Avokati i Popullit reagon: Diskrimin moslejimi i dhënies së provimeve juridike në shqip
“Është dorëzuar një iniciativë në Qeveri për ndryshime ligjore që do të mundësojnë dhënien e provimeve profesionale në gjuhën amtare”, njoftoi Avokati i Popullit, Faton Selami, në konferencën e sotme për media me rastin e Raportit Vjetor për gjendjen e sigurimit, respektimit, realizimit dhe avancimit të të drejtave dhe lirive të njeriut për vitin 2025, […]
“Është dorëzuar një iniciativë në Qeveri për ndryshime ligjore që do të mundësojnë dhënien e provimeve profesionale në gjuhën amtare”, njoftoi Avokati i Popullit, Faton Selami, në konferencën e sotme për media me rastin e Raportit Vjetor për gjendjen e sigurimit, respektimit, realizimit dhe avancimit të të drejtave dhe lirive të njeriut për vitin 2025, përcjell INA.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Selami bëri të ditur se me iniciativë personale ka hapur lëndë dhe u është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë dhe Inspektoratit Shtetëror Administrativ lidhur me dhënien e provimit të jurisprudencës, provimit të noterisë dhe provimit për përmbarues.
“Lidhur me iniciativën tonë për ndryshime dhe plotësime të ligjeve për dhënien e provimeve profesionale – provimin e jurisprudencës, provimin e noterisë dhe provimin për përmbarues – pasi paraqita konstatimet, me iniciativë personale hapa lëndë dhe iu drejtova Ministrisë së Drejtësisë, si dhe Inspektoratit Shtetëror Administrativ. Nga përgjigjet zyrtare që morëm, konstatuam se në zgjidhjet ligjore ekzistuese që rregullojnë këtë çështje nuk ekziston mundësia që këto provime të jepen në një gjuhë tjetër, përveç maqedonishtes. Kjo krijon probleme juridike dhe praktike për kandidatët që nuk e njohin gjuhën maqedonase, ndërsa studimet juridike i kanë përfunduar në ciklin e parë dhe të dytë në gjuhën shqipe”, deklaroi Selami.
Për tejkalimin e kësaj gjendjeje, ai theksoi se institucioni i Avokatit të Popullit i është drejtuar Qeverisë me një iniciativë konkrete për harmonizimin e ligjeve.
“Për tejkalimin e kësaj situate, e cila tashmë shtatë vite ekziston për shkak të moszbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i jemi drejtuar Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut me një iniciativë konkrete për ndryshimin dhe plotësimin, përkatësisht harmonizimin e zgjidhjeve ligjore që rregullojnë këto provime, në mënyrë që kandidatëve t’u mundësohet t’i japin këto provime edhe në gjuhën e tyre amtare. Sepse konsiderojmë se, nëse kjo nuk mundësohet, bëhet fjalë për diskriminim, përkatësisht diskriminim indirekt në bazë të gjuhës”, theksoi Selami.
I pyetur për kushtet në strehimoret (shelter-centers), për respektimin e protokolleve për mbrojtjen e viktimave nga ana e punonjësve socialë dhe për ankesat lidhur me dhunën në familje, Selami iu referua gjetjeve të Raportit Vjetor për vitin 2025, duke theksuar se ai është në këtë detyrë vetëm dy muaj.
Po ashtu, në konferencë u theksuan raste kur viktimat e dhunës në familje transportohen me automjete të shënuara të qendrave për punë sociale, duke u ekspozuar para publikut dhe duke u përballur me rreziqe shtesë. Lidhur me këtë, Avokati i Popullit u shpreh shkurt se të gjitha vërejtjet janë të mirëseardhura dhe do të shqyrtohen.(INA)