Deponia moderne rajonale në Pollog pritet të jetë gati në 2027, gjithçka që pritet të ndodhë dhe ndërtohet 

Rajoni i Pollogut pritet që në vitin 2027 të ketë deponi moderne rajonale sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Hapja e tenderit për këtë projekt vazhdimisht është zvarritur, ndërsa e njëjta pritet të publikohet në shtator të këtij viti, pasi Qeveria e RMV-së para pak ditëve e miratoi ndërtimin e kësaj deponie, shkruan Portalb.mk.  Aktualisht është […]

Prill 20, 2025 - 14:00
 0  5
Deponia moderne rajonale në Pollog pritet të jetë gati në 2027, gjithçka që pritet të ndodhë dhe ndërtohet 
Deponia Rusino. Foto: Portalb.mk (arkiv)

Rajoni i Pollogut pritet që në vitin 2027 të ketë deponi moderne rajonale sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Hapja e tenderit për këtë projekt vazhdimisht është zvarritur, ndërsa e njëjta pritet të publikohet në shtator të këtij viti, pasi Qeveria e RMV-së para pak ditëve e miratoi ndërtimin e kësaj deponie, shkruan Portalb.mk. 

Aktualisht është duke u përgatitur dokumentacioni i projektit për projektin, i cili do të jetë bazë për shpalljen e prokurimit publik ndërkombëtar, në përputhje me rregullat e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Siç informuan nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut për Portalb.mk, tenderi pritet të publikohet në shtator 2025. 

Në kuadër të projektit kompleks janë paraparë disa aktivitete në rajonin e Pollogut, ku përfshihet projekti për rehabilitimin dhe ndërtimin e deponisë sanitare në Rusino/Pollog.

“Zbatimi dhe ndërtimi i një deponie sanitare dhe mbyllja e deponisë së vjetër, nëpërmjet përmirësimit të vendndodhjes ekzistuese të deponisë konstante të Rusinos, do të vendoset në përputhje me Direktivën Kuadër të Mbetjeve të BE-së, Direktivën e Deponive dhe konkluzionet e Teknologjisë më të Mirë të Disponueshme (BAT) për trajtimin e mbeturinave”, thanë nga Qeveria. 

Rehabilitimi i deponisë ekzistuese do të kryhet në të njëjtën fushë, ndërsa deponia e re sanitare është planifikuar të përmirësohet në deponi të përhershme. 

“Është planifikuar që në skajet perëndimore dhe lindore të lokacionit Rusino të ndërtohen qeli “emergjente” në përputhje me standardet e BE-së, me kapacitet të caktuar vëllimor kumulativ, për të mundësuar depozitimin dhe deponimin e mbetjeve nga rajoni i Pollogut, për një periudhë tetëvjeçare”, thanë nga Qeveria. 

Siç thonë nga Qeveria, zbatimi i plotë i projektit dhe vënia në punë e konceptit të ri pritet të përfundojë brenda dy viteve, pra në vitin 2027. 

Ndërtimi i deponisë rajonale për rajonin e Pollogut, i cili duhet të përmbushë standardet kombëtare dhe të BE-së, do të kontribuojë në krijimin e një sistemi të integruar të menaxhimit të mbetjeve të ngurta në nivel rajonal. 

Ky projekt realizohet në kuadër të aktiviteteve të Projektit Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave të Ngurta, përmes Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. 

Realizimi financiar i projektit është siguruar përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) me kredi shtetërore deri në 55 milionë euro për Republikën e Maqedonisë së Veriut. 

Gjithashtu, në realizimin financiar të të gjithë projektit është përfshirë edhe një grant nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) prej 9 milionë franga (CHF), një grant nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (“WBIF”) nga e cila Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka siguruar 23.8 milionë euro, si dhe një grant nga Qeveria Suedeze përmes SIDA me 0.7 milionë euro. 

Kujtojmë se tenderi për nëdrimin e deponisë moderne në Pollog dhe në rajonin e Pellagonisë dhe atë Jugperëndimor vazhdimisht janë shtyrë dhe afatet kanë ndryshuar. Ndërsa sipas planifikimeve pritet që deri në vitin 2027 këto deponi të jenë të kompletuara dhe në vihen në funksion. 

Me ndërtimin e tre deponive rajonale në këto rajone, do të mundësohet menaxhimi modern i mbetjeve për rreth 1 milion banorë në vend. Bashkimi Evropian e ka vlerësuar ngritjen e sistemeve rajonale të menaxhimit të mbetjeve si një nga prioritetet kombëtare në procesin negociator të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE.