Për dy ditë, mbi 500 persona dhuruan gjak në Bullgari për të plagosurit nga Koçani

Për të tretën ditë në Sofje po zhvillohen aksionet e dhurimit të gjakut për nevojat e të lënduarve nga tragjedia e tmerrshme që ndodhi në Koçan. Mbi 500 qytetarë bullgarë kanë dhuruar gjak, njoftojnë mediat bullgare dhe Kryqi i Kuq bullgar, transmeton Portalb.mk. Gjaku dhurohet në Spitalin Universitar për trajtim aktiv dhe mjekësi urgjente “Pirogov”, […]

Mars 19, 2025 - 14:01
 0  4
Për dy ditë, mbi 500 persona dhuruan gjak në Bullgari për të plagosurit nga Koçani
Dhurim i gjakut/dhurim gjaku. Foto: Nguyễn Hiệp/Unsplash

Për të tretën ditë në Sofje po zhvillohen aksionet e dhurimit të gjakut për nevojat e të lënduarve nga tragjedia e tmerrshme që ndodhi në Koçan. Mbi 500 qytetarë bullgarë kanë dhuruar gjak, njoftojnë mediat bullgare dhe Kryqi i Kuq bullgar, transmeton Portalb.mk.

Gjaku dhurohet në Spitalin Universitar për trajtim aktiv dhe mjekësi urgjente “Pirogov”, Akademinë Mjekësore Ushtarake (MMA) dhe Qendrën Kombëtare për Hematologji Transfuzioni në Sofje.

Në parkingun e spitalit “Pirogov” është ngritur tendë, e cila drejton qytetarët e interesuar humanë që duan të dhurojnë gjak. Tenda do të instalohet deri në fund të javës.

Të martën dhuruan gjak 381 persona, ndërsa të hënën mbi 120 njerëz në vetëm tre orë. Aktiviteti i dhurimit të gjakut do të vazhdojë deri në fund të javës. Në Bullgari aktualisht po trajtohen 15 pacientë nga Maqedonia.

Në “Pirogov” po trajtohen nëntë pacientë.

Drejtori i spitalit, Valentin Dimitrov, tha se i ka vizituar pacientët dhe ka takuar familjarët e tyre. Pacientja e nëntë është në fakt motra e një prej pacientëve. Bëhet fjalë për një vajzë 15-vjeçare me prerje të rënda në parakrah.

“U shpreh mirënjohjen time të gjithë qytetarëve dashamirës që u përgjigjën në Pirogov këto dy ditë dhe iu përgjigjën ftesës për dhurim gjaku. Unë vetëm mund të përulem dhe falënderoj këta njerëz dhe kam besim në të ardhmen”, tha Dimitrov.

MPB-ja e Maqedonisë njoftoi se tashmë janë identifikuar të gjithë viktimat e zjarrit në diskotekë. Numri i përgjithshëm i të plagosurve është 196 persona, nga të cilët 20 janë fëmijë.

Aksione për dhurimin e gjakut për viktimat e zjarrit në Koçan organizohen edhe në Tërnova e Madhe në partneritet me Kryqin e Kuq Bullgar, si dhe banorët e Blagoevgradit dhe rajonit.

Bullgaria ishte ndër fqinjët e parë që menjëherë pas tragjedisë së tmerrshme dhe numrit të të vdekurve dhe të plagosurve, ofroi ambientet e tyre spitalore si dhe mjetet e forcave ajrore bullgare për transportin e pacientëve.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.