Jo Haxhiut, e po të tjerëve/ Nga refuzimi në marrëveshje – A do ta gjejnë partitë kandidatin e kompromisit?
Përpjekjet për zgjidhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës kanë dështuar sërish, pasi kandidatja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur të marrë numrin e nevojshëm të votave për të udhëhequr me institucionin ligjvënës. Në votimin e zhvilluar gjatë seancës së sotme, Haxhiu ka marrë vetëm 57 vota, shumë më
Përpjekjet për zgjidhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës kanë dështuar sërish, pasi kandidatja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur të marrë numrin e nevojshëm të votave për të udhëhequr me institucionin ligjvënës.
Në votimin e zhvilluar gjatë seancës së sotme, Haxhiu ka marrë vetëm 57 vota, shumë më pak se shumica e thjeshtë prej 61 votash të nevojshme për t’u zgjedhur.
Opozita ka refuzuar të mbështesë kandidaturën e saj, duke kërkuar që Vetëvendosje të propozojë një emër tjetër për këtë post.
Partitë opozitare kanë theksuar se nuk do të japin votën për një kandidat që, sipas tyre, nuk garanton bashkëpunim institucional dhe unitet në punën e Kuvendit.
Nga analistët politik, por edhe opozita po kërkohet të ndryshohet emri i kandidatit, derisa po konsiderohet si ‘’lojë’’ e gabuar politike e Kurtit vazhdimi i këtij kursi politik.
Për shkak të mungesës së konsensusit, procesi për zgjidhjen e kryetarit të Kuvendit do të vazhdojë në një seancë tjetër, e cila është caktuar të mbahet të premten, më 26 prill, duke filluar nga ora 10:00.
Deputeti i VV-së: Nuk e ndryshojmë kandidatin për kushtet e opozitës – Njëherë kryetarin e Kuvendit, më pas shohim se me kë do e bëjmë Qeverinë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, për FrontOnline ka folur ndaj kërkesave të opozitës për ndryshimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit, duke theksuar se VV nuk duhet të tërhiqet nga qëndrimi i saj përballë kushteve që, sipas tij, po i vendos opozita.
“Unë mendoj se VV nuk duhet me bërë ndryshim, për shkak të kushteve që po i vendos opozita,” tha Thaçi, duke shtuar se në të njëjtën mënyrë edhe VV nuk ka vendosur kushte për kandidatët e opozitës për pozitat e nënkryetarëve.
Sipas tij, Kuvendi dhe Qeveria janë dy institucione të ndara me përgjegjësi të ndryshme, dhe barra për zgjedhjen e kryeparlamentarit nuk bie vetëm mbi partinë fituese.
“Kuvendi, kryetari i Kuvendit zgjedhet nga Kuvendi, ndërsa Qeveria zgjedhet nga ata që i kanë 61 vota. Pra kjo përgjegjësi nuk i takon vetëm VV-së, por gjithë spektrit politik për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit,” deklaroi ai për FrontOnline.
Thaçi e ka cilësuar opozitën si shkaktare të ngërçit aktual institucional, duke theksuar se VV tashmë ka bërë hapin e saj me propozimin për kryetar.
“Këtë ngërç e ka sjellë opozita në fakt, të cilët nuk po duan të votojnë kryetarin e Kuvendit dhe të ecim tutje. Ne si VV e kemi propozimin, prandaj mendoj se nuk i takon as opozitës me vendos kushte e as ne nuk na takon me vendos kushte për nënkryetarët e Kuvendit,” shtoi Thaçi.
Ai tha le të zgjedhet kryetari i Kuvendit, e më pas shohim e bëjmë se me kë do e bëjmë Qeverinë
“Le ta zgjidhim kryetarin e Kuvendit, e më pas shohim e bëjmë se me kë do e bëjmë Qeverinë.” përfundoi ai.
Hasani i PDK-së: VV duhet të propozojë një kandidat tjetër – Zoti e bëftë mire nëse e propozojnë prap Haxhiun
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka reaguar pas dështimeve të njëpasnjëshme për zgjidhjen e kryetarit të Kuvendit, duke i bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të reflektojë dhe të ofrojë një kandidat të pranueshëm për të gjithë spektrin politik.
“VV duhet të ofrojë një kandidat konsensual, një kandidat që është i pranueshëm” ka deklaruar Hasani për FrontOnline.
Duke folur për përgjegjësinë që sjell pozita e kryeparlamentarit, Hasani theksoi rëndësinë që kandidati të jetë figurë unifikuese dhe jo përçarëse në skenën politike.
‘’Ai duhet të na përfaqësojë ne, Kosovën, shtetin, ai duhet të jetë njeri i afërt, i dashur, i mirësjellur për të gjithë e jo të jetë një njeri që e dëmton imazhin e vendit,’’ tha ai
Kadrijaj: VV nuk po përpiqet seriozisht ta zhbllokoj situatën – Qëndrimi për Haxhiun nuk ka ndryshuar
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, për FrontOnline ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk po ndërmerr hapa konkretë për të zhbllokuar situatën e krijuar rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
“VV duhet me bërë përpjekje që vetë me votu, por ata s’janë duke provuar në atë drejtim,” u shpreh Kadrijaj.
Ajo konfirmoi se lideri i partisë, Ramush Haradinaj, është i hapur për konsultime, por pa ndonjë zotim konkret për ta mbështetur kandidaturën aktuale të Vetëvendosjes për kryetar të Kuvendit.
“Haradinaj ka konfirmu se do të shkojmë në konsultime, por s’ka thënë se kemi qëndrim pro,” tha Kadrijaj për FrontOnline, duke theksuar se përpjekjet për zhbllokimin e situatës duhet të vijnë nga VV.
Deputetja e AAK-së ngriti edhe një dilemë që, sipas saj, thekson mospërputhjen në qasjen e Vetëvendosjes ndaj formimit të institucioneve.
“Nëse i kanë votat për Qeveri, pse nuk i kanë votat për kryetar Kuvendit?” pyeti ajo.
Sa i përket mbështetjes për kandidaten e propozuar nga VV, Albulena Haxhiun, Kadrijaj u shpreh se qëndrimi i partisë së saj mbetet i pandryshuar.
“Se besoj se do të ndryshojmë qëndrim për zonjën Haxhiu. Njëherë përnjëherë s’kemi ndryshuar qëndrim,” përfundoi ajo për FrontOnline.
Pozhari: Vonimi i zgjedhjes së kryeparlamentarit po e zvarrit edhe formimin e Qeverisë – partitë po mendojnë për vete, jo për shtetin
Analisti politik Xhevdet Pozhari për FrontOnline ka komentuar situatën aktuale politike pas dështimit të radhës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke vlerësuar se vonesat në këtë proces po e zvarrisin edhe formimin e institucioneve tjera, përfshirë edhe Qeverinë e re.
“LVV si partia e parë e ka të drejtën që ta propozojë emrin. Në këtë rast, partitë e tjera janë duke e bërë një lloj opozitarizmi, se kështu mund të arrijnë tek një moment që për ta është më i përshtatshëm”, ka deklaruar Pozhari.
Ai ka vlerësuar se taktikat e përdorura nga opozita për të shtyrë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit janë të gabuara dhe tregojnë mungesë pjekurie politike.
“Vonimi i votimit të kryeparlamentarit, e vonon edhe afatin ligjor të votimit të Qeverisë, kështu që në këtë kontekst, partitë bllokuese janë duke vepruar gabimisht, njëjtë sikur se nuk e votuan raportin, e më pas e votuan atë. Këto taktikat që e votojmë këtë dhe jo atë, shpjegojnë papjekuri politike”, ka shtuar ai për FrontOnline.
Lidhur me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, Pozhari thekson se ka sinjale për një skenar të tillë, por qëndrimet e disa partive opozitare janë ende të paqarta.
“Sa i përket hapësirës për të pasur zgjedhje të reja, këtë e ka kërkuar edhe PDK, dhe VV nuk është përgjigjur negativisht ndaj kësaj, por nuk dihet qëndrimi i LDK-së dhe AAK-së, që rrezikon moskalimin e pragut”, tha Pozhari për FrontOnline.
Ai ka hedhur dyshime edhe mbi sinqeritetin e qëndrimit të opozitës lidhur me kundërshtimin ndaj kandidaturës së Albulena Haxhiut.
“Nuk mendoj se është i sinqertë qëndrimi i opozitës se do ta votonim këdo tjetër, përveç Haxhiut. Ky është pretekst, sepse kush propozohet nga VV, përfaqëson politikat e saj”, është shprehur Pozhari.
Në fund, ai ka dhënë kritikë të drejtpërdrejtë ndaj të gjitha partive politike.“Një gjë është e qartë – të gjitha, pa përjashtim, janë duke punuar më shumë për partinë se sa për shtetin.” përfundoi ai.
Baraliu: Haxhiu nuk po shkon, Vetëvendosje do të duhej të propozojë kandidat tjetër
Analisti politik dhe profesori universitar Mazllum Baraliu ka komentuar ngërçin aktual në Kuvendin e Kosovës lidhur me zgjedhjen e kryetarit të ri, duke theksuar se përgjegjësia kryesore për të lëvizur procesin i bie Lëvizjes Vetëvendosje, si partia fituese.
“VV e ka përgjegjësinë kryesore që ta bëjë hapin e parë. Pra, VV duhet të bëjë një marrëveshje politike për votimin e kryetarit që i takon VV-së, dhe VV të i votojë nënkryetarët partive të tjera që u takojnë,” ka deklaruar Baraliu.
Ai ka kritikuar mënyrën se si po sillen partitë politike në raport me njëra-tjetrën, duke theksuar se mungesa e marrëveshjes dhe qëndrimet e ngurta po e dëmtojnë interesin publik.
“Vetëm kjo marrëveshje do të duhej të ndodhte, dhe jo siç po veprojnë kështu partitë mes vete. Dëshën ose jo, me këto inate po e bllokojnë formimin e institucioneve dhe kjo është papërgjegjësi për votuesit e tyre,” ka shtuar ai për FrontOnline.
Sipas Baraliut, zgjidhja është e thjeshtë dhe e mundshme përmes një konsensusi bazik politik për një votim të ndërsjellë.
“Një marrëveshje politike duhet, për një votim. Ajo që shihet se që tri herë nuk po shkon ky kandidat, do të duhej që VV të propozojë ndonjë kandidat tjetër, por kjo nuk mund të imponohet,” ka theksuar ai.
Baraliu ka sugjeruar një kompromis të qartë që, sipas tij, do të mundësonte zhbllokimin institucional.“Do të duhej të kishte zgjidhje që opozita të ia votojë kryetarin e Kuvendit VV-së dhe VV të ia votojë nënkryetarët e Kuvendit,” ka përfunduar ai.
Spahiu: Kurti po bën lojë politike me opozitën, por strategjia po i kthehet kundër – E ka të gabuar strategjinë e pazarit
Analisti politik Nexhmedin Spahiu për FrontOnline ka komentuar zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës dhe sjelljen politike të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e cilësuar qasjen e tij si një lojë taktike që, sipas tij, po rezulton e gabuar.
“Mendoj se Kurti po bën lojë me opozitën, duke u përpjekur që t’ua zbresë pazarin partnerëve të koalicionit, por mendoj se Kurti ka zgjedhur strategji të gabuar dhe po ia mundon pazarin vetes sa më shumë,” ka deklaruar Spahiu.
Ai ka theksuar se tentimi i Kurtit për të përfituar politikisht nga situata aktuale nuk po jep rezultatet e dëshiruara dhe madje po e dëmton pozitën e tij negociuese.
“Është e kundërta e asaj çka po mendon Kurti. Ai po mendon se kësisoji, duke vënë në pah absurditetin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, po përpiqet që të bëjë përfitime politike, por po e dëmton pazarin e vet,” ka shtuar ai për FrontOnline.