Çmimi i energjisë elektrike për amvisëritë në RMV nga viti i ardhshëm do të rritet deri në një përqind
Kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimoski, nga 1 janari i vitit të ardhshëm nuk pret që çmimi mesatar i energjisë elektrike për amvisëritë të rritet për më shumë se një përqind, transmeton Portalb.mk. Ky vlerësim bazohet në çmimet e vendosura nga KRRE për tarifën e rrjetit, transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, si […]
Kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimoski, nga 1 janari i vitit të ardhshëm nuk pret që çmimi mesatar i energjisë elektrike për amvisëritë të rritet për më shumë se një përqind, transmeton Portalb.mk.
Ky vlerësim bazohet në çmimet e vendosura nga KRRE për tarifën e rrjetit, transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, si dhe në bazë të çmimit të ofruar nga EMV për furnizuesin universal EVN Home, i cili është 62 euro për megavat orë.
Sa do të jetë rritja e saktë e çmimit të energjisë elektrike, si dhe çmimi për blloqe individuale të konsumatorëve, do të dihet këto ditë pasi llogaritjet do të bëhen nga EVN Home, e cila si furnizues universal është përgjegjës për të dhe më pas çmimet do t’i dorëzohen KRRE-së për kontroll dhe për miratim përfundimtar. Çmimet do t’i referohen tregut të rregulluar të energjisë elektrike përmes të cilit furnizohen amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël.
“Duke pasur parasysh se tashmë e dimë çmimin e raportuar nga EMV-së në tenderin e furnizuesit universal, i cili është 62 euro për megavat orë, nuk pres që rritja e energjisë elektrike në çmimin mesatar për amvisëritë të jetë më e madhe se një përqind“, tha Bislimoski në konferencën e sotme për media, duke shtuar:
“Pjesa që është më e rëndësishme dhe vlen për amvisëritë dhe për shumicën e konsumatorëve të vegjël, gjegjësisht tarifa e rrjetit, përfshirë transmetimin dhe distribucionin, aty kemi një ulje prej shtatë përqind”.
Lidhur me tarifën e lirë ditore, Bislimoski sqaroi se analizat kanë treguar se çmimi i energjisë elektrike në bursën më të madhe në rajon, si dhe në bursën tonë, është më i ulëti nga ora 12:00 deri në 16:00 dhe më i larti nga ora 20:00 deri në 24:00.
“Duke pasur parasysh se familjet tona tashmë kanë fituar shprehi sa i përket tarifës së lirë, vendosëm ta lëmë situatën ashtu siç është deri në pranverë, dhe më pas në bazë të situatës në SHA EMV do të marrim vendime të mëtejshme. Ndryshe, Maqedonia për sa i përket tarifës së lirë ditore është i vetmi vend në rajon që ka tarifë të lirë gjatë ditës”, tha Bislimoski.
Kujtojmë se sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, në gjysmëvjetorin e parë të vitit 2024, çmimi mesatar i energjisë elektrike për amvisëri në Republikën e Maqedonisë së Veriut është 6.625 denarë për KWh, që paraqet rënie për 9.1 % krahasuar megjysmëvjetorin e dytë të vitit 2023.