VLEN dhe “Next” – Kush është i radhës?!
Koalicioni VLEN po përballet me një valë distancimesh, , largimesh, dorëheqjesh dhe kritikash publike nga figura dhe aktivistë të ndryshëm në disa komuna të vendit. Së fundmi, tre figura politike The post VLEN dhe “Next” – Kush është i radhës?! appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Koalicioni VLEN po përballet me një valë distancimesh, , largimesh, dorëheqjesh dhe kritikash publike nga figura dhe aktivistë të ndryshëm në disa komuna të vendit.
Së fundmi, tre figura politike – Arben Fetai, Fatmir Limani dhe Irfan Buçi – janë distancuar nga VLEN, duke nxitur reagime dhe diskutime në opinionin politik shqiptar në Maqedonia e Veriut.
Ndërkohë, vitin e kaluar, largime dhe pakënaqësi janë raportuar edhe në disa degë lokale. Në Tearcë, aktivisti Muhamer Isaku është larguar nga strukturat, ndërsa në Çair janë shënuar reagime dhe largime të tjera, mes tyre edhe nga Fitore Qerezi dhe Nafie Selmani.
Nga radhët e Lëvizja BESA, aktivisti Lavdrim Ismaili ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet e tij, ndërsa në Lëvizja Demokratike, themeluesi dhe anëtari i Kryesisë Qendrore Naim Salihu ka shpallur dorëheqjen dhe rikthimin në Bashkimi Demokratik për Integrim.
Pakënaqësitë janë shoqëruar edhe me kritika publike. Bashkim Saiti nga Kumanovë ka kritikuar mungesën e strukturave funksionale në kuadër të koalicionit, ndërsa themeluesi Muhamet Ameti ka paralajmëruar se ky mund të jetë “përvjetori i fundit pa llogaridhënie”.
Mesazhi i tij është mbështetur edhe nga Fejzulla Kovaçi, i cili është kushëri i liderit të Lëvizja Demokratike, Izet Mexhiti.
Tensione janë shfaqur edhe në Studeniçan, ku Emir Ismaili dhe 33 aktivistë të nëndegës së Batincë kanë kundërshtuar publikisht kandidatin e propozuar nga Alternativa për kryetar komune.
Ndërkohë, në Luboten, kryetari i nëndegës Sabar Mustafa, bashkë me strukturën e tij, ka shpallur largimin nga Alternativa dhe nga koalicioni VLEN.
Më herët, në Çair, ish-drejtori në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, Hamza Ameti, kuadër i Alternativës, u shkarkua nga funksioni dhe reagoi publikisht me kritika për organizimin e VLEN-it, duke marrë përkrahje edhe nga funksionari tjetër i kësaj partie, Faton Fazliu.
Po ashtu, aktivistja Nafie Selmani e ka cilësuar publikisht VLEN-in si “një shpresë të humbur” dhe “një zhgënjim të thellë” për qytetarët shqiptarë në vend.
E bujshme ishte edhe situata me kandidatin e VLEN për kryetar të Bërvenicë, Haqim Ramadani, i cili në një moment të caktuar u tërhoq nga gara dhe nga koalicioni, duke mbetur i vetëm përballë kandidatit maqedonas të VMRO-DPMNE. Megjithatë, kohët e fundit ai është parë sërish në aktivitete të koalicionit, duke ngritur pikëpyetje për rikthimin e tij në radhët e VLEN-it.
Habinë në opinion e shtoi edhe deklarata e tij publike në mbështetje të liderit të Lëvizja BESA, Bilall Kasami, në kohën kur ky i fundit shkarkoi kryesinë e partisë dhe kur në skenën politike qarkullonin zëra se BESA mund të largohej nga koalicioni VLEN dhe nga qeveria. “Shqiptarët nuk janë qiraxhinj në këtë shtet, pjesëmarrja e tyre në Qeveri buron nga votat e 107 mijë shqiptarëve të këtij vendi. E di mirë se Bilall Kasamin nuk mund ta shantazhojë dhe kushtëzojë askush. Ai i përulet me modesti vetëm Zotit të vet dhe i shërben vetëm popullit të vet. Të tillë e njoh në të kaluarën dhe i tillë është edhe tani dhe do të vazhdojë të mbetet”, deklaroi Ramadani.
Zhvillimet e fundit tregojnë për një klimë të tensionuar brenda strukturave të koalicionit, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të reflektohen këto lëvizje në organizimin e mëtejshëm politik të VLEN-it në terren.
Në fazën e shkrirjes së partive të koalicionit VLEN në një subjekt të vetëm juridik dhe politik, tensionet brenda këtij formacioni duket se po rriten gjithnjë e më shumë. Pikërisht procesi i bashkimit organizativ që po zbatohet nga partitë pjesëmarrëse po shoqërohet me reagime të shumta nga strukturat dhe aktivistët në terren, duke sjellë largime, distancime dhe kritika publike. Këto zhvillime po sinjalizojnë një krizë të theksuar brenda partive të koalicionit, në një moment kur procesi i konsolidimit politik synon formalizimin e tyre në një subjekt të vetëm.
Derisa zgjat procesi, aminin e vet ende nuk e ka dhënë Alternativa e Bekim Sali. E fundit nga kjo parti, ishte deklarata e Driton Sulejmanit, i cili pati deklaruar që për Alternativën është e pranueshme një “modeli i cili do të garantonte përfaqësim të barabartë të katër subjekteve politike dhe vendimmarrje konsensuale, si dy parime në bazë të së cilës është ndërtuar koalicioni VLEN. Gazeta Flaka
The post VLEN dhe “Next” – Kush është i radhës?! appeared first on Flaka, në çdo lajm... .