Dibra me shumicë shqiptare: Ku është dygjuhësia në mbishkrimet zyrtare?
Problemet me respektimin e përdorimit të dy gjuhëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të jenë të pranishme në disa qytete, pavarësisht garancive kushtetuese dhe ligjore. Një rast i The post Dibra me shumicë shqiptare: Ku është dygjuhësia në mbishkrimet zyrtare? appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Problemet me respektimin e përdorimit të dy gjuhëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të jenë të pranishme në disa qytete, pavarësisht garancive kushtetuese dhe ligjore. Një rast i fundit i tillë është regjistruar në qendër të Dibrës, ku në një tabelë komunikacioni është përdorur vetëm gjuha maqedonase, duke anashkaluar gjuhën shqipe, e cila është gjuhë zyrtare dhe e garantuar me ligj, transmeton Flaka
Tabela në fjalë është vendosur në sheshin “Skënderbeu”, vetëm pak metra larg bustit të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një vend kyç në qytet. Mbishkrimi në tabelë thotë “Mos e blloko udhëkryqin” dhe është vetëm në gjuhën maqedonase, ndërsa në hyrje dhe dalje të qytetit mbishkrimet përdorin të dyja gjuhët zyrtare.
Pas konstatimit të kësaj shkeljeje, gazeta Koha ka kërkuar sqarime nga institucionet përgjegjëse, ndërsa reagime kanë ardhur nga përfaqësues lokalë dhe qytetarë.
Kryetari i Këshillit Komunal të Dibrës, Fuat Spahiu, në një deklaratë për Koha tha se për këtë çështje duhet të ndërhyjë inspektorati i tregut. “Patjetër duhet të ketë dygjuhësi,” theksoi ai.
Edhe kryetari i Komisionit për Siguri në Komunikacion pranë Komunës së Dibrës, Abdul Koleci, u shpreh se nuk guxon që mbishkrimi të jetë vetëm në një gjuhë dhe theksoi se institucionet kompetente duhet të reagojnë për të respektuar ligjin.
Ndërsa anëtari i Këshillit të Komunës së Dibrës dhe kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, Bashkim Mashkulli, e cilësoi këtë veprim si “provokim të pastër për dibranët” dhe kërkoi ndërhyrjen e institucioneve për vendosjen e përkthimit në gjuhën shqipe.
Qytetarët dibranë gjithashtu shprehen shqetësimin e tyre. Njëri prej tyre, M.T., 38 vjeç, tha: “Kjo që është vendosur është një provokim për shqiptarët. Institucionet harrojnë Kushtetutën dhe vendosin tabela në një gjuhë, kinse nga padija.” Një qytetar tjetër më i moshuar, E.F., deklaroi: “Dibra ka shumicë dërmuese shqiptare, dhe përdorimi i gjuhës shqipe është i garantuar me Kushtetutë dhe me ligj. Ky veprim duhet të dënohet si provokim.”
Megjithë reagimet e shumta, tabela mbetet në vend, duke reflektuar sfidat e vazhdueshme në zbatimin e ligjit për përdorimin e dy gjuhëve zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Burimi: Gazeta Koha
The post Dibra me shumicë shqiptare: Ku është dygjuhësia në mbishkrimet zyrtare? appeared first on Flaka, në çdo lajm... .