Aleatët e NATO-s refuzojnë planin e Trump për bllokadë në Hormuz, rriten tensionet brenda aleancës
Aleatët e NATO kanë refuzuar të përfshihen në planin e presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e një bllokade në Ngushticën e Hormuz, duke theksuar se do të ndërhyjnë vetëm pas përfundimit të armiqësive, në një zhvillim që pritet të rrisë tensionet brenda aleancës. Trump kishte deklaruar se ushtria amerikane do të bashkëpunonte me vende […]


Aleatët e NATO kanë refuzuar të përfshihen në planin e presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e një bllokade në Ngushticën e Hormuz, duke theksuar se do të ndërhyjnë vetëm pas përfundimit të armiqësive, në një zhvillim që pritet të rrisë tensionet brenda aleancës.
Trump kishte deklaruar se ushtria amerikane do të bashkëpunonte me vende të tjera për të bllokuar trafikun detar në këtë rrugë strategjike, pasi bisedimet mes SHBA-së dhe Iran dështuan të prodhonin një marrëveshje. Sipas Pentagonit, bllokada do të zbatohej për anijet që lëvizin drejt ose nga portet iraniane.
Që prej fillimit të luftës më 28 shkurt, Irani ka kufizuar ndjeshëm kalimin në ngushticë, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë, duke rritur shqetësimet për sigurinë energjetike globale.
Megjithatë, vende kyçe si Britani e Madhe dhe Francë kanë bërë të qartë se nuk do të marrin pjesë në bllokadë. Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se vendi i tij nuk do të tërhiqet në konflikt, pavarësisht presionit.
Në vend të kësaj, vendet evropiane po punojnë për një mision shumëkombësh që synon të sigurojë lirinë e lundrimit në ngushticë pas përfundimit të luftimeve. Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se Franca do të organizojë një konferencë me partnerët për të koordinuar këtë nismë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka theksuar se aleanca mund të marrë një rol vetëm nëse të gjitha vendet anëtare bien dakord për një mision të përbashkët.
Refuzimi i aleatëve për t’iu bashkuar planit amerikan shihet si një tjetër pikë përplasjeje me Trump, i cili ka kritikuar më parë NATO-n dhe ka kërcënuar me tërheqje të trupave amerikane nga Evropa.
Ndërkohë, diplomatët evropianë shprehin dyshime nëse një mision i pavarur do të mirëpritet nga SHBA, duke qenë se administrata amerikane po e përdor Ngushticën e Hormuzit si një instrument presioni në përballjen me Iranin.