Dhjetë vjet nga rasti “Lagjja e Trimave”: Një dekadë spekulimesh dhe paqartësish
Sot, 9 maj , 2025 bëhen plot 10 vjet nga ngjarja që tronditi jo vetëm Kumanovën, por të gjithë shtetin e Maqedonisë. Një përplasje e armatosur në Kumanovë, midis forcave ushtarako – policore të vendit dhe një grup i armatosur prej afro 40 vetash, la si pasojë 8 policë të vrarë, 37 të tjerë të […]


Sot, 9 maj , 2025 bëhen plot 10 vjet nga ngjarja që tronditi jo vetëm Kumanovën, por të gjithë shtetin e Maqedonisë. Një përplasje e armatosur në Kumanovë, midis forcave ushtarako – policore të vendit dhe një grup i armatosur prej afro 40 vetash, la si pasojë 8 policë të vrarë, 37 të tjerë të plagosur dhe 10 persona të vrarë nga grupi i armatosur. Grupi i armatosur, që sipas aktakuzës kanë kryer veprën terrorizëm dhe organizim terrorist, u gjykuan me gjithsej 7 shekuj e gjysmë burg, respektivisht 746 vjet, 7 prej tyre me burg të përjetshëm, 13 persona u dënuan me nga 40 vjet burg, gjashtë me nga 20 vjet, një me 18 vjet, dy me nga 14 vjet, dy me nga 13 vjet dhe me nga 12 vjet, 4 prej të akuzuarve janë liruar, shkruan Portalb.mk.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarve nuk arriti të zbardhë deri në fund të vërtetën se si erdhi deri te ngjarja? Kush e solli grupin në Kumanovë? Pse pikërisht në “Lagjen e trimave” dhe prej nga motivi një grup kryesisht me shtetas nga Republika e Kosovës të marrë përsipër barrën, siç theksonin anëtarët e grupit në seancë gjyqësore, për të mbrojtur shqiptarët e Maqedonisë?
Aktgjykimet në detaje:
- 7+1 persona: burg të përjetshëm
- 13 persona: nga 40 vjet burg
- 6 persona: me nga 20 vjet burg
- 1 person: me 18 vjet burg
- 2 persona: me nga 14 vjet burg
- 2 persona: me nga 13 vjet burg
- 2 persona me nga 12 vjet burg
- 4 persona u liruan
Hetim ndërkombëtar?
Për shkak rastit të komplikuar dhe shumë të panjohurave rreth ngjarjes, zërat për hetim ndërkombëtar kishin lindur që pas 5 majit të vitit 2015. Nevoja për hetim ndërkombëtar u theksua më shumë pas akgjykimit ndaj të akuzuarve. Pas vendimit të Gjykatës Penale partia në pushtet aso kohe, BDI, por edhe lideri i saj, Ali Ahmeti, e kanë përsëritur qëndrimin se kërkojnë grup ekspertësh ndërkombëtar që ta sqarojnë tërë rastin, ndërkaq edhe kryeministri Zoran Zaev, pati deklaruar se patjetër duhet që të ketë ekspertë ndërkombëtarë që ta sqarojë rastin.
Hetim ndërkombëtar ishte kërkuar edhe nga Aleanca për Shqiptarët, madje ishte paralajmëruar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, si dhe dhe krerët Republikës së Kosovës aso kohe, presidenti dhe kryeministri, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj. E njejta kërkesë ishte bërë atëherë edhe nga diplomacia shqiptare, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, në Prishtinë, Behxhet Shala, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti slloven Borut Pahor, thirrje të tilla ka pasur edhe nga eurodeputetët, zyra e të Drejtave të Njeriut në OKB, Kosovë, Shqipëri, figura të tjera politike dhe ekspertëve për çështjet e brendshme.
Aktgjykimi për rastin atë kohë ishte përcjellur edhe me shumë protesta rrugëve të Shkupit, si nga familjarët ashtu edhe nga Shoqata e të burgosurve politik shqiptar. Hetim ndërkombëtar ishte kërkuar edhe nga familjarët e të akuzuarve. Dashurie Sefa nga Këshilli i familjeve nga Kosova kishte kërkuar nga pushtetarët shqiptar, ish ushtarë dhe komandantë të UÇK-së që të sigurojnë drejtësi për familjarët e tyre dhe hetim ndërkombëtar.
“Dënimet për çdo vend demokratik dhe për ne janë të pa pranueshme. Kërkojmë që e gjithë ngjarja e 9 dhe 10 majit 2015 të hetohet dhe procedohet nga ndërkombëtarët ngase strukturat më të larta shtetërore të Maqedonisë kanë qenë të përfshira si manipulues, nxitës dhe joshës në sajimin e skenarit të 9 majit. Ministria e Punëve të Brendshme, shefi i shërbimit sekret maqedonas dhe drejtori i sigurisë publike janë ideologët, urdhërdhënësit dhe zbatuesit e skenarit të 9 majit në Kumanovë. Përgjimet dhe dosjet e hapura nga shërbimet policore maqedonase tetë muaj para ngjarjeve tragjike kundër bijve tanë tregojnë dhe intrigojnë pa asnjë dyshim edhe kreun më të lartë të aso kohe të Maqedonisë. Ne apelojmë te qeveria dhe pushtetarët e rinj të Maqedonisë drejtësi, drejtësi dhe vetëm drejtësi. Hetoni dhe sillni para organeve të drejtësisë të gjithë shtytësit, joshësit, manipuluesit dhe përfituesit dhe gjithë zinxhirin kriminal të pushtetarëve maqedonas dhe shqiptar që në radhë të parë kanë dëmtuar qytetarët shtetin e Maqedonisë. Ju ministër i drejtësisë, ish ushtar i UÇK-së, ju zëvendës kryeministër ish komandant brigade i UÇK-së, ju kryetar parlamenti ish komandant brigade i UÇK-së, duhet të siguroni drejtësi për fëmijët tanë dhe ish shokët e komandantët tuaj të UÇK-së. Ne apelojmë edhe te faktori ndërkombëtar, OSBE të kyçet direkt në procesin hetimor”, pati deklaruar Sefa.
Sot, në 10 vjetorin e ngjarjes, mbahen mend vetëm tentativat për të siguruar hetim ndërkombëtar, praktikisht asgjë nuk është realizuar.
Çka dihet zyrtarisht për ngjarjen?
- Kanë vdekur 8 pjesëtarë të njësiteve speciale të Maqedonisë, ndërkaq 37 janë lënduar;
- Grupi i Kumanovës ka numëruar mbi 40 anëtarë;
- Në luftimet me policinë, janë vrarë 10 anëtarë të grupit;
- Pas luftimeve, policisë i janë dorëzuar 28 anëtarë të grupit;
- Si udhëheqës të grupit theksohet të kenë qenë, Muhamed Krasniqi i ashtuquajtur komandat Malisheva, Mirsad Ndreca – komandat NATO, Sami Ukshini – komandant Sokoli, Beg Rizaj – komandat Begu dhe Demë Shehu – komandant Juniku;
- Grupi më shumë se gjashtë muaj ka qenë i ndjekur nga shërbimet sekrete të Maqedonisë;
- I njëjti grup është përgjegjës për sulmin në Stacionin Policor të Goshnicës më 21 prill të vitit 2015;
- Grupi ka planifikuar të sulmojë pika civile dhe shtetërore;
- Në rrethinën e fshatit Brezë, në një bunker në hapësirë të hapur është gjetur armatimi i vjedhur nga Stacioni Policor në Goshincë (vendin e ka treguar njëri nga të arrestuarit në aksionin në Kumanovë, (Sulejman Osmani), i cili fillimisht, sipas mediave u ka ikur forcave policore, ndërkaq më pas i njëjti është kapur;
- Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka thënë se ka marrë pjesë në bisedimet për dorëzim të grupit;
- Njëri prej të arrestuarve ka qenë i punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme (kompetentët e kanë konfirmuar këtë informatë pasi mediat i kanë pyetur);
- Shërbimi Sekret i Maqedonisë ka informuar se për ngjarjet në Goshincë dhe Kumanovë “në lidhje me qëllimet e grupit, kapacitetet e tyre, bazat logjistik, kursit të aksionit të armikut”, ata kanë informuar më herët në korniza të kompetencave të tyre, në pajtueshmëri më ligjin për Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim.
Spekulime:
- Përfaqësuesit e shërbimeve sekrete të Maqedonisë kanë kontaktuar me anëtarët e grupit disa muaj përpara ngjarjeve të 9 dhe 10 majit;
- Agjencia e Kundërzbulimit të Kosovës e ka informuar presidenten e atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Isa Mustafa për incident eventual në Kumanovë;
- Përmenden emra të disa politikanëve, agjentëve dhe funksionarëve për përzierje në incidentin e Kumanovës;
- Policia nëpërmjet bisedave të përgjuara ka zbuluar se grupi i Kumanovës ka planifikuar që ta sulmojë burgun e Kosovës në Podujevë dhe t’i lirojë dy persona;
- Luftimet në Kumanovë kanë qenë të skenuara, gjegjësisht grupi nuk është dashur të luftojë, por vetëm të gjuajë në ajër, ndërkaq më pas i njëjti është tradhtuar dhe ka ardhur deri te incidenti;
- Planet për Kumanovën janë bërë në një automjet “BMW” në Ferizaj;
- Një natë përpara aksionit janë evakuuar 70% e popullatës nga “Lagjja e Trimave”;
- Situata ka dalë nga kontrolli kur anëtarët e grupit kanë filluar të gjuajnë ndaj policisë.
Për shkak vendimeve, të cilat mbrojtja i quajti drakonime, ka pasur protesta në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri.
Të dënuarit e ankimuan vendimin, por Gjykata e Apelit, nuk e ndryshoi.
Më 3 janar 2022 Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut e konfirmoi se ka miratuar vendim për rastin e njohur në opinion si “Kumanova”. Sipas vendimit, Supremja i ka hedhur poshtë ankesat e të dënuarve si të pabaza dhe e ka konfirmuar aktgjykimin e Apelit. Sipas Ligjit për Procedurë Penale, pala mbrojtëse nuk ka të drejtë ankese ndaj vendimit të Gjykatës Supreme.
Sipas kësaj, për të dënuarit janë “mbyllur dyert” për kërkim të drejtësisë brenda Maqedonisë së Veriut, por ata mund të ankohen në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Konfirmimi i aktgjykimit të Apelit, nënkupton që të dënuarit mbesin me dënimet që u janë shqiptuar nga Penalja dhe më pas të konfirmuara nga Apelit.
- LEXO: “Portalb” në Kumanovë: Lagjja e Trimave si në Bejrut (VIDEO)
- LEXO: Shtatë shekuj e gjysmë burg dhe 7 burgime të përjetshme për “Grupin e Kumanovës” (FOTO+VIDEO)
- LEXO: “Rasti Kumanova”, burg të përjetshëm për Sulejman Osmanin
- LEXO: Rasti “Kumanova”, i liruari Besnik Ajdini: Ja tmerri që përjetova (VIDEO)
Më poshtë mund ta shihni videon e publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme gjatë aksionit dhe video të vizitës së Portalb pas mbarimit të luftimeve: