Ansambli Muzikor i Tetovës drejt mbylljes, çfarë po ndodh?

Draft-strategjia për kulturën 2026–2030 në Maqedoninë e Veriut ka nxitur debat për fatin e Ansamblit Muzikor në Tetovë, i përmendur si institucion me kapacitete të kufizuara, ndërsa paralajmërohet edhe “racionalizimi” Kjo ka ngritur shqetësime për ristrukturim apo mbyllje, ndërsa institucioni flet për mungesë mbështetjeje dhe punësimesh të parealizuara. Reagime ka pasur edhe nga opozita, ndërsa […]

Prill 14, 2026 - 15:30
Ansambli Muzikor i Tetovës drejt mbylljes, çfarë po ndodh?

Draft-strategjia për kulturën 2026–2030 në Maqedoninë e Veriut ka nxitur debat për fatin e Ansamblit Muzikor në Tetovë, i përmendur si institucion me kapacitete të kufizuara, ndërsa paralajmërohet edhe “racionalizimi” Kjo ka ngritur shqetësime për ristrukturim apo mbyllje, ndërsa institucioni flet për mungesë mbështetjeje dhe punësimesh të parealizuara. Reagime ka pasur edhe nga opozita, ndërsa Ministria e Kulturës hesht, shkruan Portalb.mk.

Strategji e re e kulturës 2026/30

Në përputhje me Ligjin për kulturën, Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka hartuar draft-tekstin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Kulturës për periudhën 2026–2030, së bashku me Planin e Veprimit.

Në dokumentin strategjik përfshihen analiza të gjendjes në fushën e kulturës për periudhën 2019–2024.

Që nga 24 marsi, draft-teksti i Strategjisë Kombëtare është publikuar edhe në Regjistrin e Vetëm Kombëtar Elektronik të Rregulloreve (ENER), ku mund të dorëzohen mendime, propozime dhe vërejtje, ndërsa në prill pritet dialog me subjektet nga fusha e kulturës.

Çfarë thuhet në strategji për Ansamblin e Tetovës?

Ansambli i Tetovës përmendet në seksionin 2.1.6. “Veprimtaria muzikore dhe muzikore-skenike’.

Në dokument thuhet se në vitin 2023 u themelua Ansambli Muzikor – Tetovë i cili ka kapacitete të kufizuara hapësinore për veprim, me dy të punësuar.

“Për këtë arsye, në periudhën e ardhshme pesëvjeçare do të racionalizohet rrjeti i institucioneve kombëtare, përmes një analize të qartë të rolit dhe shtrirjes së tyre programore”, thuhet mes tjerash në strategji.

Drejtori i Ansamblit ngre dilema se mund të mbyllet

Drejtori i Ansamblit Muzikor të Tetovës, Blerim Qamili për Portalb.mk tha se formulimi për racionalizim të rrjetit të institucioneve kombëtare, në praktikën administrative, nënkupton ristrukturim të mundshëm, bashkim (fuzionim) apo edhe ndërprerje të funksionimit të institucioneve që konsiderohen të pakonsoliduara.

“Pra, problemi real nuk është një vendim i drejtpërdrejtë për mbyllje, por fakti që Ansambli është vendosur në një kategori institucionesh që mund të preken nga këto masa, si pasojë e mungesës së mbështetjes institucionale dhe mosplotësimit të kapaciteteve të tij”, tha Qamili.

Pse nuk janë realizuar punësime në Ansamblin e Tetovës për tre vite?

Ansambli Muzikor në Tetovë momentalisht ka vetëm dy të punësuar, çka nuk përputhet me strukturën dhe funksionin real të institucionit.

Sipas statutit, Ansambli është i paraparë të përfshijë kor, orkestër dhe bend, dhe në këtë kuptim, gjendja aktuale nuk reflekton kapacitetin e tij të vërtetë, por vetëm një fazë të përkohshme të zhvillimit të papërfunduar.

Drejtori i Ansamblit të Tetovës, Blerim Qamili thotë se punësimet nuk janë realizuar për shkak të mungesës së miratimeve institucionale dhe procedurave që varen nga nivele më të larta vendimmarrjeje.

“Ansambli ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të hapur vende pune dhe për të funksionalizuar strukturën e plotë sipas statutit, por këto procese nuk janë finalizuar. Nuk bëhet fjalë për dështim të brendshëm të konkursit, por për mosrealizim të tij në nivel administrativ dhe institucional”, tha Qamili.

Ministria e Kulturës hesht

Ministria e Kulturës nuk përgjigjet në pyetjet gazetareske nëse do të mbyllet Ansambli Muzikor i Tetovës dhe pse si dhe pse deri më tani nuk janë realizuar punësime në këtë institucion kulturor.

BDI: Kujt po i pengon Ansambli Muzikor në Tetovë?

Për mbylljen e mundshme të Ansamblit Muzikor në Tetovë kanë reaguar nga Bashkimi Demokratik për Integrim opozitar. Bajram Rexhepi nga kjo parti thotë se gjatë kohës së qeverisjes së tyre u themelua ky institucion, ku u morën edhe pëlqimet për punësimin e 24 artistëve.

“Me ardhjen e qeverisë VMRO–VLEN, në mbledhjen e parë të saj, në qershor 2024, u ndërpre dhe u pezullua procedura e punësimit. Ky ishte akti që e goditi drejtpërdrejt Ansamblin Muzikor në Tetovë dhe ia pamundësoi funksionimin normal. Që nga ajo ditë, institucioni ka kërkuar vazhdimisht punësimet e domosdoshme, por është përballur me heshtje të qëllimshme institucionale. Sot, të njëjtët, në dokumentin e ashtuquajtur „Strategjia Nacionale për Zhvillim të Kulturës 2026–2030″, mundohen ta paraqesin atë si institucion me kapacitet të kufizuar dhe si barrë për sistemin të cilit i nevojitet “racionalizim”. Kjo nuk është analizë objektive, por sabotim i qëllimshëm politik që tenton të zhbëjë dhe penalizojë kulturën shqiptare”, tha Rexhepi.

Portalb alarmoi për këtë problem që në 2024

Në tetor 2024 Portalb.mk shkroi për zvarritjen e ri-shpalljes së konkursit për punësime në Ansamblin e Tetovës, institucion i cili koncertin e parë promovues e pati në prag të zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Pak para fazës së fundit të punësimit të 19 artistëve dhe 3 administratorëve në Ansamblin e Tetovës, Qeveria e Maqedonisë së Veriut solli vendim për bllokimin e të gjitha pëlqimeve për punësim që ishin dhënë deri para shpalljes së zgjedhjeve parlamentare. Që atëherë nuk janë realizuar punësime në këtë institucion ndërsa procedurat janë zvarritur.

Si pasojë, ky institucion mbeti pa artistë dhe pa administratorë, vetëm me dy të punësuar. Ndërkaq, aktivitetet vjetore deri më tani i ka realizuar përmes angazhimit të artistëve me kontrata në vepër.