Janevska: Vërejtjet i marrim shumë seriozisht, draft koncepti për shkollat e mesme mund të pësojë ndryshime
Sot është afati i fundit për dërgimin e komenteve për draft-konceptin për reforma në arsimin e mesëm në adresën elektronike: [email protected], pasi është publikuar në faqen e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit (BZhA). Pas reagimeve nga katedrat dhe institutet, kryesisht nga Fakulteti Filozofik i UKM, se koncepti zvogëlon përmbajtjen e disa lëndëve të shkencave shoqërore, […]
Sot është afati i fundit për dërgimin e komenteve për draft-konceptin për reforma në arsimin e mesëm në adresën elektronike: [email protected], pasi është publikuar në faqen e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit (BZhA). Pas reagimeve nga katedrat dhe institutet, kryesisht nga Fakulteti Filozofik i UKM, se koncepti zvogëlon përmbajtjen e disa lëndëve të shkencave shoqërore, ministrja Vesna Janevska tha sot se i marrin shumë seriozisht të gjitha deklaratat e bëra nga të gjitha fakultetet dhe se afati për sugjerime mund të vazhdohet. Krahas diskutimit online të deritanishëm, tha ajo, do të vazhdojnë në terren për të bërë draft tekstin më të mirë të konceptit, duke theksuar se versioni aktual mund të modifikohet, transmeton Portalb.mk.
“Sigurisht që mund (afati) të vazhdohet, sigurisht që ne i marrim shumë seriozisht të gjitha deklaratat e bëra nga të gjitha fakultetet, megjithëse bëhet fjalë kryesisht për Fakultetin Filozofik. E kam thënë tashmë një herë se ky është një projekt-koncept dhe mund të pësojë ndryshime. Ne vazhdojmë edhe më tutje, deri më tani kjo ka qenë përmes rrugës elektronike, digjitale, do të shkojmë pak më tutje në terren dhe sigurisht do të vazhdojmë të punojmë në përmirësimin e saj”, tha Janevska.
Ajo po ashtu theksoi se është shumë e kënaqur që, siç tha, “ndryshe nga një pjesë e publikut profesionist, tashmë po marrim mbështetje të fortë nga të rinjtë”.
“Mund të tingëllojë kontradiktore, por me të vërtetë jam shumë e kënaqur që koncepti i ri ka shkaktuar diskutime, biseda dhe propozime kaq të nxehta”, shtoi Janevska.
Reformat nisën për shkak se arsimi i mesëm, siç bën me dije Ministria e Arsimit, “për më shumë se dy dekada nuk i është nënshtruar reformave thelbësore, gjë që e ka sjellë atë në një gjendje të pamjaftueshme përputhshmërie me nevojat moderne dhe standardet ndërkombëtare”.
Më 16 janar të këtij viti, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), Byroja për Zhvillimin e Arsimit njoftoi se është përgatitur draft koncepti për reformat në arsimin e mesëm. Ata ftuan mësuesit, nxënësit, prindërit, ekspertët dhe të gjithë të interesuarit që të japin mendimet, sugjerimet dhe vërejtjet e tyre, duke u angazhuar kështu në një diskutim publik për miratimin e versionit më të mirë të këtij draft koncepti.
Koncepti është i disponueshëm në faqen zyrtare të Byrosë për zhvillim të arsimit, ndërsa komentet mund të dërgohen më së voni deri më 31 janar në adresën elektronike: [email protected].