Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arritur në Dublin të Irlandës, ku është pritur nga kryeministri irlandez, Micheál Martin.

Kurti ndodhet në Irlandë në kuadër të takimit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ku liderët evropianë do të diskutojnë për zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë në Evropë.

Me këtë rast, Kurti ka falënderuar popullin irlandez për strehimin e më shumë se një mijë refugjatëve shqiptarë të Kosovës në vitin 1999, kur ata u dëbuan nga vendi i tyre si pasojë e gjenocidit të forcave të armatosura të Serbisë së Millosheviqit dhe Jugosllavisë.

Ai ka shprehur mirënjohje edhe për ushtarët dhe oficerët irlandezë që kanë shërbyer në kuadër të KFOR-it për më shumë se dy dekada e gjysmë, duke kontribuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë.

Gjatë deklarimit për media, Kurti ka theksuar se Kosova synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke shprehur pritshmëritë që Irlanda të ndihmojë në avancimin e këtij procesi gjatë presidencës së saj.

“Irlanda është rrëfim i shkëlqyeshëm suksesi i integrimit Evropian dhe anëtarësimit. Republika e Kosovës gjithashtu dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO, por për të arritur aty së pari duhet të marrim statusin e vendit kandidat dhe të hapim negociatat për anëtarësim. Ne llogarisim në presidencën irlandeze. Dhe, duam të falënderojmë popullin e Irlandës për strehimin e më shumë se një mijë refugjatëve shqiptarë të Kosovës më 1999, kur u dëbuan nga mëmëdheu i tyre për shkak të gjenocidit të forcave të armatosura të Serbisë së Millosheviqit dhe Jugosllavisë. Gjithashtu, dua të falënderoj ushtarët dhe oficerët irlandezë, të cilët kanë shërbyer në KFOR përgjatë këtyre më shumë se dy dekadave e gjysmë, për të siguruar paqe, siguri e mbrojtje për të gjithë qytetarët e vendit tim”, ka thënë Kurti.

Postimi i plotë i Kurtit:

Pritja nga kryeministri i Irlandës Micheál Martin dhe deklarimi im për media në nisje të European Political Community (EPC):

Mirëmëngjesi,

Jam shumë i lumtur të kthehem në Dublin pas tre vjetësh e gjysmë, dua të falënderoj Taoiseach (kryeministrin) Micheál Martin për ftesën dhe mikpritjen.

Irlanda është rrëfim i shkëlqyeshëm suksesi i integrimit Evropian dhe anëtarësimit. Republika e Kosovës gjithashtu dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO, por për të arritur aty së pari duhet të marrim statusin e vendit kandidat dhe të hapim negociatat për anëtarësim. Ne llogarisim në presidencën irlandeze. Dhe, duam të falënderojmë popullin e Irlandës për strehimin e më shumë se një mijë refugjatëve shqiptarë të Kosovës më 1999, kur u dëbuan nga mëmëdheu i tyre për shkak të gjenocidit të forcave të armatosura të Serbisë së Millosheviqit dhe Jugosllavisë.

Gjithashtu, dua të falënderoj ushtarët dhe oficerët irlandezë, të cilët kanë shërbyer në KFOR përgjatë këtyre më shumë se dy dekadave e gjysmë, për të siguruar paqe, siguri e mbrojtje për të gjithë qytetarët e vendit tim.

Bashkimi Evropian dhe NATO janë organizata të domosdoshme për demokraci, prosperitet dhe sigurinë e përgjithshme.

Faleminderit shumë!

…

Është shumë e rëndësishme që liderët të takohen së bashku, të diskutojnë dhe harmonizojnë qëndrimet e tyre në një kohë kur agresioni rus në Ukrainë po vazhdon dhe me luftën kinetike, sulme në infrastrukturën kritike dhe luftën hibride po shkon përtej agresionit në Ukrainë. Kështu që, mendoj se EPC-ja ndihmon, sepse mblidhen liderët dhe bashkojnë forcat!

Faleminderit!

Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.