB-ja dhe prokurorisë, transmeton Portalb.mk.
“Epo, do të vazhdojë, po. E shihni që ne i përmbahemi asaj që kemi thënë. Kur të sigurohen prova dhe dyshime të arsyeshme për një krim, Ministria e Brendshme, së bashku me prokurorinë merr masa. Ai aksion (Aditiv) është kryer pak ditë më parë, 23 persona janë të dyshuar dhe dy persona juridikë. Në periudhën në vijim po punohet për dhjetëra raste. Qytetarëve maqedonas do t’u bëhet shumë e qartë se çfarë ka ndodhur në vitet e fundit”, tha kryeministri Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Kryeministri tha se aksionet nuk do të kthehen në estradë dhe publiku do të informohet për to përmes komunikatave dhe më pas, siç shtoi ai, pret që fajësia apo pafajësia e të dyshuarve të vërtetohet në procese transparente.
“Kështu që nuk do të ndodhë, siç ndodhte në të kaluarën, që njësitë speciale të armatosura deri në dhëmbë të hyjnë në shtëpitë e të dyshuarve në mesnatë ose në mëngjes dhe t’i regjistrojnë të gjitha në kamera, etj. Të bëjmë shfaqje për të gjitha këto, nuk do të ndodhë, do të jetë kështu përmes njoftimeve, e pastaj përmes një gjykimi të drejtë dhe transparent pres që të gjithë të dëshmojnë fajësinë apo pafajësinë e tyre në tërë rastin”, tha Mickoski.
Mickoski deklaroi gjithashtu se strategjia e Ali Ahmetit dhe BDI-së, është që të tentojnë ta defokusojnë opinionin dhe ta polarizojnë shoqërinë në baza etnike, diçka që siç thotë ai nuk do ta lejojnë.
“Po arrijnë konfirmimet për veprimet kriminale të kësaj strukture politike dhe garniture në 20 vitet e kaluara, shumë raste po punohen lidhur me ish funksionarë të lartë të BDI-së, dhe opinioni shumë shpejtë do të sheh se cili në fakt është motivi i vërtetë i udhëheqësisë aktuale të BDI-së, se më së paku brengosen për atë që është dashur të brengosen, më tepër janë brengosur si ta mbrojnë atë kapitalin për të cilin ekziston dyshimi se është fituar në mënyrë kriminale”, deklaroi Mickoski.
Sa i përket zgjedhjevetë parakohshme parlamentare, ai tha se në vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje lokale, dhe nëse në ato zgjedhje lokale humbin partitë në qeveri atëherë e logjikshme do të ishte që më pas të ketë zgjedhje parlamentare, por nëse, ata shënojnë fitore, atëherë, tha ai, është mirë që partitë opozitare t’i përkushtohen vetes dhe reformimit të tyre.
Ndryshe, në aksionin e koduar “Aditiv”, i cili u krye me 10 dhjetor, dyshohen gjithsej 23 persona, disa prej të cilëve ish-drejtorë të ndërmarrjes shtetërore “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” (ESM), REK “Manastiri” dhe REK “Oslomej”.
Siç njofton Prokuroria, në periudhën prej datës 13.4.2023 deri më 23.8.2024, disa nga të dyshuarit në cilësinë e tyre si zyrtarë në SHA EMV dhe SHA “Posta e Maqedonisë së Veriut”, kanë krijuar një grup që kishte për qëllim kryerjen e akteve kriminale dhe shpërdorimit të procedurës së prokurimit publik, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publiko-privat, shpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe pastrimit të parave dhe produkteve të tjera nga një vepër penale e parashikuar dhe e dënueshme sipas nenit. 273 i Kodit Penal.
Të dyshuarit, përmes kompanive të tyre, të cilat më herët i kishin riregjistruar, janë marrë vesh mes tyre që të trukojnë procedurat për prokurimin e aditivit të thëngjillit për nevojat e SHA EMV – Rek “Manastir” dhe Rek “Oslomej”.
Dëmi nga veprat kriminale dhe korruptive llogaritet në rreth 6.5 milionë euro.
Në mesin e të dyshuarve ishin edhe emrat e dy ish-drejtorëve të EMV-së, Vasko Kovaçevski dhe Vasko Stefanov.
Stefanov ka qenë jashtë vendit ditën e shpalljes së operacionit, por ai është kthyer, pas së cilës është arrestuar dhe aktualisht po vuan masën e paraburgimit, së bashku me tetë të dyshuar të tjerë.
Paraardhësi i tij si drejtor i EMV-së, Vasko Kovaçevski, është ende i padisponueshëm për organet e zbatimit të ligjit, sepse ndodhet jashtë vendit. Ndryshe, siç u tha të mërkurën në konferencën me gazetarë në Prokurorinë Publike të RMV-së, nuk ka dëshmi se ai ka qenë pjesë e organizatorëve të grupit dhe dyshohet për veprën penale të kryerjes së detyrës nga pakujdesia.
Mes të dyshuarve janë EDHE: Pece Matevski, Ardian Muça, Danço Stojanovski, Maja Jordanova, Nebojsha Stojanoviq.
- LEXO: Rasti “Aditiv”: U ofronin tenderë dhe para gazetarëve për të mos publikuar mbi marrëveshjen fitimprurëse
- LEXO: RMV, gjykata shqiptoi paraburgim për nëntë persona në rastin “Aditivi”
- LEXO: Aksion i madh policor, dhjetëra të arrestuar, në mesin e të dyshuarve edhe ish-drejtorët e EMV-së Vasko Kovaçevski dhe Ardian Muça
- LEXO: 13 të arrestuar gjatë një aksioni në Tetovë dhe Ohër kundër një organizate kriminale, të përfshirë edhe zyrtar policor (VIDEO)