BE-ja e nxori nga humnera RMV-në edhe në tragjedinë e Koçanit, vendi pa kapacitete për trajtimin e djegieve

Njëqind e një pacientët e lënduar nga zjarri në Koçan të cilët po trajtohen jashtë vendit, mjekimin e marrin në shtetet e Bashkimit Evropian, përveç atyre në Serbi. Maqedonia e Veriut nuk ka kapacitet për t’u përballur me raste të tilla sepse nuk ka qendër për trajtimin e djegieve, shkruan Portalb.mk.  Pa ndihmën e shteteve […]

Mars 20, 2025 - 14:00
 0  4
BE-ja e nxori nga humnera RMV-në edhe në tragjedinë e Koçanit, vendi pa kapacitete për trajtimin e djegieve
Avion i Greqisë duke transportuar pacient nga tragjedia në Koçan. Foto: Ambasada e Greqisë në RMV

Njëqind e një pacientët e lënduar nga zjarri në Koçan të cilët po trajtohen jashtë vendit, mjekimin e marrin në shtetet e Bashkimit Evropian, përveç atyre në Serbi. Maqedonia e Veriut nuk ka kapacitet për t’u përballur me raste të tilla sepse nuk ka qendër për trajtimin e djegieve, shkruan Portalb.mk. 

Pa ndihmën e shteteve të BE-së situata me të lënduarit e zjarrit në Koçan do ta kishte rrënduar më tepër gjendjen në vend.

Sistemi shëndetësor i Maqedonisë së Veriut nuk ka përvojë me djegie të komplikuara dhe për këtë arsye pacientët e lënduar nga zjarri në diskotekën në Koçan janë dërguar jashtë vendit. 

Maqedonia e Veriut nuk ka as qendër për trajtimin e djegieve dhe kështu nuk mund t’i plotësojë nevojat e qytetarëve për këtë lloj të trajtimit.

Në të kaluarën ka pasur qendra të tilla, por janë mbyllur.

E para ishte në Spitalin Ushtarak në Shkup e cila u mbyll që të lirohen hapsirat për Kardiokirurgjinë private “Zhan Mitrev”. 

E dyta ishte në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit – Kirurgjia e cila sot njihet si Klinika për Sëmundje Kirurgjikale “Shën Naumi i Ohrit”, e cila u nxor jashtë përdorimi në vitin 2016. 

Megjithatë, sipas autoriteteve në vend, edhe sikur këto qendra të ishin në funksion, do të kishin kapacitet të vogël dhe që sërish nuk do mund t’i bënin ballë kësaj tragjedie. 

Drejtori i Fondit Shëndetësor të RMV-së Sasho Klekovski thekson se duhet të shihet nëse vendi ka nevojë për qendrën e djegieve. 

“Duhet të vlerësojmë nëse kemi nevojë për qendrën e djegieve në Maqedoni apo do të ishte më e thjeshtë të kishim marrëveshje bashkëpunimi me Pirogov në Sofje apo Papanikolau në Selanik”, deklaroi Klekovski. 

Ai ka thënë se qendra e djegieve do të hapet nëse ekipi i ekspertëve thotë se ka nevojë. 

Kujtojmë që trajtimi i djegieve të rënda zgjat shumë muaj dhe është i kushtueshëm. 

Në RMV pacientët me djegie trajtohen në Klinikën për kirurgji plastike dhe rikonstruktive dhe në repartet në “8 Shtatori” dhe “Shën Naumi i Ohrit”. 

“Ne kemi rreth 100 raste me djegie në vit në gjithë territorin e vendit…Djegiet nga zjarri janë kategoria më e rëndë, pasi përveç djegieve të lëkurës, ka edhe djegie të organeve të frymëmarrjes. Nga këto 100 raste, në katër vitet e fundit kemi pasur 28 raste, 6 me djegie të shkallës së lartë, 11 raste me djegie të komplikuara me transplantim të lëkurës dhe me djegie më të lehta me transplantimit të lëkurës kemi pasur gjithashtu 11 raste”, tha Klekovski. 

Nga ana tjetër, doktoresha Dobrilla Andonovska e cila është specialiste e kirurgjisë plastike dhe rekonstruktive, përmes një reagimi publik ka theksuar se vendi ka nevojë për një qendër të tillë. 

“Do presim që të kalojë kjo periudhë tronditëse, që të përfundojë trajtimi i të gjithë pacientëve, pa dallim nëse po trajtohen në Maqedoni apo në vende të tjera, dhe pastaj të ulemi dhe të përpilojmë një strategji për themelimin e një qendre moderne për trajtimin e djegieve që do të ishte me rëndësi të jashtëzakonshme për pacientët, punonjësit shëndetësorë dhe shtetin, jo vetëm nga aspekti shëndetësor, por edhe nga aspekti strategjik”, theksoi Andonovska. 

Ajo u shpreh se vendi duhet të themelojë qendër moderne për trajtimin e djegieve me minimum 50 shtretër. 

Të lënduarit nga zjarrit kanë lëndime të rënda nga djegiet në sipërfaqet e trupit. 

Nga gjithsej 173 pacientë që po trajtohen, 72 trajtohen brenda shtetit ndërsa 101 jashtë vendit, edhe atë: Austri – 6; Lituani – 4; Serbi –30; Bullgari –15; Sllloveni – 2; Greqi – 12; Belgjikë – 4; Itali – 4; Kroaci – 2; Poloni – 2; Suedi – 2. 

“Dje është dërguar një numër më i vogël pacientësh jashtë shtetit, ndërsa sot kemi oferta nga disa shtete të tjera, kështu që do të shqyrtojmë gjendjen e pacientëve dhe do të vendosim pas konsultimeve profesionale”, tha Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë. 

Në ndërkohë në vend kanë ardhur edhe ekipe mjekësore nga Belgjika, Çekia dhe vende të tjera për t’i ndihmuar vendit i cili lufton për jetën e dhjetëra të rinjve të lënduar nga zjarri.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.