Drejtësia në ngërç reformash në RMV: Prokuroritë pa staf, pa sistem digjital dhe pa transparencë

Sistemi i drejtësisë në Maqedoninë e Veriut vazhdon të përballet me sfida të mëdha strukturore, pavarësisht disa përpjekjeve për reforma dhe trajnime për etikë dhe integritet. Në raportin vjetor për vitin 2024, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) evidenton një sërë mangësish që kanë mbetur të pazgjidhura, duke paralajmëruar se pa masa konkrete dhe […]

Prill 20, 2025 - 14:00
 0  5
Drejtësia në ngërç reformash në RMV: Prokuroritë pa staf, pa sistem digjital dhe pa transparencë
Foto ilustrim, e edituar nga Portalb.mk

Sistemi i drejtësisë në Maqedoninë e Veriut vazhdon të përballet me sfida të mëdha strukturore, pavarësisht disa përpjekjeve për reforma dhe trajnime për etikë dhe integritet. Në raportin vjetor për vitin 2024, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) evidenton një sërë mangësish që kanë mbetur të pazgjidhura, duke paralajmëruar se pa masa konkrete dhe urgjente, sistemi gjyqësor dhe prokurorial do të mbetet joefikas, i ngarkuar dhe me besueshmëri të ulët tek qytetarët, raporton Portalb.mk.

“Përkundër realizimit të një pjese të aktiviteteve të planifikuara për forcimin e integritetit të gjykatësve dhe prokurorëve, problemet thelbësore si mungesa e burimeve, transparenca e ulët dhe automatizimi i dobët i sistemit mbeten të pazgjidhura”, thuhet në raportin e KSHPK-së.

Vonesat në formimin e qendrave hetimore dhe mungesa e fondeve

Një nga kritikat më të forta të raportit ka të bëjë me dështimin për të realizuar formimin e qendrave hetimore në kuadër të Prokurorisë Publike. Edhe pse buxheti për Prokurorinë është rritur në vitin 2024 për rreth 101 milionë denarë, “nuk janë planifikuar fare mjete për qendrat hetimore”, thekson KSHPK.

“Aktiviteti për sigurimin e fondeve për formimin e qendrave hetimore konsiderohet i parealizuar, me theks se përgjegjësia për këtë nuk qëndron te Ministria e Financave, por te mungesa e planifikimit nga Prokuroria,” thuhet në raport.

Sipas KSHPK-së, mungesa e këtyre qendrave pengon ndjeshëm zhvillimin e hetimeve të pavarura dhe efikase.

Automatizimi i sistemit të ndarjes së lëndëve: Vonesa deri në vitin 2025

Një tjetër problem kyç është mungesa e sistemit të automatizuar për ndarjen dhe menaxhimin e lëndëve në Prokurori. Edhe pse është përgatitur tenderi për sistemin e ri në kuadër të një projekti të mbështetur nga BE, implementimi është shtyrë për vitin 2025, çka vë në rrezik efikasitetin e mëtejshëm të Prokurorisë.

“Aktiviteti për prokurimin e sistemit të ri është ‘në proces’, ndërsa ai për trajnimin e stafit për përdorimin e këtij sistemi është konsideruar ‘i parealizuar’, pasi sistemi ende nuk është funksional”, thuhet në raportin e KSHPK-së.

Këshilli i Prokurorëve dhe mungesa e transparencës

Një kritikë e rëndësishme është adresuar edhe ndaj Këshillit të Prokurorëve Publik, për të cilin raporti thekson:

“Punën e këtij organi e karakterizon mungesë e theksuar transparence, çka ndikon në besimin publik ndaj këtij institucioni dhe ndaj sistemit të drejtësisë në përgjithësi.”

KSHPK rekomandon që ky institucion të publikojë në mënyrë të rregullt të gjitha vendimet dhe informacionet për aktivitetin e tij, për të forcuar llogaridhënien dhe hapjen ndaj publikut.

 Reforma në Avokaturën e Shtetit e vonuar me tre vite

Sa i përket Avokaturës së Shtetit, një tjetër institucion kyç në sistemin e drejtësisë, raporti vë në dukje se nuk është realizuar ligji i ri, megjithëse ishte planifikuar për vitin 2022. Vetëm në vitin 2024, Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar një iniciativë për ligjin e ri, i cili pritet të miratohet në shtator të vitit 2025.

“Kjo krijon rrezik për vazhdim të mangësive në funksionimin e Avokaturës së Shtetit, përfshirë dobësitë në efikasitet dhe transparencë”, thuhet në raport.

Rekomandimet e KSHPK-së

Komisioni propozon një sërë masash për përmirësimin e situatës në sistemin e drejtësisë:

  • Përshpejtimi i procesit të punësimeve në prokurori, duke kërkuar nga Prokuroria që të dorëzojë në kohë planet vjetore për punësim dhe nga Ministria e Financave që të ndajë fondet përkatëse;

  • Sigurimi i buxhetit për qendrat hetimore, përmes përfshirjes së tyre në rishikimin e buxhetit për vitin 2025;

  • Finalizimi i sistemit të automatizuar dhe fillimi i trajnimeve për përdorimin e tij menjëherë pas prokurimit;

  • Publikimi i vendimeve dhe analizave nga Këshilli i Prokurorëve, Avokatura e Shtetit dhe Ministria e Drejtësisë;

  • Përfshirja e ekspertëve ndërkombëtarë në analiza të thelluara për rreziqet e korrupsionit në drejtësi.

“Me realizimin e këtyre masave do të përmirësohen kushtet e punës në prokurori, do të rritet efikasiteti dhe transparenca, dhe do të përforcohen proceset hetimore,” përfundon raporti i KSHPK-së.

Kujtojmë se sistemi gjyqësor në vitin 2024 në Maqedoninë e Veriut ishte në gjendje shumë të keqe dhe të zhytur në humnerë. Këshilli Gjyqësor dhe ai i Prokurorëve u konsideruan të jenë në prag të kolapsit dhe partizimit, funksionarët më shumë dënoheshin nga ndërkombëtarët se sa gjykatat e vendit ndërsa ndërrimi i qeverisë sikur iu ‘dha zemër’ prokurorëve t’i nxjerrin nga sirtaret disa lëndë për ish-funksionarët e BDI-së dhe LSDM-së.

RMV-ja arriti të ‘ruajë’ statustin e regjimit hibrid edhe në raportin e fundit të Freedom House. Përpos që ka rënie të ndjeshme në çdo sektor, në këtë raport thuhet se RMV-ja i është dorëzuar korrupsionit të lartë’.

Raporti i fundit i Komisionit Evropian gjithashtu pati kritika të ashpra për Maqedoninë në sferën e gjyqësorit. Aty mes tjerash thuhet se pavarësia e gjyqësorit dhe kapaciteti institucional për ta mbrojtur atë nga ndikimi i padrejtë mbeten shqetësim serioz.

Niveli i pavarësisë së perceptuar të gjyqësorit është shumë i ulët, thekson raporti. Shqetësime mbeten edhe për funksionimin dhe pavarësinë e Këshillit Gjyqësor, ndërkohë që janë ndërmarrë hapa në këtë drejtim. Vendimet për emërimin e prokurorëve publikë dhe gjyqtarëve janë kritikuar nga shoqëria civile se nuk janë të motivuara në mënyrë gjithëpërfshirëse apo të bazuara në kritere objektive.

Sipas hulumtimeve të fundit mbi opinionit publik, besimi në gjyqësor është ulur në 2 përqind, që është në nivelin më të ulët që nga pavarësia e këtij vendi në vitin 1991.