Besnik Bislimaj dhe Rrustem Thaqi, kandidatë për pozitën e kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Besnik Bislimaj dhe Rrustem Thaqi janë kandidatë për pozitën e kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK). Kështu ka konfirmuar KGJK-ja në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi“, ku bëhet e ditur se mbledhja e Këshillit do të mbahet më 2 prill. “Bazuar në kërkesën tuaj, ja përgjigja si në vijim: Kandidatët të cilët kanë aplikuar

Mars 31, 2026 - 13:00
Besnik Bislimaj dhe Rrustem Thaqi, kandidatë për pozitën e kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës
besnik-bislimaj-dhe-rrustem-thaqi,-kandidate-per-poziten-e-kryesuesit-te-keshillit-gjyqesor-te-kosoves

besnik-bislimaj-dhe-rrustem-thaqi,-kandidate-per-poziten-e-kryesuesit-te-keshillit-gjyqesor-te-kosoves

Besnik Bislimaj dhe Rrustem Thaqi janë kandidatë për pozitën e kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK). Kështu ka konfirmuar KGJK-ja në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi“, ku bëhet e ditur se mbledhja e Këshillit do të mbahet më 2 prill.

“Bazuar në kërkesën tuaj, ja përgjigja si në vijim: Kandidatët të cilët kanë aplikuar për pozitën e Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) janë: Besnik Bislimaj dhe Rrustem Thaqi. E vlerësojmë bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj. Ju njoftojmë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) do të mbajë mbledhjen e 365-të më datë 2 prill 2026 (e enjte), duke filluar nga ora 10:00, në sallën e takimeve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Këshillit.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) më 12 mars shpalli konkurs për kryesues të ri, i cili ishte i hapur deri më 26 mars 2026. Dy gjyqtarët që po kandidojnë për pozitën e të parit të Këshillit Gjyqësor janë anëtarë të këtij institucioni.  Thaqi është gjyqtar në Gjykatën Supreme, kurse Bislimaj gjyqtar në Gjykatën e Apelit. Mandatin e kryesuesit i fundit e ka mbajtur gjykatësi nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, Albert Zogaj. Mandati i tij përfundoi më 9 mars 2026.

Biografia e kandidatit Bislimaj, e publikuar në ueb-faqen e Këshillit Gjyqësor:

“Besnik Bislimaj është anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, i zgjedhur nga Gjykata e Apelit. Pas përfundimit të studimeve universitare në Fakultetin Juridik, pranë Universitetit të Prishtinës, ai ka ndjekur studimet master në drejtimin Juridiko-Penal, në të njëjtin Universitet. Përvoja së tij e punës përfshin emërime në detyra të ndryshme, si: praktikantë në Gjykatën Komunale në Prizren, referent, bashkëpunëtor profesional, po në të njëjtën gjykatë, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Gjakovë – Dega Rahovec, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm-Divizioni Civil dhe gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Kosovës, Departamenti i Përgjithshëm-Divizioni Civil. Mandati i tij në detyrën e anëtarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës është mandat pesëvjeçar, i vlefshëm nga janari 2025, deri në janar 2030“.

Biografia e kandidatit Thaqi, e publikuar në ueb-faqen e Këshillit Gjyqësor:

“Rrustem Thaqi është gjyqtar i Gjykatës Supreme nga marsi i vitit 2022. Gjyqtari Thaqi ka diplomuar në vitin 2003 në Fakultetin Juridik, Universiteti i Prishtinës, ndërsa studimet postdiplomike i kreu ne vitin 2015 po në të njejtin universitet, drejtimi-civil. Ai kreu provimin e jurisprudencës në vitin 2005 ndërsa praktiken profesionale e mbajti në Gjykatën Komunale në Pejë, në vitin 2005. Gjyqtari Thaqi ka punuar si avokat në periudhën prej 2006 e deri në vitin 2010. Thaqi si gjyqtar në Gjykatën Komunale në Pejë është emëruar ne vitin 2010 ku dhe punoi deri më 2012. Nga 1 janari i vitit 2013 u emëru gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Pejë, ndërsa me 16 qershor 2017, u emërua gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Kosovës deri më 28 shkurt 2022, kur u avancua në Gjykatë Supreme. Paralelisht me angazhimin gjyqësor ka mbajtur dhe mban disa funksione të rëndësishme profesionale dhe institucionale, ndër të cilat veçohen: Anëtar i Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, nga data 15.12.2023 – në vazhdim. Trajnues për programin fillestar dhe atë të vazhdueshëm në Akademinë e Drejtësisë, nga data 27.12.2023 – në vazhdim. Kryetar i Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, nga data 10.07.2024 – në vazhdim. Anëtar i Komisionit për Vlerësimin e Performancës në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, nga data 30.04.2024 – vazhdim. Anëtar i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, në periudhën 2018–2022. Gjatë viteve të angazhimit si gjyqtar i Gjykatës Supreme, ka marrë pjesë në konferenca dhe punëtori të shumta profesionale, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, si dhe ka dhënë kontribut të drejtpërdrejtë si hartues dhe bashkëhartues në një numër të konsiderueshëm botimesh të Akademisë së Drejtësisë“. /BetimipërDrejtësi