Babai i Triumf Rizës: ‘Rrumqi’ dhe ‘Liza’ janë përcjellësit kryesorë, kanë ndikuar që ai të mos jetë gjallë

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Ilir Abdullahut, i cili akuzohet se në bashkërkyerje me Arben Berishën, Fitim Avdiun, Enver Sekiraqën dhe Rrahim Abdullahun, kanë vrarë ish-policin Triumf Riza, dëshmitari Shefqet Riza- babai i tani të ndjerit Triumf, tha se personat kryesorë që e kishin përcjellë tani të

Prill 23, 2025 - 19:00
 0  4
Babai i Triumf Rizës: ‘Rrumqi’ dhe ‘Liza’ janë përcjellësit kryesorë, kanë ndikuar që ai të mos jetë gjallë
babai-i-triumf-rizes:-‘rrumqi’-dhe-‘liza’-jane-percjellesit-kryesore,-kane-ndikuar-qe-ai-te-mos-jete-gjalle

babai-i-triumf-rizes:-‘rrumqi’-dhe-‘liza’-jane-percjellesit-kryesore,-kane-ndikuar-qe-ai-te-mos-jete-gjalle

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Ilir Abdullahut, i cili akuzohet se në bashkërkyerje me Arben Berishën, Fitim Avdiun, Enver Sekiraqën dhe Rrahim Abdullahun, kanë vrarë ish-policin Triumf Riza, dëshmitari Shefqet Riza- babai i tani të ndjerit Triumf, tha se personat kryesorë që e kishin përcjellë tani të ndjerin janë dy të akuzuarit Abdullahu.

“Po, këta janë kryesorët, ky Rrahimi me nofkën “Rrumqi” edhe “Liza” me emrin Ilir Abdullahu, këta janë përcjellësit kryesorë dhe këta kanë ndiku që ai sot të mos jete gjallë”, tha Riza, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këtë deklarim, dëshmitari e bëri pasi u pyet nga prokurorja e rastit Arbëresha Raça-Shala se çfarë dinte lidhur me dy të akuzuarit prezent në gjykimin e sotëm.

Dëshmitari Riza përmendi edhe problemet të cilat sipas tij kishin sjellë deri tek vrasja e të birit të tij, Trium Rizës më 2007. Sipas tij, tani i ndjeri kishte pasur punë vetëm me Enver Sekiraqën dhe atë vetëm në vijë zyrtare.

“I ndjeri ka pas punë vetëm me Enver Sekiraqën dhe atë vetëm në vijë zyrtare…po të mos kishte qenë në vijë zyrtare nuk do të ishte i ndjeri i shpallur hero i Kosovës, kjo kalon nëpër shumë filtra derisa Presidenti ta shpallë hero”, tha Shefqet Riza.

Në fund të dëshmisë së tij, Riza iu drejtua trupit gjykues duke u shprehur se tashmë i ndjeri është djali i tij dhe nuk mund ta harrojnë, ani pse kanë kaluar 18 vite, por shtoi se ky rast bie në barrë e organeve shtetërore, për faktin se i ndjeri ishte polic.

“Ne si familje nuk mund ta harrojmë djalin edhe pse kanë kalu 18 vite, ai ka qenë djalë i yni. E gjithë barra ju bie ju si Gjykatë, i bie Prokurorise, ju bie organeve të shtetit”, shtoi ndër të tjera dëshmitari Riza.

Në këtë seancë, mbrojtësi i të akuzuarit Abdullahu, avokati Ramë Dreshaj kërkoi nga trupi gjykues zëvendësimin e masës së paraburgimit me ndonjë masë tjetër për të mbrojturin e tij, me arsyetimin se janë deponuar një vlerë e konsiderueshme parash dhe është propozuar një hipotekë. Andaj, njëjtë si i bashkakuzuari Rrahim, deklaroi se garanton se edhe i mbrojturi i tij nuk do të mungojë në seanca gjyqësore.

Lidhur me kërkesen e mbrojtjës pati kundërshtime nga prokurorja Raça-Shala me arsyetimin se për mbarëvajtjen e procesit gjyqësor, të akuzuarit Abdullahu duhet t’i vazhdohet masa e paraburgimit.

Në fund, trupi gjykues mori aktvendim me të cilin refuzoi kërkesën e mbrojtjes duke lënë në fuqi masën e paraburgimit.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 2 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit Ilir Abdullahu i njohur me nofkën “Liza”.

Abdullahu akuzohet se në bashkëkryerje me tani të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, si dhe të pandehurin Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, si grup i organizuar nga Sekiraqa, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, me dashje që ta privojnë nga jeta tani të ndjerin Triumf Riza, për arsye se tani i ndjeri, më 24 dhjetor 2005 në lokalin “Swiss Casino” në Prishtinë, e kishte rrahur tani të dënuarin Sekiraqa, ku ky i fundit kishte qenë i shtrirë në spital, se pas njoftimit me Adelina Ismailin, i njëjti nuk ka lejuar që t’i japë reket- të holla si më parë.

Më tej, thuhet se për arrestimin dhe rrahjen e tij në Ferizaj më 22 maj 2006 nga ana e pjesëtarëve të SHPK-së, Sekiraqa kishte akuzuar tani të ndjerin Triumf Riza se janë të shtyrë nga ana e tij, andaj janë marrë vesh që tani të ndjerin ta privojnë nga jeta.

Në aktakuzë thuhet se një kohë kanë përcjellë me vetura lëvizjet e Rizës dhe më 30 gusht 2007 derisa Arben Berisha, Enver Sekiraqa, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu kanë qenë në lokalin “Sekiraqa”, tani i dënuari Avdiu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të akuzuarit Abdullahu me përmbajtjen “Parking te Grandi, kojshija e kish dramen“, duke aluduar në Rizën, i cili banesën e kishte përballë lokalit “Sekiraqa”, ndërsa në atë kohë ka qenë në hotelin Grand.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi e kishte marrë njoftimin tani i dënuari Berisha dhe të pandehurit Ilir Abdullahu e Rrahim Abdullahu, me veturë kanë shkuar te lokali “Quins”, ku tani i dënuari Berisha, i armatosur më parë me pistoletë ka hyrë në një lokal, ndërsa i pandehuri Ilir dhe i pandehuri Rrahim kanë hyrë në një lokal tjetër, për të pritur Rizën, pasi ky i fundit pothuajse çdo ditë ishte mysafir i atij lokali.

Më pas, thuhet se i pandehuri Rrahim Abdullahu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të dënuarit Berisha, derisa ka qenë duke qëndruar ulur në tarracën e një lokali afër lokalit AMPM, me përmbajtjen “rri qatu hin mrena se mir je, ma von te thirri“, pasi që Riza ishte parë te lokali AMPM.

Në aktakuzë thuhet se në momentin kur Riza ka dalë nga lokali dhe ka qenë afër automjetit të tij, tani i dënuari Berisha me vrap ka shkuar drejt tij dhe në mënyrë dinake, kur Riza nuk ka pritur kurrfarë sulmi, me shpinë të kthyer nga ai, nga një distancë prej 5 metrash, me pistoletë ka shtënë 11 herë me tri rafale të shkurtra, duke e goditur me 2 plumba në shpinë, ku plumbat, për shkak të veprimit dinamik, kanë depërtuar nëpër aortë, zemër dhe mushkëri, nga të cilat lëndime ai ka vdekur, ndërsa me një plumb është goditur në kofshën e këmbës së djathtë.

Me këtë veprim, i akuzuari Ilir Abdullahu, në bashkëkryerje me të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, dhe të pandehurit Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë’, nga neni 147, paragrafi 1, nënparagrafët 3 dhe 9, lidhur me nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës.

Ilir Abdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, u arrestua më 16 korrik 2023, pasi për vite me radhë kërkohej si i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës.

Për Triumf Rizën është duke u gjykuar edhe Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit. Sekiraqa më 3 maj 2024 u dënua me 25 vjet burgim. I njëjti gjendet në arrati.