BDI: Histori pa shqiptarë, programi i ri për klasën e VII-të i ka fshirë shqiptarët nga tekstet shkollore

Programi i ri i Byrosë për Zhvillim të Arsimit pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për lëndën “Histori dhe Shoqëri” në klasën e VII-të përfaqëson një hap prapa dhe një fyerje të rëndë për shqiptarët në këtë vend, thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim, transmeton Portalb.mk. “Ky dokument, që duhet të udhëzojë autorët në përgatitjen […]

Prill 18, 2025 - 18:00
 0  5
BDI: Histori pa shqiptarë, programi i ri për klasën e VII-të i ka fshirë shqiptarët nga tekstet shkollore
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Programi i ri i Byrosë për Zhvillim të Arsimit pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për lëndën “Histori dhe Shoqëri” në klasën e VII-të përfaqëson një hap prapa dhe një fyerje të rëndë për shqiptarët në këtë vend, thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim, transmeton Portalb.mk.

“Ky dokument, që duhet të udhëzojë autorët në përgatitjen e librave shkollorë, i injoron plotësisht shqiptarët, kulturën, historinë dhe kontributin e tyre në shtetin tonë të përbashkët. Në versionin e mëparshëm të këtij programi, të përgatitur nga qeveria e kaluar, qartazi kërkohej që nxënësit të mësojnë historinë e popullit të tyre dhe të popujve të tjerë që jetojnë në vend. Aty nxitej ndërgjegjësimi për identitetin, bashkëjetesën dhe respektin ndërkulturor”, thonë nga BDI.

Nga atje shtojnë në programin e ri, këto përmbajtje janë fshirë pa asnjë shpjegim. Mungon çdo përmendje për shqiptarët dhe për rolin e tyre në zhvillimet historike, kulturore dhe shoqërore të këtij shteti.

“Ky nuk është një ndryshim teknik. Është një mesazh politik – për të krijuar një histori ku shqiptarët nuk ekzistojnë. Është përjashtim i qëllimshëm nga rrëfimi i përbashkët dhe një përpjekje për të ndryshuar mënyrën se si brezat e rinj do ta kuptojnë këtë vend dhe ata që jetojnë në të. Historia dhe shoqëria nuk mund të mësohen duke injoruar njërin nga popujt kryesorë të shtetit. Programi i ri jo vetëm që ua mohon nxënësve shqiptarë të drejtën për të parë veten në librat shkollorë, por dëmton vetë përpjekjen për bashkëjetesë, barazi dhe respekt të ndërsjellë. U bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse që të tërheqin këtë program të njëanshëm dhe të rikthejnë një qasje gjithëpërfshirëse që reflekton realitetin shoqëror dhe historik të Maqedonisë së Veriut.  Shqiptarët nuk janë të padukshëm – as në të kaluarën, as në të tashmen, dhe nuk mund të përjashtohen nga asnjë faqe e historisë sonë të përbashkët”, shtojnë nga BDI.

Kujtojmë se Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art në RMV ka kërkuar të hiqet nga përdorimi i librit të historisë për klasën e shtatë të shkollave fillore në Maqedoninë e Veriut. Këtë e ka kërkuar, për shkak se siç thonë, libri nuk është në përputhje me parimet e ndarjes së institucioneve fetare nga shteti. Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit e fajëson udhëhqësinë paraprake, thonë se vijon procedura e hartimit të librit të ri.