Artan Grubi vendosi të tërhiqet nga jeta publike pasi SHBA-të e futën në Listën e Zezë
Tre ditë pasi SHBA-të e futën në Listën e Zezë Amerikane për përfshirje në korrupsion, Artan Grubi sonte vonë njoftoi se ka vendosur të tërhiqet nga jeta publike, raporton Portalb.mk. Grubi i cili ka qenë zëvendës-kryeministër i RMV-së dhe njëherit shef i kabinetit të kreut të BDI-së, njoftimin e të mërkurën pak minuta para mesnate. […]
Tre ditë pasi SHBA-të e futën në Listën e Zezë Amerikane për përfshirje në korrupsion, Artan Grubi sonte vonë njoftoi se ka vendosur të tërhiqet nga jeta publike, raporton Portalb.mk.
Grubi i cili ka qenë zëvendës-kryeministër i RMV-së dhe njëherit shef i kabinetit të kreut të BDI-së, njoftimin e të mërkurën pak minuta para mesnate.
“Edhe pse vendimi thotë që ky nuk është për të dënuar, por për të nxitur përmirësim të sjelljes, unë, përpara Zotit, familjes dhe miqve jam i pastër si loti, por me synimin për të zbardhur të vërtetën, të cilën shumë prej jush e shoh që tashmë e dini, dhe për të mos qenë barrë politike, kam vendosur që të tërhiqem nga jeta publike dhe për këtë e kam njoftuar Kryetarin Ahmeti qysh ditën e parë”, thotë Grubi në njoftimin e tij.
Më 9 dhjetor 2024, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit dhe në prag të Ditës së të Drejtave të Njeriut, ish-zëvendëskryeministri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi dhe gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë futur në Listën e Zezë të SHBA-ve e cila lidhet me personat e korruptuar.
Me këtë rast, në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Artan Grubi dhe gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut, i cili gjithashtu është në Listën e Zezë.
Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe gjykatësi i Apelit Enver Bexheti janë cilësuar publikisht për përfshirje në korrupsion të madh duke pranuar ryshfet për të çrregulluar procedurat gjyqësore lidhur me dënimin penal të Sasho Mijallkovit.
Më 11 dhjetor 2024 Prokuroria Publike ka hapur lëndë kundër Artan Grubit, gjyqtarit Enver Bexheti, si dhe të tjerëve që janë vendosur në listën e zezë të SHBA-ve.
Këtë vit në listën e zezë amerikane u shtuan: ish prokurorja Katica Janeva dhe kryetari i Karposhit, Stevço Jakimovski. Vitin e kaluar, SHBA zgjeroi “listën e zezë”, duke futur në të: kryetarin e Komunës së Strugës, Ramis Merko , ish- zëvendëskryeministri Koço Angjushev, biznesmeni Orce Kamçev dhe familja e tij, për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të profilit të lartë si dhe kompania “Cytrox“. Në “listën e zezë” amerikane janë edhe ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish deputeti Xhevat Ademi, ish ministri i punëve të brendshme, Lube Boshkovski dhe të tjerë.
Kujtojmë që propozim Ligji për masat kufizuese, pra ligji që përfshin personat e listës së zezë arriti në Kuvend në janar, por Qeveria teknike e tërhoqi me arsyetimin për harmonizime shtesë.