Dita e Evropës, Rokas: Nevojite angazhim i madh për ta shndërruar Agjendën e Reformës së RMV-së në realitet

Dje me rastin e shënimit të Ditës së Evropës, ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut Mihalis Rokas, deklaroi se nevojitet po angazhim për ta shndërruar Agjendën e Reformës në realitet. Ai shtoi se kjo do t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve të ndiejnë përfitimet nga anëtarësimi në BE para anëtarësimit, duke ngushtuar hendekun në pikëpamje […]

maj 9, 2025 - 13:00
 0  3
Dita e Evropës, Rokas: Nevojite angazhim i madh për ta shndërruar Agjendën e Reformës së RMV-së në realitet
Ambasadori i BE-së Mihalis Rokas. Foto: Delegacioni i BE-së

Dje me rastin e shënimit të Ditës së Evropës, ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut Mihalis Rokas, deklaroi se nevojitet po angazhim për ta shndërruar Agjendën e Reformës në realitet. Ai shtoi se kjo do t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve të ndiejnë përfitimet nga anëtarësimi në BE para anëtarësimit, duke ngushtuar hendekun në pikëpamje të zhvillimit dhe duke hyrë gradualisht në Tregun e Përbashkët të BE-së. Këto, shtoi ai janë aspirata që padyshim qytetarët dhe bizneset i dëshirojnë, pasi ata me padurim duan ta shohin vendin e tyre të bëhet anëtar i BE-së. Kjo aspiratë kërkon guxim, pragmatizëm dhe unitet kombëtar për t’u arritur, transmeton Portalb.mk. 

“Maqedonia e Veriut ishte vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që nënshkroi marrëveshjet e nevojshme dhe mori fondet e parafinancimit nga Plani i Rritjes. Falë Agjendës së Reformës, të përpiluar me angazhim konstruktiv të dy qeverive të ndryshme dhe dy përbërjeve të ndryshme të Parlamentit”, tha Rokas

Në vijim po e përcjellim të plotë fjalimin e ambasadorit:

Është kënaqësi dhe nder i madh për mua të jem me ju sot – në pritjen time të parë të Ditës së Evropës që nga marrja e detyrës në Maqedoninë e Veriut. Kam kënaqësi të veçantë që edhe këtë vit, po e organizojmë këtë ngjarje në partneritet të ngushtë me Bankën Europiane të Investimeve. Së bashku, në frymën e Ekipit të Europës, po punojmë për ta mbështetur këtë vend në rrugën e tij drejt Bashkimit Europian.

Dita e Europës po mbahet në më pak se dy muaj pas tragjedisë së paparë në Koçanë. Mes trazirave të vazhdueshme gjeopolitike. Por edhe në kohë angazhimi të përbashkët dhe hapave të dukshëm për t’i bërë gjërat më mirë – për vendin dhe për Europën në tërësi.

Këtë vit po shënojmë 75 vjetorin e Deklaratës së Schumanit. Një vizion i lindur pas luftës më të përgjakshme në historinë e njerëzimit, duke i bashkuar ish-kundërshtarët dhe duke i lënë pas mosmarrëveshjet e së kaluarës. Një ide që sinjalizoi një epokë të re paqeje, integrimi dhe bashkëpunimi demokratik në Europë.

Sot, ky vizion po sfidohet thelbësisht nga lufta brutale e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Rusia ka sjellë përsëri terrorin dhe shkatërrimin në tokën europiane, që rezultoi nga konflikti ushtarak duke kërkuar të privojë Ukrainën nga pjesë të territorit të saj dhe nga e drejta sovrane për të zgjedhur të ardhmen e saj. Sulmet ruse po vrasin pa dallim burra, gra dhe fëmijë në shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar. Përballë agresionit, populli ukrainas ka treguar trimëri heroike për të mbrojtur vendin e vet dhe duke vepruar kështu, ata po mbrojnë lirinë e të gjithë Europës. Ne u bëjmë homazh të gjithë atyre që kanë sakrifikuar jetën e tyre dhe kanë humbur të dashurit e tyre në këtë luftë. Slava Ukraini! (Lavdi Ukrainës!)

Kur flasim për Deklaratën e Schumanit, në thelbin e saj është aspirata për të punuar së bashku për të arritur vlera të përbashkëta dhe solidaritet – për të mirën e qytetarëve tanë.

Solidariteti është tipar dallues i vendit ku po mbahet kjo pritje. Komuniteti artistik ndërkombëtar mblodhi një koleksion mbresëlënës veprash arti në solidaritet me Shkupin pas tërmetit katastrofik të vitit 1963. Më vonë, kjo ndërtesë e jashtëzakonshme u bë shtëpia e tyre, e ndërtuar si pjesë e veprimit ndërkombëtar të solidaritetit për rindërtimin e qytetit.

Dhe orët e para pas ngjarjes më tragjike në historinë më të re të vendit – zjarri në Koçanë u shënuan në frymën e solidaritetit. Brenda pak orësh, 115 të plagosur me djegie të rënda u transportuan për trajtim në shtete anëtare të BE-së dhe vende partnere. Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së – dhe veprimi i shpejtë dypalësh në momentet kritike – kanë dëshmuar edhe një herë se janë instrumente të fuqishme të solidaritetit europian. Duke u ngritur mbi dallimet e çdo lloji. Dhe duke ndihmuar në shpëtimin e jetës së shumicës së të plagosurve – i vetmi ngushëllim që mund të kemi pas humbjes së 62 jetësh, kryesisht të rinj.

Për t’u ofruar ndihmë shtesë familjeve në Koçanë, organizuam një ekspozitë të veçantë me vepra arti. Kjo ekspozitë u bë e mundur falë iniciativës së Shoqatës së Artistëve DLUM, anëtarët e së cilës kanë kontribuar bujarisht me veprat e tyre të jashtëzakonshme për këtë kauzë domethënëse. Të gjitha veprat e ekspozuara të artit janë në shitje, dhe çdo qindarkë e mbledhur nga këto shitje do të shkojë drejtpërdrejt në mbështetjen e familjeve të goditura në Koçanë, përmes Kryqit të Kuq. Duke blerë një vepër arti, ju jo vetëm që do të zbukuroni shtëpinë tuaj, por gjithashtu do të ofroni mbështetje kritike për ata që po përballen me kohë të vështira.

Për më tepër, së bashku me rrjetin tonë të Europe House, më 25 maj do të organizojmë vrapime dhe ecje malore solidariteti për Koçanin në qytete të ndryshme anembanë vendit. Të gjithë pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të kontribuojnë me një shumë simbolike regjistrimi, ku mjetet e grumbulluara do të dhurohen drejtpërdrejt në një llogari të dedikuar të Kryqit të Kuq. Ju ftojmë të gjithëve t’na bashkangjiteni me familjen dhe miqtë tuaj. Le të tregojmë se të gjithë ne – i gjithë komuniteti – qëndrojmë pranë atyre që kanë nevojë në kohët më të vështira.

 

Duhet të nxirren mësime nga tragjedia. Duke u siguruar që asgjë e ngjashme të mos ndodhë në të ardhmen. Që të mbijetuarit – dhe të gjithë të rinjtë në vend – të jetojnë në kushte që ata aspirojnë dhe meritojnë. Dhe jo në ato në të cilat miqtë e tyre në Koçanë ranë viktima.

Kjo na sjell te reformat dhe te nxitja e madhe që përfaqëson Plani i Rritjes në këtë drejtim.

Maqedonia e Veriut ishte vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që nënshkroi marrëveshjet e nevojshme dhe mori fondet e parafinancimit nga Plani i Rritjes. Falë Agjendës së Reformës, të përpiluar me angazhim konstruktiv të dy qeverive të ndryshme dhe dy përbërjeve të ndryshme të Parlamentit.

 

Nevojitet po i njëjti angazhim për ta shndërruar Agjendën e Reformës në realitet. Kjo do t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve të ndiejnë përfitimet nga anëtarësimi në BE para anëtarësimit. Duke ngushtuar hendekun në pikëpamje të zhvillimit. Duke hyrë gradualisht në Tregun e Përbashkët të BE-së. Me rezultate të dukshme në fushën e vlerave fundamentale – sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Edhe në fushën e funksionimit të institucioneve, në qeverisje, në tranzicionin e gjelbër dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Këto janë aspirata që padyshim qytetarët dhe bizneset i dëshirojnë, pasi ata me padurim duan ta shohin vendin e tyre të bëhet anëtar i BE-së. Kjo aspiratë kërkon guxim, pragmatizëm dhe unitet kombëtar për t’u arritur.

Siç deklaroi së fundmi Komisionerja Marta Kos, “le të mendojmë me guxim” – pasi “Unioni ynë është ndërtuar gjithmonë nga ata që guxuan të mendonin përtej kufizimeve të kohës së tyre”. Kjo vlen për të gjithë – udhëheqësit e BE-së, elitat politike të vendeve kandidate dhe për të gjithë qytetarët tanë.

Kohët e vështira mund të jenë një mundësi. Për të nxjerrë mësimet e duhura. Për t’u kthyer në veprim. Dhe për t’i përmirësuar gjërat – në planin afatgjatë. Kjo ishte pikërisht ajo që bënë themeluesit e BE-së 75 vjet më parë. Kjo është pikërisht ajo që kërkojnë qytetarët e BE-së. Kjo është pikërisht ajo që kërkojnë qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe veçanërisht të rinjtë. Në nëntë muajt e mi të parë në vend, kam arritur të takohem me shumë të rinj, kudo që kam udhëtuar. Ata janë unanimë, ata nuk shohin të ardhme tjetër përveçse të bëhen qytetarë të familjes së BE-së. Le të mos i zhgënjejmë!

Ndryshe, Dita e Evropës është një ditë ku festohet për “paqen dhe unitetin në Evropë” e festuar më 5 maj nga Këshilli i Evropës dhe më 9 maj nga Bashkimi Evropian.

Njohja e parë e Ditës së Evropës u bë nga Këshilli i Evropës, e prezantuar në vitin 1964. Bashkimi Evropian më vonë filloi të festonte Ditën e vet Evropiane në përkujtim të Deklaratës së Shumanit të vitit 1950. Të dyja ditët festohen duke shfaqur flamurin e Evropës.