BDI: VMRO po saboton Ligjin për Gjuhët me gjoja “zgjidhje të reja” për provimin e jurisprudencës
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka akuzuar ashpër partinë në pushtet, VMRO-DPMNE, se përmes kërkimit të një “zgjidhjeje ligjore” për provimin e jurisprudencës, po tenton të anashkalojë dhe sabotojë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. S...
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka akuzuar ashpër partinë në pushtet, VMRO-DPMNE, se përmes kërkimit të një “zgjidhjeje ligjore” për provimin e jurisprudencës, po tenton të anashkalojë dhe sabotojë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Sipas BDI-së, kjo lëvizje paraqet një goditje direkte ndaj parimit të universalitetit të këtij ligji dhe synon reduktimin e tij në zbatim selektiv. Nga kjo parti rikujtojnë se zgjidhja ekziston në nenin 23 të ligjit aktual dhe se respektimi i tij është obligim kushtetues, e jo çështje e vullnetit politik.
Ja reagimi i plotë:
Deklarata e VMRO-DPMNE-së se Qeveria po kërkon një “zgjidhje ligjore” për provimin e jurisprudencës, kinse në përputhje me Kushtetutën dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, paraqet edhe një përpjekje tjetër për anashkalimin dhe sabotimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Problemi nuk qëndron te mungesa e një zgjidhjeje ligjore. Zgjidhja tashmë ekziston në vetë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, konkretisht në nenin 23, i cili qartë përcakton se të gjitha ligjet e tjera duhet të harmonizohen me këtë ligj brenda 12 muajve nga hyrja e tij në fuqi. Kjo do të thotë se nuk ka nevojë për “zgjidhje të re”, por vetëm për zbatim të ligjit ekzistues.
Çdo përpjekje për të kërkuar zgjidhje paralele ose alternative jashtë nenit 23 paraqet goditje direkte ndaj parimit të universalitetit të Ligjit për Gjuhët dhe tentativë që ai të reduktohet në zbatim selektiv dhe të kufizuar.
BDI nuk do të lejojë asnjë interpretim apo ndërhyrje ligjore me të cilën Ligji për Përdorimin e Gjuhëve do të vihej në pozitë të nënshtruar ndaj ligjeve të tjera apo do të hapej rruga për zbatim selektiv të tij.
Respektimi i Ligjit për Gjuhët nuk është çështje vullneti politik, por obligim kushtetues dhe ligjor.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.