Inxhinierët e RMV-së: 54 milionë euro për kapacitet transmetimi të gazit që nuk po përdoret, nevojitet reagim nga prokuroria
Inxhinierët e Maqedonisë së Veriut kanë akuzuar se po shpenzohen 54 milionë euro pa asnjë përfitim dhe nevojitet reagim nga prokuroria. Sipas tyre, bazuar në një deklaratë të fundit publike të Ministres së Energjisë se menjëherë pas marrjes së detyrës ajo u gjend në një situatë ku shteti, me një kontratë 15-vjeçare për qiradhënien e […]


Inxhinierët e Maqedonisë së Veriut kanë akuzuar se po shpenzohen 54 milionë euro pa asnjë përfitim dhe nevojitet reagim nga prokuroria. Sipas tyre, bazuar në një deklaratë të fundit publike të Ministres së Energjisë se menjëherë pas marrjes së detyrës ajo u gjend në një situatë ku shteti, me një kontratë 15-vjeçare për qiradhënien e kapacitetit të transmetimit të gazit, është i detyruar të paguajë 300,000 euro në muaj, ose në total do të na duhet të paguajmë 54 milionë euro për kapacitet transmetimi që nuk po përdoret, transmeton Portalb.mk.
Me këtë rast sipas tyre lind pyetja:
A do të marrë Prokuroria masa për të përcaktuar përgjegjësinë e mundshme penale për kryerjen e pakujdesshme të shërbimit sipas nenit 353-c dhe për moskallëzimin e një krimi ose autori sipas nenit 364 të Kodit Penal për shkak të pagesës së vazhdueshme të fondeve të konsiderueshme buxhetore pa asnjë përfitim për qytetarët?
“Bëhet fjalë për dhënien me qira të së drejtës së përdorimit të një pjese të rrjetit të tubacioneve për transportin e gazit natyror, kapaciteti i të cilit duhet të jetë 1.8 TWh në vit për një periudhë prej 15 vitesh, për të cilën si shtet kemi paguar 300,000 euro në muaj për një vit tani, edhe pse ai kapacitet nuk po përdoret. Kjo do të thotë se deri më tani janë shpenzuar të paktën 3.6 milionë euro, me një detyrim për të paguar gjithsej 54 milionë euro në vitet në vijim, pa ndonjë justifikim të qartë ligjor, energjetik apo ekonomik”, thonë Inxhinierët e Maqedonisë së Veriut.
Duke pasur parasysh seriozitetin e deklaratës dhe pasojat e dëmshme për interesin publik dhe buxhetin e shtetit, ata thonë se besojnë që prokuroria ka detyrim ligjor dhe moral për të vepruar, për të hapur një çështje dhe për të informuar publikun nëse dhe çfarë veprimesh po ndërmerren për të përcaktuar përgjegjësinë e mundshme të personave kompetentë që kanë lidhur marrëveshjen, si dhe të atyre që e kanë ditur, por nuk e kanë raportuar atë.
“Publiku ka të drejtë të dijë nëse institucionet po mbrojnë interesin publik apo po lejojnë që miliona euro nga paratë publike të shpenzohen në heshtje, pa asnjë përgjegjësi”, thuhet në reagim.
Kujtojmë se më 7 maj, në ambientet e Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, u nënshkrua solemnisht marrëveshja për ndërtimin e pjesës së Maqedonisë të interkonektorit të gazsjellësit Maqedonia e Veriut – Greqia, një projekt me rëndësi strategjike për të ardhmen energjetike të vendit dhe të rajonit.
Interkonektori, me gjatësi 68 kilometra, në territorin e Maqedonisë së Veriut, do të mundësojë transportin e gazit natyror dhe hidrogjenit, duke kontribuar në sigurinë energjetike, duke ulur ndotjen dhe duke përshpejtuar kalimin në burime të energjisë së gjelbër.
Ndërtimi i interkonektorit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë kishte ngecur në përzgjedhjen e realizuesit që do e ndërtojë atë, por tani që është përzgjedhur, mbetet të shihet nëse do të realizohet në afatin e paraparë.