Drafti i Raportit të Progresit: Përparimi i Kosovës u pengua nga politikat e brendshme përçarëse
Përparimi i Kosovës në agjendën e Bashkimit Evropian është penguar nga politikat e brendshme përçarëse dhe nga ngërçi politik pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, pavarësisht se Kosova është e përkushtuar në rrugën evropiane, me nivel të lartë të mbështetjes publike. Kështu thuhet në një draft të Raportit të Progresit në pjesën për Kosovën për


Përparimi i Kosovës në agjendën e Bashkimit Evropian është penguar nga politikat e brendshme përçarëse dhe nga ngërçi politik pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, pavarësisht se Kosova është e përkushtuar në rrugën evropiane, me nivel të lartë të mbështetjes publike.
Kështu thuhet në një draft të Raportit të Progresit në pjesën për Kosovën për vitin 2024, të cilin e ka siguruar Radio Evropa e Lirë. BE-ja i përpilon këto raporte për vendet që synojnë anëtarësimin në bllokun evropian.
Kosova, për dallim prej vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, nuk e ka statusin e vendit kandidat, ndonëse ka aplikuar për anëtarësim në dhjetor të vitit 2022. Në dokument përmendet se Kosova e ka përshtatur në mënyrë vullnetare politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian, çka sinjalizon përkushtim të qartë për vlerat e BE-së, veprim shumë i mirëpritur.
Mes tjerash në draft-raport përmendet se Komisioni Evropian i ka marrë hapat e parë drejt heqjes graduale të masave ndëshkuese. Kosova ishte ndëshkuar me masa prej BE-së në verën e vitit 2023, meqë blloku kishte vlerësuar se autoritetet kosovare nuk kishin bërë mjaftueshëm për t’i parandaluar trazirat që patën shpërthyer në veriun e banuar me shumicë serbe.
“Hapat tjerë do të varen nga shtensionimi i vazhdueshëm në veri. Komisioni synon t’i heqë masat financiare kur të ketë transferim të rregullt të qeverisjes lokale në veri, pas zgjedhjeve të mbajtura”.
Në zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor, katër komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – i ka fituar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Këto komuna janë udhëhequr nga shqiptarët prej vitit 2022, kur kryetarët serbë dhe serbë tjerë kishin hequr dorë nga institucionet e Kosovës, si shenjë proteste për disa vendime të marra nga Qeveria e Kosovës.
Një raport i publikuar në maj nga Instituti për Studime të Avancuara GAP në Prishtinë ka nxjerr në pah se masat ndëshkuese të BE-së i kanë kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro për projekte të pezulluara ose të shtyra për një afat të pacaktuar. Nga kjo shumë, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht, ndërsa sektorët më të prekur janë: mjedisi, energjia, digjitalizimi dhe kultura.
Në draftin e raportit të BE-së është përmendur edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga vetë blloku. Dyja vendeve u kërkohet që t’i zbatojnë të gjithë obligimet që dalin nga Marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh, të arritur më 2023 dhe aneksin e zbatimit, të arritur po atë vit. Kosovës i kërkohet të angazhohet në gjetjen e zgjidhjeve afatgjata që të gjitha komunitetet të kenë qasje në shërbime publike bazike, në përputhje me obligimet e dialogut të nisur qysh më 2011. Dialogu në nivelin e lartë është zhvilluar për herë të fundit në shtator të vitit 2023, ndërsa në nivel teknik palët janë takuar disa herë, por pa arritur ndonjë marrëveshje./Radio Evropa e Lirë
