Bullgaria akuzoi Maqedoninë e Veriut për bllokimin e Korridorit 8

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve e Republikës së Bullgarisë njoftoi se prej tre muajsh është në pritje të përgjigjes nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut lidhur me propozimin për nënshkrimin e marrëveshjes ndërqeveritare për ndërtimin e tunelit hekurudhor në kuadër të Korridorit VIII, transmeton Portalb.mk. Sipas ministrisë bullgare, më 15 janar të këtij […]

Prill 17, 2025 - 23:00
 0  7
Bullgaria akuzoi Maqedoninë e Veriut për bllokimin e Korridorit 8
Është vënë në përdorim hekurudha Kumanovë-Beljakovcë, e cila është pjesë e Korridorit 8. Foto: Qeveria e RMV-së

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve e Republikës së Bullgarisë njoftoi se prej tre muajsh është në pritje të përgjigjes nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut lidhur me propozimin për nënshkrimin e marrëveshjes ndërqeveritare për ndërtimin e tunelit hekurudhor në kuadër të Korridorit VIII, transmeton Portalb.mk.

Sipas ministrisë bullgare, më 15 janar të këtij viti është dërguar zyrtarisht një projekt-marrëveshje për ndërtimin e një lidhjeje hekurudhore ndërkufitare përmes tunelit ndërmjet dy vendeve, e cila do të jetë pjesë e infrastrukturës së transportit strategjik- Korridorit VIII.

“Kjo është e vetmja çështje e hapur midis dy vendeve në fushën e transportit hekurudhor. Megjithatë, ajo nuk është vetëm e një rëndësie dypalëshe, por gjithashtu përfaqëson një element kyç në arkitekturën e sigurisë kolektive të NATO-s dhe lidhjes midis vendeve anëtare të BE-së”, thuhet në deklaratë.

Bullgaria, siç thuhet nga ministria, është e gatshme që menjëherë të nënshkruajë marrëveshjen dhe të fillojë me realizimin e projektit, por nga pala maqedonase deri më tani nuk ka asnjë përgjigje. Shtohet se ka kërkesa për takime pa axhendë të caktuar, gjë që sipas Sofjes po e vonon projektin.

“Mosgatishmëria e Shkupit për kumtuar vërejtjet e veta apo për të konfirmuar marrëveshjen në formën e propozuar, rrezikon ndërtimin në kohë të këtij projekti të rëndësishëm infrastrukturor”, thuhet në qëndrimin e Ministrisë bullgare.

Ata gjithashtu theksojnë se Bullgaria do të vazhdojë në mënyrë të pavarur të zhvillojë dhe modernizojë seksionet e Korridorit VIII në territorin e saj, për të cilin deri më tani janë investuar mbi 4 miliardë leva.

“Ne po mobilizojmë vëmendjen e partnerëve tanë në NATO dhe BE për këtë çështje. Është thelbësore që Korridori VIII të jetë një prioritet për të gjithë rajonin,” thonë nga ministria e Transportit dhe Lidhjeve e Republikës së Bullgarisë.

Korridori VIII është një nga korridoret evropiane të transportit që duhet të lidhë Adriatikun me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Ndryshe, një muaj më parë, ministri i Transportit të Maqedonisë, Aleksandar Nikollovski e raportoi Bullgarinë te institucionet dhe bankat evropiane pasi qeveria e atjeshme vendosi të devijojë paratë për lidhjen hekurudhore me Maqedoninë. Ai i ka dërguar një letër delegacionit evropian, por edhe Bankës Evropiane të Investimeve dhe BERZH-it, me të cilat është lidhur një marrëveshje kredie mbi 300 milionë euro për lidhje me fqinjin lindor.

Ndryshe, modernizimi, gjegjësisht rindërtimi i një pjese të hekurudhës bullgare në kuadër të Korridorit 8 ishte pjesë e bisedimeve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë me qëllim të arritjes së marrëveshjes për intensifikimin e punimeve për lidhjen hekurudhore Shkup-Sofje. Kështu deklaroi ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski në shkurt të këtij viti, i cili shtoi se krahas kësaj pike, kolegët bullgarë kanë biseduar edhe për ndërtimin e tunelit të përbashkët që duhet të lidhë dy vendet, si dhe për obligimin që duhet të marrë Sofja për ndërtimin e hekurudhës nga Gjuesheva deri në kufirin me shtetin, gjatësia e së cilës do të jetë rreth katër kilometra.