Deputetët pozitë-opozitë, qëndrime të kundërta rreth vitit 2025
Deputetët me qëndrime të ndryshme sa i përket punës së Kuvendit gjatë vitit 2025. Opozita akuzon shumicën për polarizim, respektivisht për mospasje të vullnetit për të pranuar propozimet që i kanë dorëzuar për shqyrtim, e pushteti është i kënaqur me atë që ka realizuar. Deputetët nga shumica parlamentare, Adnan Azizi dhe Antonio Milloshoski thonë se […]
Deputetët me qëndrime të ndryshme sa i përket punës së Kuvendit gjatë vitit 2025. Opozita akuzon shumicën për polarizim, respektivisht për mospasje të vullnetit për të pranuar propozimet që i kanë dorëzuar për shqyrtim, e pushteti është i kënaqur me atë që ka realizuar. Deputetët nga shumica parlamentare, Adnan Azizi dhe Antonio Milloshoski thonë se ky vit do të jetë vit me më tepër angazhim dhe sjellje të ligjeve më të rëndësishme.
“Shpresoj që gjithë ky angazhim edhe si legjislativ edhe si qeveri tani me ndryshimin e pushtetit lokal është një ogur i mir për të ardhmen e qytetarëve të Maqedonisë, shqiptarëve dhe gjithë komuniteteve tjera që jetojnë këtu.
Sa janë gjasat që të kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare?
Për bindjen time nuk do të ketë dhe nuk ka arsye pse të ketë zgjedhje të parakohshme”, tha Adnan Azizi – VLEN.
“Në vitin 2026 presim të kemi klimë pak më të mirë për punë në Kuvend sepse do të jetë vit pa zgjedhje. Kjo do të thotë se do të ketë më pak mundësi për polarizim apo për fushatë parazgjedhore në paraqitje të caktuara në Kuvend. Në vitin 2025 i patëm zgjedhjet lokale dhe mendoj se ndikuan deri në një shkallë për përplasje politike”, u shpreh Antonio Milloshoski – VMRO-DPMNE.
Por opozita akuzon se shumë nga ligjet që janë miratuar në Kuvend, kanë qenë me procedurë të shkurtuar. Theksojnë nevojën për përforcimin e kapaciteteve administrative ndërsa për zgjedhje të parakohshme nuk shpresojnë.
“Viti 2025 nuk na solli rritje të pagave minimale dhe mesatare. Në aspektin e punëtorëve të shtetit që e meritojnë këtë, shpresoj se do të ndodhë në të ardhmen. Kështu që nëse mua më pyesni nuk do të mund të thoja marrë parasysh se vendimin nuk e sjellë opozita. Ne ende e kemi ligjin për qeveri teknike kështu që nëse zgjedhjet ndodhin në pranverë kjo do të thotë se negociatat tanimë duheshte të fillojnë”, tha Dimitar Kovaçevski – LSDM.
“Kuvendi fatkeqësisht ishte vetëm një servis i kësaj qeverie. Nuk ka qenë në nivelin e detyrës pavarësisht se është organi më i lartë konform Kushtetutës dhe rregullimit shtetëror. Shpresoj në paralajmërimin e z.Gashit se do të ketë kalendar për vitin që vjen që të jetë në nivel të detyrës”, theksoi Blerim Bexheti – Fronti Evropian.
“Kuvendi ishte mjaft i polarizuar këtë e pamë. Nuk kishte bashkëpunim mes opozitës dhe shumicës për gjetjen e zgjidhjeve ligjore. Shumë ligje që hynë në procedurë nuk gjetën vullnet në seancat plenare kështu që shumë gjendje duhet të përmirësohen. Shpresoj që në vitin 2026 të kemi rezultate më të mira”, u shpreh Amar Mecinoviq – E Majta.
Gjatë vitit 2025, Kuvendi ka mbajtur 53 seanca dhe ka miratuar 227 ligje./ Alsat.mk