UEFA po e shqyrton sot rastin e lojës Rumani – Kosovë, nesër mund të dalë vendimi

Komisioni Disiplinor i UEFA-s e ka marrë në dorë sot dosjen e ndeshjes së ndërprerë mes Rumanisë dhe Kosovës. Nëse nuk ndërlikohet shqyrtimi i kësaj çështjeje, vendimi për këtë ndeshje mund të merret nesër (e enjte). Gazeta online nga Rumania “gsp.ro” i ka prezantuar 5 nga 7 zyrtarët që do ta gjykojnë dhe vlerësojnë këtë […]

Nëntor 20, 2024 - 12:00
 0  8
UEFA po e shqyrton sot rastin e lojës Rumani – Kosovë, nesër mund të dalë vendimi

Komisioni Disiplinor i UEFA-s e ka marrë në dorë sot dosjen e ndeshjes së ndërprerë mes Rumanisë dhe Kosovës.

Nëse nuk ndërlikohet shqyrtimi i kësaj çështjeje, vendimi për këtë ndeshje mund të merret nesër (e enjte).

Gazeta online nga Rumania “gsp.ro” i ka prezantuar 5 nga 7 zyrtarët që do ta gjykojnë dhe vlerësojnë këtë rast, i cili ndodhi të premten që shkoi në stadiumin “National Arena” në Bukuresht, përcjell “Gazeta Express”.

Kombëtarja e Kosovës u tërhoq nga fusha në minutat shtesë për të mos u kthyer më shkaku i thirrjeve raciste që i bënë tifozët rumunë.

UEFA në një përgjigje për “Gazeta Express” njoftoi ditë më parë se kanë nisur procedura disiplinore ndaj të dyja Federatave, ndërsa një vendim për këtë do të vijë shumë shpejt.

Mediumi rumun shkruan se në mëngjesin e sotëm do të nisë të shikohet lënda e të dyja palëve dhe do të ketë debate, ndërsa verdikti final mund të merret të enjten.

Ekziston mundësia e vonesës, nëse “tribunali” do të kërkojë sqarime dhe detaje shtesë për t’i pasur në dorë të gjitha provat përpara se ta marrë vendimin final për këtë ndeshje.

Është e qartë tashmë se sot do të nisin debatet dhe seancat, të cilat në varësi të kompleksitetit, mund të zgjasin deri në mbrëmje sonte.

Me shumë mundësi, vendimi nuk do të zbulohet sot, por nesër pasi të mbyllet dosja nga takimi i parë kushtuar ndeshjes së ndërprerë në Bukuresht.

Do të jenë shtatë gjyqtarë që do të diskutojnë dhe do të marrin vendim për këtë ndeshje, e vlefshme për Grupin 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve.

Në komisionin e Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës janë 16 zyrtarë: presidenti, dy nënkryetarët dhe 13 anëtarë.

Por, në kësi lloj rastesh zakonisht përfshihet një panel prej 5 deri në 7 personash, mes së cilëve presidenti dhe dy nënkryetarët janë një pikë fikse në shumicën e rasteve.

Sa herë që një zyrtar vjen nga një vend i përfshirë në mosmarrëveshjet përkatëse, përjashtohet nga llogaritja, përcjell “Gazeta Express”.

Në këtë rast, e njëjta gjë do të vlejë për avokaten Mădălina Diaconu, anëtare e këtij Komisioni, e cila është rumune.

Mediumi rumun i ka zbuluar edhe emrat e pesë prej shtatë anëtarëve të jurisë, që do të vendosin për ndeshjen e ndërprerë Rumani – Kosovë dhe për sanksionet që do t’i vendosin për Federatat përkatëse, eventualisht edhe për ndonjë lojtar.

Ata janë: austriaku Thomas Partl, hungarezi Sandor Berzi, zvicerani Jaques Antenen, portugezi Joao Leal dhe anglezi 5. Thura Win.