BE përshëndet zgjedhjet lokale në Kosovë, pret transferim të rregullt të pushtetit
Bashkimi Evropian ka vlerësuar pozitivisht zhvillimin e rregullt dhe të qetë të procesit zgjedhor në Kosovë dhe ka shprehur kënaqësi për faktin se në raundin e parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor pati pjesëmarrje nga të gjitha komunitetet. “Për ato komuna ku kryetarët janë zgjedhur në rundin e parë, ne bëjmë thirrje për një


Bashkimi Evropian ka vlerësuar pozitivisht zhvillimin e rregullt dhe të qetë të procesit zgjedhor në Kosovë dhe ka shprehur kënaqësi për faktin se në raundin e parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor pati pjesëmarrje nga të gjitha komunitetet.
“Për ato komuna ku kryetarët janë zgjedhur në rundin e parë, ne bëjmë thirrje për një certifikim të shpejtë dhe zbatim të rezultateve të zgjedhjeve përmes një tranzicioni të rregullt të pushtetit lokal”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper.
“Për komunat e tjera, ku do të zhvillohet rundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komune, bëjmë thirrje për një proces po aq paqësor, konkurrues dhe gjithëpërfshirës më 9 nëntor”, shtoi ajo.
Nga BE-ja bëjnë të ditur se aktualisht në Kosovë gjendet misioni i tyre i ekspertëve, me ftesë të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit. Ky ekip po monitoron procesin zgjedhor dhe në përfundim do të paraqesë vlerësimin e të gjithë procesit.
“Raporti i Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EOM) në Kosovë, i majit 2025, theksoi disa raste të ndërhyrjeve gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në shkurt të vitit 2025. Ne presim që të gjitha palët të përmbahen nga veprime të tilla gjatë periudhës zgjedhore”, theksoi Hipper.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë akuzuar Serbinë për ndërhyrje në procesin zgjedhor në Kosovë, duke “blerë” komunitetin serb që të votojë për Listën Serbe, dhe kanë kërkuar reagim nga Bashkimi Evropian.
Beogradi zyrtar i ka hedhur poshtë këto akuza.
BE-ja nuk ka ofruar një përgjigje të qartë në pyetjen e Radios Evropa e Lirë lidhur me atë nëse ka informacione për ndërhyrje të Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë.
Megjithatë, misioni vëzhgues i BE-së për zgjedhjet parlamentare të shkurtit kishte evidentuar se mediat shtetërore ruse RT Balkan dhe Sputnik Srbija – të financuara nga Kremlini – kishin publikuar dhjetëra materiale për zgjedhjet në Kosovë gjatë fushatës zgjedhore, me “përmbajtje manipuluese” të drejtuara ndaj komunitetit serb.
Në zgjedhjet e 12 tetorit kanë votuar 39.58 për qind e mbi dy milionë qytetarëve me të drejtë vote.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet lokale të së dielës, në 21 komuna është zgjedhur kryetari në raundin e parë, ndërsa në 17 komuna të tjera, përfshirë Prishtinën, do të zhvillohet edhe raundi i dytë.
Përvoja e mëparshme ka treguar se fitorja në raundin e parë nuk garanton fitoren përfundimtare edhe në raundin e dytë në rastet kur ka balotazh.
Nga komunat me shumicë serbe, vetëm në Kllokot do të ketë rund të dytë, ndërsa në nëntë të tjerat ka fituar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.
