BDI: Trajtimi i 76 të punësuarve shqiptarë nga Stoilkoviç, mobing institucional dhe turp shtetëror
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si janë trajtuar 76 të punësuar në Ministrinë për Marrëdhënie Ndëretnike, të gjithë shqiptarë, duke e cilësuar rastin si shkelje The post BDI: Trajtimi i 76 të punësuarve shqiptarë nga Stoilkoviç, mobing institucional dhe turp shtetëror appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si janë trajtuar 76 të punësuar në Ministrinë për Marrëdhënie Ndëretnike, të gjithë shqiptarë, duke e cilësuar rastin si shkelje të rëndë të dinjitetit njerëzor dhe diskriminim të hapur institucional.
Sipas deklaratës për media, këta punonjës janë thirrur në punë dhe janë mbyllur në zyra pa kushte minimale, pa mjete pune dhe pa asnjë detyrë konkrete, duke u detyruar të qëndrojnë në këmbë nga ora 08:00 deri në 16:00.
“Vendosja e dhjetëra grave dhe burrave në tri zyra, pa karrige, pa tavolina pune, pa kompjuterë dhe pa mjete elementare, përbën formë të hapur të mobingut institucional dhe torturës psikologjike”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia thekson se situata ka degraduar deri aty sa punonjësit janë detyruar të ulen në dysheme dhe të sjellin batanije nga shtëpia për ta përballuar ditën e punës.
“Ky është një turp shtetëror që cenon dinjitetin njerëzor dhe shkel çdo standard ligjor, moral dhe evropian”, vlerëson BDI.
Reagimi i partisë opozitare shkon edhe më tej, duke kritikuar ashpër sjelljen e institucioneve pas publikimit të pamjeve nga vendi i ngjarjes.
“Në vend që të merret përgjegjësi për kushtet çnjerëzore të krijuara, pamjet janë keqpërdorur për linçim moral, ndërsa Kryeministri ka shkuar deri aty sa t’i akuzojë këta punonjës për ‘imoralitet’”, thuhet në deklaratë.
BDI thekson se bëhet fjalë për gra shqiptare – nëna, motra dhe bashkëshorte – të cilat, sipas tyre, janë poshtëruar fillimisht nga institucionet dhe më pas janë sulmuar publikisht nga kreu i qeverisë.
“Kjo është një vijë e kuqe e kaluar dhe nuk mund të relativizohet, justifikohet apo heshtet”, thekson partia, duke shtuar se përgjegjësia nuk mund t’i faturohet BDI-së, pasi bëhet fjalë për nëpunës shtetërorë që duhet të trajtohen me dinjitet nga vetë shteti.
BDI kërkon që Kryeministri të kërkojë menjëherë falje publike për gjuhën fyese dhe, siç thuhet, për legjitimimin e një praktike diskriminuese.
“Kërkojmë përgjegjësi të plotë politike dhe administrative për këtë skandal, ndërprerje të menjëhershme të këtij trajtimi çnjerëzor dhe rikthim të kushteve normale dhe dinjitoze të punës për të gjithë të punësuarit”, thuhet më tej.
Në fund, BDI paralajmëron se institucionet shtetërore nuk guxojnë të shndërrohen në mekanizma ndëshkimi kolektiv mbi baza etnike.
“Dinjiteti njerëzor nuk është privilegj, por e drejtë themelore që nuk negociohet”, përfundon deklarata. Gazeta Flaka
The post BDI: Trajtimi i 76 të punësuarve shqiptarë nga Stoilkoviç, mobing institucional dhe turp shtetëror appeared first on Flaka, në çdo lajm... .