BE rivendos kontaktet politike me Sirinë
Bashkimi Evropian po përgatitet të rrisë ndjeshëm angazhimin e tij me Sirinë, duke rivendosur kontaktet formale politike dhe duke hedhur bazat për një bashkëpunim më të gjerë ekonomik dhe të sigurisë, shkruajnë mediat e huaja. Dokumenti i hartuar nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm dhe i shpërndarë shteteve anëtare, parashikon rikthimin e plotë të […]
Bashkimi Evropian po përgatitet të rrisë ndjeshëm angazhimin e tij me Sirinë, duke rivendosur kontaktet formale politike dhe duke hedhur bazat për një bashkëpunim më të gjerë ekonomik dhe të sigurisë, shkruajnë mediat e huaja.
Dokumenti i hartuar nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm dhe i shpërndarë shteteve anëtare, parashikon rikthimin e plotë të marrëveshjes së bashkëpunimit BE–Siri të vitit 1978 dhe nisjen e një Dialogu të Nivelit të Lartë me autoritetet kalimtare siriane më 11 maj.
Në një ndryshim të dukshëm të politikave të mëparshme, BE planifikon gjithashtu të “ripërcaktojë dhe përshtatë” regjimin e sanksioneve ndaj Sirisë, me synim ruajtjen e ndikimit politik ndërkohë që mbështet tranzicionin dhe synon individët që mund ta minojnë atë proces.
Gjithashtu, sipas dokumentit, BE synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik përmes një kuadri të ri për tregtinë dhe investimet, mobilizimit të kapitalit privat dhe krijimit të një qendre ndihme teknike për përmirësimin e klimës së biznesit.
Po ashtu, Brukseli shprehet i gatshëm të bashkëpunojë për kthimin “të sigurt, vullnetar dhe dinjitoz” të refugjatëve sirianë, në një kohë kur Evropa strehon mbi një milion sirianë, gjysma e tyre në Gjermani.
Në fushën e sigurisë, BE përmend mundësinë e trajnimit të policisë siriane, forcimit të institucioneve të brendshme dhe bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit, trafikut të drogës dhe krimit të organizuar.
Dokumenti gjithashtu mbështet zbatimin e një marrëveshjeje të janarit midis Damaskut dhe autoriteteve kurde në verilindje të Sirisë, e cila synon integrimin institucional dhe zgjerimin e të drejtave të kurdëve në kuadër të tranzicionit politik në vend.