Përplasja politike për rastin „Alta Banka“ po zhvillohet edhe rreth dokumenteve dhe interpretimeve të tyre. Derisa kryeministri Hristijan Mickoski dhe përfaqësues të VLEN-it kanë paraqitur pretendime për përfshirjen e qeverisë së atëhershme të LSDM-së dhe BDI-së në marrëdhëniet me bankën serbe, pa publikuar dokumentet e plota që i mbështesin këto deklarata, opozita ka nxjerrë në opinion vendime të viteve 2023 dhe 2025, për të kundërshtuar versionin e pushtetit.
Gjatë deklaratave të tij, Mickoski mbajti në duar një dokument, të cilit iu referua si dëshmi për pretendimet e tij, por përmbajtja e plotë e tij nuk u publikua para opinionit. As përfaqësuesit e VLEN-it dhe eksponentë të tjerë të Qeverisë nuk prezantuan dokumentacion të plotë që do të mundësonte verifikimin e pretendimeve të tyre.
Nga ana tjetër, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, publikoi dokumente dhe akuzoi Mickoskin se po e shtrembëron të vërtetën për vendimin e Qeverisë së vitit 2023.
„Mickoski foli brutalisht për Alta Bankën. Ai zbuloi se Qeveria e LSDM-së ka vendosur t’i shesë aksionet e Alta Bankës. Kështu është Mickoski, kur nuk ka argumente dhe përgjigje, gënjen, fle, manipulon dhe shtrembëron të vërtetën për t’i ikur llogaridhënies. Por e vërteta del gjithmonë në dritë“, deklaroi Filipçe.
Ai theksoi se dokumentet e publikuara, sipas tij, dëshmojnë se Qeveria e atëhershme nuk kishte dhënë pëlqim për shitjen e aksioneve.
„Ja ku janë dokumentet. E vërteta është se Qeveria e LSDM-së nuk ka dhënë pëlqimin për shitjen e aksioneve. Qeveria e LSDM-së ka arritur në përfundim që të angazhojë Avokaturën e Shtetit si organ që mbron interesin shtetëror para organeve shtetërore të Serbisë, me qëllim të mbrojtjes së interesit shtetëror të Maqedonisë dhe qytetarëve tanë“, tha Filipçe.
Kryetari i LSDM-së e krahasoi këtë veprim me vendimet e Qeverisë aktuale, duke akuzuar Mickoskin se ka lejuar hyrjen e një personi me të kaluar kriminale në sistemin bankar dhe se qytetarët kanë mbetur pa fondet e tyre.
„Prokuroria duhet të veprojë menjëherë, të hetojë se çfarë fshihet pas gjithë këtyre gënjeshtrave të Mickoskit për Alta Bankën. E gjithë përgjegjësia është me të“, deklaroi Filipçe.
Ademi: Dy vendime me qëllime diametralisht të kundërta
Edhe sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, reagoi ndaj interpretimeve të pushtetit për dokumentin e vitit 2023, duke i cilësuar ato si manipulim politik.
Sipas Ademit, vendimi i 24 tetorit 2023 kishte për qëllim mbrojtjen e pronës shtetërore dhe jo mundësimin e hyrjes së Alta Bankës në Stopanska Bankën e Manastirit.
„Pretendimet që po bëhen për vendimin e vitit 2023 janë një gënjeshtër e plotë dhe një manipulim i paskrupullt! Përkundrazi, vendimi i vitit 2023 kishte pikërisht qëllimin e kundërt: të mos lejohej shitja pa autorizim e pronës së Republikës së Maqedonisë së Veriut“, deklaroi Ademi.
Ai bëri dallim mes dokumentit të vitit 2023 dhe vendimit të Qeverisë aktuale të datës 23 shtator 2025, përmes të cilit, sipas tij, 16 institucioneve publike iu kërkua të shqyrtonin ofertën e Alta Bankës për blerjen e aksioneve që zotëronin në Stopanska Bankën – Manastir.
„Kjo është krejtësisht e kundërta e asaj që bën Qeveria e VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe ZNAM-it në vitin 2025, kur me vendimin e saj i obligon institucionet e shtetit të vihen në shërbim të hyrjes së Alta Bankës dhe Davor Macurës në Stopanska Banka – Manastir“, tha Ademi.
Sipas tij, bëhet fjalë për dy vendime me qëllime të ndryshme: njëri për mbrojtjen e pronës shtetërore, ndërsa tjetri për procedurën që lidhej me një transaksion privat.
„Pra, jo vetëm që nuk bëhet fjalë për të njëjtën çështje, por për dy vendime me qëllime diametralisht të kundërta. Njëri mbronte pronën shtetërore, ndërsa tjetri vë institucionet e shtetit në shërbim të një transaksioni privat. Kot tentoni të na e faturoni neve atë që e keni bërë vetë. Përgjegjësinë mbajeni vetë, sepse kjo gënjeshtër dhe kjo lojë e ulët politike nuk ju kalon!“, përfundoi Ademi.
Debati për Alta Bankën kështu po përqendrohet në dy dokumente kyçe: vendimin e vitit 2023, që opozita e paraqet si procedurë për mbrojtjen e interesave pronësore të shtetit, dhe vendimin e vitit 2025, që BDI dhe LSDM e konsiderojnë si dëshmi të përgjegjësisë së Qeverisë aktuale në procesin e shqyrtimit të ofertës së bankës.
Mbetet që institucionet kompetente të sqarojnë përmbajtjen, bazën juridike dhe pasojat e këtyre vendimeve, ndërsa publikimi i dokumentacionit të plotë nga të gjitha palët do të mundësonte që opinioni të krijojë një pasqyrë më të qartë për rastin.
The post Alta Banka: Mickoski dhe VLEN-i nuk publikuan dokumente, BDI dhe LSDM kundërshtojnë me vendime appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.




