Një rrahje ka ndodhur brenda mureve të Burgut të Sigurisë së Lartë, ku dy të dënuar janë përfshirë në një përleshje më 7 nëntor 2026.

Sinjali mëson nga burimet e veta se në këtë incident dyshohet se është përfshirë i burgosuri Dibran Hoxha, i njohur me nofkën “Cobra”, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj të dënuarit në këtë rast, Andi Pajaziti, i njohur si “Italiani”.

Ngjarjen e ka konfirmuar edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës, i cili në një përgjigje për Sinjalin ka bërë të ditur se incidenti ka ndodhur mes dy të dënuarve dhe se pas tij të dy janë trajtuar nga stafi shëndetësor i burgut.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës konfirmon se më 07.11.2026, në Burgun e Sigurisë së Lartë, ka ndodhur një incident në mes të dy të dënuarve. Pas incidentit, të dy të dënuarit janë trajtuar nga stafi shëndetësor i burgut, në përputhje me procedurat standarde që zbatohen në raste të tilla. Ndaj të dënuarve janë ndërmarrë masa disiplinore, ndërsa rasti është duke u hetuar edhe nga Policia e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Shërbimit Korrektues.

Ndërkohë, Andi Pajaziti ishte i akuzuar për vrasjen e Kastriot Ramadanit në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë. Megjithatë, gjykatësi Eroll Gashi ka konstatuar se Pajaziti kishte vepruar në kuadër të mbrojtjes së nevojshme dhe e ka liruar nga akuza për vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore. Kurse, më 2025 u shpall fajtor për armëmbajtje pa leje dhe u dënua me dy vjet burgim.

Në anën tjetër, Dibran Hoxhaj, i njohur si “Cobra”, është dënuar me 24 vjet burgim për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në lokalin “Kobra City” në Prizren, më 3 janar 2023.

Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Hoxhajn me 23 vjet burgim për vrasje të rëndë dhe dy vjet për armëmbajtje pa leje, duke i shqiptuar dënim unik prej 24 vjetësh. Në të njëjtin rast, Roland Susuri u dënua me shtatë vjet burgim, Jesmir Badalli me dy vjet, ndërsa Arben Vezaj dhe Burim Mazreku me nga një vit burgim.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.