Çmimet në qiell, rrogat nën tokë: Qytetarët e Tetovës të ndarë në mendime për bojkotin, ca e përkrahin ca thonë se nuk do të ketë efekt
Supermarketet paraditen e sotme në Tetovë ishin thuaj se bosh, qytetarët janë duke i qëndruar besnik bojkotit ndaj çmimeve të larta. Megjithatë nëpër supermarkete takuam disa qytetarë të cilët blinin produkte bazë. Qytetarët edhe pse përkrahin bojkotin thonë se duhet të organizohet më mirë, ndërsa shteti të merr masa më të rrepta. Disa të tjerë […]
Supermarketet paraditen e sotme në Tetovë ishin thuaj se bosh, qytetarët janë duke i qëndruar besnik bojkotit ndaj çmimeve të larta. Megjithatë nëpër supermarkete takuam disa qytetarë të cilët blinin produkte bazë. Qytetarët edhe pse përkrahin bojkotin thonë se duhet të organizohet më mirë, ndërsa shteti të merr masa më të rrepta. Disa të tjerë thonë se bojkoti nuk do të jep efekte, shkruan Portalb.mk.
E gjithë Maqedonia e Veriut sot është ngritur në bojkot ndaj marketeve për shkak të çmimeve të larta të produkteve ushqimore.
Potalb.mk vizitoi pesë nga pikat e rrjeteve të supermarketeve të mëdha në Tetovë.
Kështu ishte gjendja në terren:
Në njërin nga supermarket pamë vetëm dy qytetarë vendas të cilët blinin bukë, si dhe një grup prej rreth pesë qytetarësh të cilët ishin nga ndonjë vend i Lindjes.
Në një tjetër supermarket pak metra më larg pamë vetëm dy qytetarë vendas dhe dy punonjësit e marketit.
Situata ishte pak më ndryshe në një supermarket tjetër më të madh, aty kishte më shumë njerëz, shportat e të cilëve ishin me pak produkte.
Në një supermarket tjetër afër qendrës pamë vetëm dy qytetarë dhe punonjësit.
Ndërkaq në një supermarket tjetër takuam vetëm pesë nxënëse apo studente.
Qytetarët me të cilët biseduam u shprehën të ndarë në mendime, disa thonë se bojkoti duhet të vazhdojë, disa të tjerë thonë se nuk do të jep efekte.
“Normal se duhet bojkot, çmimet janë në qiell kurse rrogat nën tokë. Duhet shteti dhe vetë shitësit të marrin masa sepse na rrjepën xhepat”, tha një qytetar.
“Mirë që ka bojkot, por nuk e kuptoj qeverinë e cila sillet si organizatë joqeveritare, le të marrin masa”, tha një qytetar.
“Çmimet janë të tepruara, duhet organizim më i madh jo vetëm bojkot”, tha një qytetare.
“Vijnë njerëz, mirë është të mbahet bojkoti, duhet organizim më i madh, të paktën një javë komplet bojkot, në shtetet e jashtme sa mirë janë të organizuar”, na tha një shitëse në një supermarket.
“Nuk mendoj se do të jep ndonjë efekt, nuk besoj”, tha një qytetar tjetër.
Dje, një ditë para bojkotit disa supermarkete janë përpjekur që të ulin çmimet e disa prej produkteve.
Bojkoti ka marrë mbështetje të madhe në opinion, përveç opozitës edhe partitë e pushtetit dhe institucionet kanë dalë në përkrahje të bojkotit.
Institucionet kompetente nga ana tjetër kanë paralajmëruar kontrolle rigoroze në markete dhe objektet tregtare.
Kujtojmë se nga dhjetori i vitit të kaluar deri në janar të këtij viti, vlera e shportës minimale sindikale shënoi rritje prej 391 denarë. Vlera e saj për muajin aktual është 63.252 denarë.
Enti Shtetëror i Statistikave ka bërë të ditur të ditur se inflacioni në dhjetor të vitit të kaluar ishte 4.4 përqind më i lartë se e njëjta periudhë e vitit 2023 dhe se kërcimi më i madh ishte tek ushqimet.
Bojkoti në Maqedoninë e Veriut erdhi si rezultat i bojkotit në Kroaci, Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal i Zi dhe Slloveni.