Lënda për keqpërdorimet në ndërtimin e Teatrit të Tetovës endet nëpër gjykatat e vendit 

Lënda për keqpërdorimet gjatë ndërtimit të objektit të ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës ku disa persona fizikë dhe juridikë përfituan jashtëligjshëm mbi 13 milionë euro, endet nëpër gjykatat e vendit, nga Gjykata Penale në Shkup, në atë të Tetovës, dhe më pas në Gjykatën Supreme, shkruan Portalb.mk.  Nga Gjykata Penale në Shkup për […]

Prill 17, 2025 - 10:00
 0  6
Lënda për keqpërdorimet në ndërtimin e Teatrit të Tetovës endet nëpër gjykatat e vendit 
Objekti i ri i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Lënda për keqpërdorimet gjatë ndërtimit të objektit të ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës ku disa persona fizikë dhe juridikë përfituan jashtëligjshëm mbi 13 milionë euro, endet nëpër gjykatat e vendit, nga Gjykata Penale në Shkup, në atë të Tetovës, dhe më pas në Gjykatën Supreme, shkruan Portalb.mk. 

Nga Gjykata Penale në Shkup për Portalb.mk bënë të ditur se lënda “është dorëzuar për shqyrtim në bazë të kompetencës në Gjykatën Themelore të Tetovës”. 

Nga Gjykata Themelore e Tetovës për Portalb.mk theksuan se e kanë të regjistruar këtë lëndë, dhe sipas sistemit AKMIS për ndarje automatike të lëndëve, kjo lëndë i është ndarë gjykatësit Elvedin Ferati. 

Por më pas, pasi insistuam se kur do të fillojë ky gjykim dhe detaje të tjera, nga Gjykata e Tetovës na njoftuan se lënda do të dorëzohet në Gjykatën Supreme për zjidhjen e konfliktit të interesit. 

“Lënda do të dorëzohet në Gjykatën Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut me propozim inicimin e procedurës për zgjidhjen e konfliktit të interesit”, thanë nga Gjykata e Tetovës. 

Nga ky institucion nuk u deklaruan se çfarë konkretisht nënkupton kjo dhe çfarë do të ndodhë më pas. 

Kujtojmë që më 18 dhjetor 2024 Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dorëzoi në Gjykatën Penale në Shkup aktakuzë kundër një personi dhe propozim aktakuzë kundër një personi juridik dhe tre personave fizikë. Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2020, dyshohet se kanë arritur përfitime pasurore të mëdha në shumë prej 832.983.064,00 denarë (mbi 13 milionë euro).  

“Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2020 në Tetovë, i pandehuri i parë S.Sh. si pronar dhe menaxher i personit të akuzuar juridik nga Tetova, së bashku dhe në bazë të marrëveshjes paraprake me të akuzuarin e tretë H.F. atëkohë drejtori i Institucionit Nacional – Qendra për Kulturë “Iljo Anteski – Smok” – Tetovë dhe me të pandehurin e katërt A.A. – kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik, ndërsa më pas edhe ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës së Kulturës, me vetëdije ka anashkaluar rregulloret dhe rregullat e procedurës për dhënien e kontratës së prokurimit publik dhe ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar. Me veprimet që përbëjnë kryerje të shumëfishtë të së njëjtës vepër, të pandehurit për personin e dytë të akuzuar juridik kanë arritur përfitime pasurore të mëdha në shumë prej 832.983.064,00 denarë“, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Objekti i ri i Teatrit dhe Bibliotekës të Tetovës premtohet për 15 vite, ndërsa ka filluar të ndërtohet në 11 vitet e fundit. Punimet vazhdimisht janë zvarritur, ndërsa nuk pritet të përfundojnë në afatin e paraparë i cili ishte për në fund të këtij viti.