BDI: Drejtësi selektive, u soll vendim që shumica e të ndaluarve të lirohen nga paraburgimi aktiv, përveç Kreshnik Bekteshit
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar për zhvillimet lidhur me ngjarjen tragjike në Koçan, duke thënë se si institucionet e drejtësisë po e trajtojnë këtë proces nën presion të qartë politik dhe me qëllim që faji të hidhet mbi të tjerët, për të mbrojtur njerëzit e pushtetit, transmeton Portalb.mk. “Informacionet se një prokuror publik, […]


Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar për zhvillimet lidhur me ngjarjen tragjike në Koçan, duke thënë se si institucionet e drejtësisë po e trajtojnë këtë proces nën presion të qartë politik dhe me qëllim që faji të hidhet mbi të tjerët, për të mbrojtur njerëzit e pushtetit, transmeton Portalb.mk.
“Informacionet se një prokuror publik, që ka qenë pjesë e lëndës, është tërhequr për shkak të mospajtimeve rreth kualifikimit të veprës dhe veçanërisht për shkak të presioneve politike nga partitë në Qeveri, në një shtet normal do të ishin alarm për gjithë shoqërinë. Në realitetin tonë, heshtja e institucioneve flet më zëshëm se çdo vendim”, thonë nga BDI.
Nga kjo parti shtojnë se dje u soll një vendim që pothuajse të gjithë të ndaluarit të lirohen nga paraburgimi aktiv, përveç Kreshnik Bekteshit, i cili vazhdon të mbahet në paraburgim, e që sipas tyre, ai prej kohësh është në shënjestër të hakmarrjes politike.
“Kjo tashmë nuk është çështje individuale – por një model i rrezikshëm i drejtësisë selektive, që po shndërrohet në instrument për presion dhe eliminim politik”, thonë nga BDI.
BDI kërkon publikisht dhe menjëherë që Prokuroria t’u përgjigjet qytetarëve:
– A është e vërtetë se një prokuror është tërhequr për shkak të hetimit të udhëhequr politikisht?
– A do ta lejojë Prokuroria që të shndërrohet në instrument të hakmarrjes politike ndaj opozitës?
– Cilat janë kriteret sipas të cilave disa lirohen, e disa mbeten në paraburgim pa prova të mjaftueshme dhe me hetim të paqartë?
“Kjo nuk është drejtësi – kjo është politikë e kamufluar si gjyqësor. Nuk duhet të lejojmë që tragjedia e Koçanit të përdoret për propagandë politike dhe për të fshehur përgjegjësinë e strukturave në pushtet. BDI nuk mbron individë – por mbron drejtësinë si parim – të barabartë për të gjithë”, thuhet në fund të reagimit.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më pas dy pacientë ndërruan jetë dy javë pas tragjedisë, duke e çuar numrin total të viktimave në 61. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka identifikuar si të dyshuar 45 persona fizikë dhe tre persona juridikë për krime të rënda kundër sigurisë publike, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim. Midis tyre është edhe zyrtari i BDI-së, Kreshnik Bekteshi.