ANALIZË: “Mëkatet ekonomike” të qeverisë së mëparshme në RMV të shënuara në Strategjinë e re Fiskale: Në vitin 2025 rritje prej 3,7% e PBB-së

Në vitin 2025, papunësia do të ulet në 11,2%. Rroga neto do të rritet për 7,5%. Rritja ekonomike pritet të jetë 3,7%. Por, këtë vit borxhi publik do të arrijë në nivelin 66,4%, kurse vitin e ardhshëm do të ulet në masë të moderuar. Nëpërmjet Strategjisë së re Fiskale 2025-2029, Ministria e Financave i përvijoi […]

tetor 14, 2024 - 13:00
 0  6
ANALIZË: “Mëkatet ekonomike” të qeverisë së mëparshme në RMV të shënuara në Strategjinë e re Fiskale: Në vitin 2025 rritje prej 3,7% e PBB-së
Analiza ekonomike, ekonomi, euro, denare

Në vitin 2025, papunësia do të ulet në 11,2%. Rroga neto do të rritet për 7,5%. Rritja ekonomike pritet të jetë 3,7%. Por, këtë vit borxhi publik do të arrijë në nivelin 66,4%, kurse vitin e ardhshëm do të ulet në masë të moderuar. Nëpërmjet Strategjisë së re Fiskale 2025-2029, Ministria e Financave i përvijoi planet ekonomike të qeverisë për pesë vitet e ardhshme, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Planet e qeverisë për vitin ekonomik 2025…

“Për dallim nga modeli i rritjes ekonomike i qeverisë së mëparshme të bazuar në konsum, qeveria e re do të krijojë rritje përmes investimeve, rritjes së konkurrencës së ekonomisë vendase dhe rritjes së eksportit.”

Kjo theksohet në Strategjinë e re Fiskale 2025-2029, e cila i përshkruan planet e qeverisë për financat publike. Ministria e Financave bën të ditur se janë bërë lëshime në lidhje me rregullat fiskale në Strategjinë Fiskale 2024-2026 në pjesën e deficitit buxhetor dhe borxhit publik, e si arsye i thekson politikat e qeverisë së mëparshme.

“Arsyet e devijimit nga rregullat fiskale në periudhën 2024-2026 rrjedhin ekskluzivisht nga detyrimet e trashëguara nga qeveria e kaluar dhe nevoja për sigurimin e mjeteve financiare për harmonizimin e rrogave në përputhje me marrëveshjet e përgjithshme kolektive, detyrimet e papaguara ligjore që nuk ishin të parapara në buxhetin fillestar për vitin 2024, mbulimi i shumës së lartë të detyrimeve ligjore të prapambetura dhe të papaguara që janë trashëguar nga qeveria e mëparshme” – thuhet në Strategjinë e re Fiskale 2025-2029.

Edhe pse në dokumentin e ri specifikohet se borxhi publik duhet të jetë në nivelin 60% të PBB-së, kjo përqindje do të arrijë në 66,4% këtë vit, dhe madje në vitin 2029 do të bjerë nën 60%. Qeveria paralajmëron konsolidim fiskal. Në buxhetin e vitit 2025, deficiti do të përcaktohet në nivelin 4% dhe pritet ulje e mëtejshme në vitet ekonomike në vijim.

Në vitin e ardhshëm buxhetor 2025, i cili do të jetë viti i parë ekonomik plotësisht i menaxhuar nga qeveria aktuale, papunësia pritet të ulet në nivelin 11,2%, rrogat neto do të rriten për 7,5%, kurse përqindja mesatare e inflacionit është projektuar në 2,2%.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në kushtet e rritjes ekonomike të moderuar dhe nivelit të paraparë të borxhit publik mbi 60%, paralajmërohet rritje e të ardhurave buxhetore në bazë të parashikimeve ekonomike, por edhe për shkak të “efekteve të reformave të planifikuara tatimore”.

“Drejtësi më e madhe në tatimim, për të siguruar që secili ta përmbushë detyrimin e tij social dhe ta paguajë pjesën e drejtë të tatimit të tij” – thuhet, ndër të tjera, në strategji.

Megjithatë, vihet re se nuk priten ndryshime në politikën tatimore në periudhën e ardhshme:

Në periudhën e ardhshme, politika tatimore do të synojë ruajtjen e përqindjeve të ulëta tatimore për tatime të caktuara direkte dhe indirekte. Për sa i përket tatimit mbi fitimin, do të bëhet harmonizimi me tatimin minimal global mbi fitimin, ku vendi ynë është tashmë nënshkrues i iniciativës OECD/G20. Nga viti 2025, do të fillojë të aplikohet përqindja tatimore prej 15% për fitimet e kompanive me të ardhura të konsoliduara mbi 750 milionë euro.”

Rifillimi i investimeve, do të kontribuojë edhe projekti “Behtel dhe Enka”.

Ndryshe nga ky vit, kur investimet kapitale janë në “infuzion”, vitin e ardhshëm paralajmërohet “restart” – nivel i lartë i investimeve publike dhe rritje e investimeve të huaja direkte.

“Në periudhën 2025-2029, politika fiskale do të synojë edhe krijimin e parakushteve për një cikël të ri të rritjes ekonomike, nëpërmjet realizimit të një shume të lartë të investimeve kapitale publike, konsolidimit gradual fiskal dhe përmirësimit të menaxhimit të financave publike” – thuhet në dokumentin e ri.

Sipas vlerësimeve të reja të Ministrisë së Financave, investimet bruto do të rriten me një përqindje mesatare prej 7,8%, ndërsa niveli i investimeve kapitale nga buxheti pritet të jetë mesatarisht 4,7%. Vitin e ardhshëm një nga shtyllat kryesore të investimeve kapitale do të jetë infrastruktura, duke përfshirë edhe projektin “Behtel dhe Enka” për korridoret e autostradave, që ishte projekti më i kritikuar nga partitë e atëhershme opozitare, e tani në pushtet.

“Një kontribut i rëndësishëm pritet nga fillimi i ndërtimit të korridoreve 8 dhe 10d (projekti “Behtel dhe Enka”), në përputhje me hapat e ndërmarra për optimizimin e kostove, dinamikës dhe kushteve, më pas, ndërtimi dhe rikonstruksioni i autostradave të shumta, autostradat e shpejta, rrugët magjistrale, rajonale dhe lokale, transporti hekurudhor, investimet në energji etj.” – thuhet në Strategjinë e re Fiskale.

Ky dokument shkon në “paketë” me buxhetin dhe i pasqyron planet e qeverisë për sa i përket financave publike.