Enver Hoxhaj në Katar: Diplomacia sot kërkon qasje të re
Në Forumin Global të Sigurisë që po mbahet në Katar, me pjesëmarrjen e liderëve botërorë, diplomatëve e ekspertëve të sigurisë, ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ishte pjesë e panelit me temën “Dialogu Global mbi Ndërmjetësimin në Konflikt: Rrugët drejt Paqes dhe Diplomacisë”. Në fjalën e tij, Hoxhaj theksoi se diplomacia dhe ndërmjetësimi sot


Në Forumin Global të Sigurisë që po mbahet në Katar, me pjesëmarrjen e liderëve botërorë, diplomatëve e ekspertëve të sigurisë, ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ishte pjesë e panelit me temën “Dialogu Global mbi Ndërmjetësimin në Konflikt: Rrugët drejt Paqes dhe Diplomacisë”.
Në fjalën e tij, Hoxhaj theksoi se diplomacia dhe ndërmjetësimi sot përballen me sfida të reja, në një botë ku politika e forcës dhe gjeopolitika po zëvendësojnë normat ndërkombëtare dhe vlerat universale.
“Bota nuk mund të shihet më me filtrat e vjetër. Marrëveshjet janë vetëm hapi i parë – zbatimi është ura drejt paqes së qëndrueshme. Pa vullnet dhe ndërgjegjje politike nuk ndodh asgjë”, theksoi ai.
Duke ndarë përvojën e tij nga negociatat për statusin e Kosovës dhe ndërtimin e institucioneve pas pavarësisë, Hoxhaj tha se Kosova është një model i shtetndërtimit të suksesshëm që mund të shërbejë për vende të tjera që përballen me konflikte apo tranzicion të brishtë politik.
“Diplomacia dhe ndërmjetësimi kanë pësuar një ndryshim marramendës. Bota ka hyrë në një epokë të re, ku në vend të së drejtës ndërkombëtare, normave dhe vlerave, është rikthyer politika e forcës dhe gjeopolitika e fuqisë, për të cilën besonim se i përkiste vetëm historisë. Rivaliteti dhe përplasja mes fuqive të mëdha dhe shteteve udhëheqëse është bërë një trend i zakonshëm i politikës ndërkombëtare, së bashku me luftërat, krimet kundër njerëzimit në disa pjesë të botës dhe frikën për të ardhmen kudo. Prandaj, diplomacia, ndërmjetësimi, parandalimi i luftës dhe zgjidhja e konflikteve janë më të rëndësishme se kurrë më parë. Por, na duhet një mënyrë e re të menduari, si dhe qasje e strategji të reja për të arritur qëllime drejt paqes, përmes diplomacisë.”, ka thënë Hoxhaj.
“Meqë kam marrë pjesë në procesin e negociatave për pavarësinë e Kosovës, të udhëhequr nga OKB-ja, dua të përmend disa çështje që janë të rëndësishme për kontekstin e ri gjeopolitik dhe për diplomacinë e sotme. Nuk guxojmë ta shohim botën me filtrat dhe perspektivën e vjetër, sepse ajo botë nuk ekziston më! Na duhet më shumë vullnet politik dhe ndërgjegjje ndërkombëtare, sepse pa vullnet dhe ndërgjegjje politike nuk ndodh asgjë! Duke besuar në rezultatet konkrete që sjell diplomacia dhe duke pranuar se ndërmjetësimi funksionon ngadalë, është i lodhshëm, por i mundshëm, duhet mbi të gjitha të ofrojmë zgjidhje që janë të drejta për popujt në situata konkrete. Nuk duhet që ajo çfarë është e drejtë të zëvendësohet vetëm me atë që është e mundshme në sistemin ndërkombëtar! Përmbushja e idealeve për popujt e shtypur nuk është vetëm një iluzion, por është një domosdoshmëri që lidhet me ekzistencën e tyre!
Arritja e marrëveshjeve është një gjë – hapi i parë i rëndësishëm – por zbatimi i tyre është një dimension krejt tjetër. Vetëm zbatimi është ura që lidh vizionin për një zgjidhje paqësore me krijimin e një realiteti të ri. Në një kohë kur bota po përballet me dështimin e shteteve, kolapsin e institucioneve dhe përmbysjet shoqërore, Kosova është një shembull i suksesshëm i shtetndërtimit dhe i zbatimit të një plani ndërkombëtar, siç ishte Pakoja e Ahtisaarit e vitit 2007. Që nga dita e shpalljes së pavarësisë, duke qenë për shumë vite dhe disa mandate ministër në Qeverinë e Kosovës, kam parë në praktikë se si duket ndërtimi i një shteti nga themelet, duke qenë, bashkë me shumë të tjerë, pjesëmarrës në procesin e shtetformimit dhe shtetndërtimit të Kosovës nga viti 2008 deri më 2019.
Si ndërtohet një shtet nga themelet dhe si ndërtohen institucionet e tij është çështja më e rëndësishme për një shoqëri! Por, përveç ndërtimit të institucioneve dhe të shtetit – që mund të marrë më shumë se një dekadë – ndërtimi i shoqërisë është një çështje më komplekse, që merr disa dekada, por që është absolutisht i domosdoshëm! Mendoj se përvoja e Kosovës në negociata dhe në procesin e shtetndërtimit mund të jetë një përvojë që u shërben shumë vendeve që jetojnë në gjeografi më të pasigurta dhe në kultura politike më sfiduese sesa në Evropë!”.