Besa i ndau rrugët me Besën: Partia njoftoi për këtë pasi nuk i pëlqeu reagimi i Kadriut ndaj Mickoskit

Besa Kadriu nuk është më nënkryetare e Lëvizjes Besa, ajo ka dhënë dorëheqje nga organet e partisë qysh vitin e kaluar, por kjo u bë publike nga kjo parti para dy ditëve, kur u distancuan nga reagimi i Kadriut ndaj qëndrimeve të kryeministrit Hristijan Mickoski për tragjedinë në Koçan. Kadriu thotë se dorëheqjen e ka […]

Mars 19, 2025 - 14:01
 0  3
Besa i ndau rrugët me Besën: Partia njoftoi për këtë pasi nuk i pëlqeu reagimi i Kadriut ndaj Mickoskit
Foto: Besa Kadriu (faqja zyrtare në Facebook)

Besa Kadriu nuk është më nënkryetare e Lëvizjes Besa, ajo ka dhënë dorëheqje nga organet e partisë qysh vitin e kaluar, por kjo u bë publike nga kjo parti para dy ditëve, kur u distancuan nga reagimi i Kadriut ndaj qëndrimeve të kryeministrit Hristijan Mickoski për tragjedinë në Koçan. Kadriu thotë se dorëheqjen e ka dhënë sepse në parti vendimet nuk janë marrë në formë transparente, shkruan Portalb.mk. 

Kadriu mbrëmjen e së hënës shkroi se qëndrimet e fundit të kryeministrit Mickoski në lidhje me rastet e Koçanit kanë treguar qartë mungesën e një qasjeje shtetërore dhe strategjike, duke e cilësuar qeverisje me standarde të dyfishta dhe ikje nga përgjegjësia. 

“Në vend që të adresojë përgjegjësinë e qeverisë aktuale për dështimet institucionale dhe lëshimin e licencave në mënyrë të papërgjegjshme, ai vazhdon të zhvendosë fokusin te e kaluara. Nuk ka dyshim që ata që kanë dhënë licenca duhet të mbajnë përgjegjësi, por a nuk është po aq e rëndësishme të flitet për përgjegjësinë e sotme”, tha Kadriu. 

Ajo shtoi se gjuha publike e përdorur nga kryeministri është në nivel të ulët, me një ton të qartë nacionalist në sfond. 

 “Kjo qasje jo vetëm që nuk sjell zgjidhje, por thellon përçarjet dhe largon institucionet nga funksioni i tyre real. Ajo që është vërejtur që në fillim të kësaj qeverisjeje është një prerje e qartë e qasjes në institucionet kyçe për shqiptarët. Ky devijim i politikës dhe mungesa e drejtësisë nuk mund të çojnë askund tjetër veçse në destabilizim dhe ikje nga përgjegjësia.”, tha Kadriu. 

Menjëherë reaguan nga partia Lëvizja Besa duke thënë se Besa Kadriu nuk është nënkryetare e partisë dhe se qëndrimet e saj nuk i shfaqin ato të partisë. 

“Besa Kadriu nuk është nënkryetare e partisë dhe në shkrimet e saj të fundit, nuk i shfaq qëndrimet partiake, por qëndrimet e saja personale. Znj. Kadriu ka dhënë dorëheqje nga të gjitha organet e partisë së Lëvizjes BESA në seancën e mbajtur të Kuvendit Qendror të partisë më datë 01.06.2024. Ndryshe Lëvizja BESA mbështet fuqishëm çdo përpjekje të organeve të shtetit, për të zbardhur çdo detaj lidhur me ngjarjen tragjike në Koçan dhe në veçanti inkurajon organet e Drejtësisë që të jenë sa më efikas në punën e tyre”, thanë nga Lëvizja Besa. 

Kadriu ka sqaruar se ka dhënë dorëheqje që para formimit të Qeverisë.

“Moti kohë kam dhënë dorëheqjen time”, tha ajo për Portalb.mk.

Kadriu ka sqaruar se vendimet që janë marrë në parti nuk kanë qenë transparente, si dhe ajo nuk ka qenë e përfshirë dhe kanë qenë të sjella nga jashtë. 

Qëndrimet e Kadriut ndaj Mickoskit kanë bërë që ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë Fatmir Limani të hedh akuza ndaj saj madje të publikojë edhe biseda private. Të cilave më pas iu është përgjigjur Kadriu. 

Përndryshe, Kadriu vazhdon të jetë këshilltare në Këshillin e Komunës së Tetovës.