ANALIZË: Çmimet globale të ushqimeve në rënie kurse në RMV ka rritje
Sipas vlerësimeve të Qeverisë, ky vit do të jetë një vit i çmimeve “më të lira” – me një përqindje të parashikuar të inflacionit prej 2,2%. Ky skenar optimist megjithatë është nën hijen e rreziqeve të vjetra dhe të reja, nga lufta në Ukrainë e deri te njoftimet e presidentit të ri të SHBA-ve, Trump-it, […]
Sipas vlerësimeve të Qeverisë, ky vit do të jetë një vit i çmimeve “më të lira” – me një përqindje të parashikuar të inflacionit prej 2,2%. Ky skenar optimist megjithatë është nën hijen e rreziqeve të vjetra dhe të reja, nga lufta në Ukrainë e deri te njoftimet e presidentit të ri të SHBA-ve, Trump-it, për vendosjen e barrierave doganore dhe tarifore për BE-në dhe Kinën. Ndërkohë, indeksi global i ushqimit është në rënie – ndërsa në vend statistikat kanë shënuar rritje, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Rritja më e madhe e kostove për frutat, perimet, sheqerin, kafen….
Sipas të dhënave të reja nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), viti i kaluar krahasuar me vitin 2023 ka përfunduar me një rënie të indeksit të çmimeve të ushqimeve për 2,1%. Në të njëjtën periudhë të analizuar, kostot e jetesës në vend vetëm për ushqim janë rritur për 2,7%. Analiza krahasuese e bërë nga “Portalb”-i duke i përdorur të dhënat nga Indeksi i Çmimeve të shportës së produkteve ushqimore të tregtuara ndërkombëtarisht, të cilin e mat FAO dhe Indeksi i Kostove të Jetesës së ESHS-së, tregon se viti i kaluar 2024, megjithatë, për qytetarët tanë ka qenë e vështirë në aspekt të inflacionit, duke pasur parasysh se se në nivel vjetor ka pasur rritje të çmimeve për një pjesë të madhe të produkteve ushqimore bazë.
Konkretisht, indeksi i çmimeve të drithërave në korniza globale, në nivel vjetor, është ulur për 13,3%, ndërsa në vend, në të njëjtën periudhë, kostot e jetesës për bukën dhe drithërat janë rritur për 0,8%. Një rënie më të ndjeshme ka në indeksin e çmimit të sheqerit. Në tregun global në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023 ka një rënie prej 13,2%, kurse në të njëjtën periudhë në tregun vendas kostot e jetesës për sheqer (mjaltë, çokollatë) janë rritur për 4,5%.
Sipas të dhënave të FAO-s, viti i kaluar u mbyll me rritje të indeksit të çmimeve të mishit, produkteve të qumështit dhe vajit. Te ky lloj i produkteve edhe statistikat vendase regjistrojnë një rritje, e cila sipas vlerësimeve të qeverisë do të ishte më e lartë nëse nuk do të kishte pasur “presion” për uljen e çmimeve para festave të Vitit të Ri.
Të dhënat e reja statistikore tregojnë për çmime marramendëse të frutave për 7,8% dhe të perimeve për 7,5%. Një rritje më të ndjeshme prej 7,2% ka te kafja, pastaj 5,8% te pijet joalkoolike, 9,7% te vera dhe 9% te duhani.
Stabilizimi i çmimeve në vitin 2025, por në rrezik…
Institucionet financiare vendase dhe të huaja parashikojnë se në këtë vit të ri ekonomik pritet stabilizim i çmimeve, që do të rezultojë me rënie të inflacionit. Edhe në Raportin e ri të BPM-së, vihet re se këtë vit çmimet e ushqimeve dhe të metaleve pritet të ulen, por nën rrezikun e njoftimeve të presidentit të ri të SHBA-ve, Trump-it, për t’i shpallur “luftë” doganore Kinës dhe Evropë.
“Për sa i përket çmimeve të metaleve dhe të produkteve ushqimore, për vitin e ardhshëm janë bërë korrigjime në drejtim rënës, ndërkohë që çmimet e naftës janë thuajse të pandryshuara në kushtet e pasigurisë nga tarifat e paralajmëruara në SHBA, të cilat mund të çojnë në rritje të tensioneve gjeopolitike. veçanërisht me Kinën, dhe kërkesë të reduktuar” – thuhet në raport.
Sipas vlerësimeve të reja buxhetore, inflacioni global këtë vit do të arrijë në 4,3%.
“Pritet një reduktim më i shpejtë te ekonomitë e zhvilluara në krahasim me vendet në zhvillim. Megjithatë, gjatë uljes së inflacionit priten edhe sfida të caktuara. “Edhe pse çmimet e mallrave po stabilizohen, çmimet e shërbimeve mbeten në nivele më të larta në shumë rajone” – thuhet në buxhetin për vitin 2025.
Vitin e kaluar, krahasuar me vitin 2023, kostot e jetesës në nivel shtetëror u rritën për 3,5%, dhe kjo përqindje megjithatë konsiderohet “e moderuar” duke pasur parasysh gjendjen e inflacionit të shfrenuar në vitet e mëparshme. Këtë vit, sipas Qeverisë, inflacioni i brendshëm do të ulet në 2,2%.
“Pritjet për uljen e inflacionit mbështeten nga stabilizimi i parashikuar i çmimeve të produkteve bazë ushqimore dhe i energjisë në tregun ndërkombëtar, ngadalësimi i inflacionit të huaj efektiv, si dhe presioni më i moderuar nga inflacioni bazë” – shkruan në dokumentin e buxhetit, ku megjithatë vihen në dukje edhe rreziqet që lidhen me luftën ende aktive në Ukrainë, e cila ka ndikim në ekonomitë evropiane, para së gjithash mbi Gjermaninë që është tregu ynë strategjik i eksportit, pastaj konflikti në Lindjen e Mesme, si dhe thellimi i ndarjeve gjeopolitike për shkak të paralajmërimeve për politika të reja tregtare që do të sjellin barriera të reja në qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve.