BDI: Pa zbatim të Ligjit për Gjuhët, çdo “zgjidhje” është mashtrim

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj propozimeve për “zgjidhje të reja” lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në provimet për kandidatët juristë, duke i cilësuar ato si The post BDI: Pa zbatim të Ligjit për Gjuhët, çdo “zgjidhje” është mashtrim appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Mars 29, 2026 - 13:00
BDI: Pa zbatim të Ligjit për Gjuhët, çdo “zgjidhje” është mashtrim

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj propozimeve për “zgjidhje të reja” lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në provimet për kandidatët juristë, duke i cilësuar ato si përpjekje për të shmangur detyrimet ligjore.

Nga BDI theksojnë se çështja nuk kërkon iniciativa të reja, por vetëm zbatim të drejtpërdrejtë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

“Çfarëdo iniciative e re që synon të anashkalojë zbatimin e drejtpërdrejtë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në provimet për kandidatët juristë përbën një mashtrim të madh dhe një përpjekje për të shmangur obligimet që burojnë nga ligji”, thuhet në reagim.

Sipas partisë, ligji është “lex specialis” dhe ka përparësi ndaj ligjeve të tjera, duke mos lënë hapësirë për interpretime apo kushtëzime shtesë.

“Ky ligj është i qartë, preciz dhe i plotë, përfshirë edhe përdorimin e gjuhëve për provimin e jurisprudencës, noterisë dhe përmbarimit. Çdo devijim nga kjo rrugë përbën shmangie të detyrimeve ligjore dhe degradim të statusit aktual gjuhësor”, thekson BDI.

Në reagim kundërshtohet edhe ideja që problemi të zgjidhet përmes harmonizimit të ligjeve, duke e cilësuar këtë qasje si të papranueshme dhe në kundërshtim me vetë ligjin ekzistues.

“Qëndrimi se problemi zgjidhet përmes harmonizimit të ligjeve është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. E drejta e përdorimit të gjuhës nuk është favor, por e drejtë e garantuar dhe nuk mund të varet nga procedura shtesë administrative apo interpretime të gabuara”, thuhet më tej.

BDI vlerëson se problemi real nuk është mungesa e harmonizimit, por mungesa e vullnetit për zbatim.

“Propozime të tilla, përfshirë edhe ato të Avokatit të Popullit, në thelb përfaqësojnë ulje të standardit të të drejtave gjuhësore”, thekson partia, duke shtuar se çdo relativizim i kësaj të drejte është i papranueshëm.

Në fund, nga BDI ritheksojnë se zgjidhja është e vetme dhe e qartë:

“Kjo çështje nuk zgjidhet me iniciativa të reja, as me komisione, as me harmonizime të pafundme, por zgjidhet vetëm në një mënyrë: duke zbatuar drejtpërdrejt Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.” Gazeta Flaka

The post BDI: Pa zbatim të Ligjit për Gjuhët, çdo “zgjidhje” është mashtrim appeared first on Flaka, në çdo lajm... .