Automjete të reja, por personeli “po plaket”! Shkurtime në administratën e “Postës”, punësime të reja postierësh

-Në dy vitet që jam drejtor, rroga është vonuar vetëm një muaj dhe në kohën që e parasheh ligji nga data 1 deri në datën 15 ne ju kemi vonuar një ditë, në datën 16 iu kemi dhënë rrogat. Jemi duke u stabilizuar! Në të kaluarën ka qenë problematike se nga 2-3 muaj s’kanë marrë […]

Prill 15, 2026 - 18:30
Automjete të reja, por personeli “po plaket”! Shkurtime në administratën e “Postës”, punësime të reja postierësh

-Në dy vitet që jam drejtor, rroga është vonuar vetëm një muaj dhe në kohën që e parasheh ligji nga data 1 deri në datën 15 ne ju kemi vonuar një ditë, në datën 16 iu kemi dhënë rrogat. Jemi duke u stabilizuar! Në të kaluarën ka qenë problematike se nga 2-3 muaj s’kanë marrë rroga, theksoi Orhan Kurtishi, drejtori i postës së RMV-së.

Posta e Maqedonisë pajiset me 100 automjete të reja, por mosha mesatare e të punësuarve është 55 vjeç. Mungesa automjeteve dhe e postierëve në terren në të kaluarën ka bërë që 600 mijë dërgesa të mbeteshin nëpër magazinat postare. Kushtet jo të mira të punës së kësaj shoqate aksionare shtetërore ka bërë që vitin e kaluar ta mbyll me 5 milionë euro humbje. Por, menaxhmenti ri thotë se me uljen e numrit të administratorëve dhe mbylljen e disa pikave postare do të shtohet efikasiteti i postierëve në shpejtësinë e dërgesave dhe rritjen e fitimit me shlyerje borxhi.

“Në pjesën e të punësuarve e ceka edhe më herët, në 2025 kemi punësuar dhe këtë vit planifikojmë 120 punësime, të cilët do të jenë në pjesën teknologjike dhe të shoferëve dhe në pjesën e ndarjes së paketave… Kemi bërë një skenim të gjendjes që në momentin e parë ka pasur por disa kanë filluar të vijnë e disa i kemi larguar, kështu që për momentin jemi stabile dhe besoj që në të ardhmen nuk do të lejojmë asnjë gjë e tillë të ndodh!”, tha Orhan Kurtishi, drejtori i Postës së RMV-së.

Ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski theksoi se ky institucion ishte harruar nga qeveria e mëparshme, për të cilën po përgatiteshin studime fizibiliteti për shitje dhe privatizim. Por, ai zotohet se do ta rimëkëmbin si aset shtetëror. Investimi për automjetet e reja është me vlerë rreth dy milionë euro. Në përshkrimin e automjeteve të reja, ai tha se 10 furgonët kanë një kapacitet mbajtës prej 750 kilogramësh, ndërsa ato të mëdhatë kanë një kapacitet mbajtës prej 1.800 kilogramësh, gjë që, siç shtoi, do të ndihmojë në përshpejtimin e dorëzimit të pakove, që është aktiviteti kryesor i “Postës”.

 “Mbi 75% e qarkullimit financiar në shtet e bën Posta e Maqedonisë, por kur të shikoni në anën e të hyrave është e kundërta që nënkupton se liberalizimi i tregut në vend që të krijoj konkurrueshmëri i jep monopol postave private, të cilat i marrin bizneset më fitimprurëse, të cilat nuk janë të interesuar të dërgojnë letër nga Shkupi në Vevçani, bie fjala, ndërsa Posta e Maqedonisë mbetet shpërndarësi i vetëm i këtyre shërbimeve dhe i vetmi që mundëson të funksionoj shteti”, pohoi Aleksandar Nikolloski, ministri i Transportit dhe Lidhjeve.

Raporti i revizionit në vitin 2025 tregoi se SH.A. “Posta” po zhytet në humbje dhe borxhe. Që nga viti 2017, ajo ka qenë në një pozicion të pafavorshëm financiar, duke pësuar vazhdimisht humbje operative, dhe humbja më e madhe në vlerë prej mbi 229 milionë denarë ose mbi 3.7 milionë euro është regjistruar në vitin 2022. Vetëm 59.7% e dërgesave janë dorëzuar në kohë, ndërsa 30.5% janë dorëzuar në një periudhë më të gjatë se tre ditë, që është një devijim nga standardet e Unionit Postar Universal, i cili përcakton një standard minimal prej 75% dhe një standard maksimal prej 88% për dërgesa të dorëzuara me sukses dhe në kohë./TV21