Hibrid: Sondazhet e rreme ndër format më të përhapura të dezinformimit gjatë zgjedhjeve lokale

Sondazhet e rreme kanë qenë ndër format më të përhapura të dezinformimit gjatë raundit të parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor. Në raportin e publikuar nga Hibrid tregohet se 81 për qind e keqinformimit në mediat sociale, kanë qenë lajme tërësisht të rreme, ndërsa pjesa tjetër janë përbërë nga manipulime faktesh, teori konspirative dhe

Nëntor 3, 2025 - 14:30
 0
Hibrid: Sondazhet e rreme ndër format më të përhapura të dezinformimit gjatë zgjedhjeve lokale
Hibrid: Sondazhet e rreme ndër format më të përhapura të dezinformimit gjatë zgjedhjeve lokale

Hibrid: Sondazhet e rreme ndër format më të përhapura të dezinformimit gjatë zgjedhjeve lokale

Sondazhet e rreme kanë qenë ndër format më të përhapura të dezinformimit gjatë raundit të parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor.

Në raportin e publikuar nga Hibrid tregohet se 81 për qind e keqinformimit në mediat sociale, kanë qenë lajme tërësisht të rreme, ndërsa pjesa tjetër janë përbërë nga manipulime faktesh, teori konspirative dhe raportime të njëanshme. Po ashtu, në bazë të këtij raporti, nga zyrtarët dhe mediat serbe janë evidentuar 20 përmbajtje të keqinformimit, ndërkaq në mediat ruse 74 përmbajtje të keqinformimit.

Kontrolluesi i fakteve në Hibrid, Fatbardh Dema, tha se gjatë zgjedhjeve lokale kanë evidentuar 28 sondazhe të rreme, ndërkaq vetëm gjatë ditës së zgjedhjeve më 12 tetor, janë evidentuar pesë sondazhe të rreme dhe dy exit-polle të fabrikuara në rrjetet sociale.

“Keqinformimi i brendshëm ose ai në gjuhën shqipe tregon se kategoria më e përdorur për dezinformatë ka qenë lajmi i rremë, duke përfshirë 81 për qind të përmbajtjes ose 30 prej 37 sa kanë qenë në gjuhën shqipe. Kjo dominancë e lajmeve të rreme tregon se një përqindje shumë e madhe e këtyre përmbajtjeve ka qenë tërësisht e fabrikuar. Dezinformatat, manipulimi i fakteve dhe teoritë konspirative kanë qenë në përqindje më të vogël nga pesë për qind secila. Një fenomen interesant kanë qenë sondazhet e rreme me gjithsej 28. Këto kryesisht janë publikuar në media sociale. Gjatë ditës së zgjedhjeve, një orë para se të mbyllet votimi, janë evidentuar pesë sondazhe të rreme dhe dy exit-polle të rreme të fabrikuara në media sociale. Faqet që vetëquhen si media, që e kanë një prapashtesë pikë com, pikë info, por që nuk dihet se kush qëndron prapa tyre. Këtu vërehet që ka pasur ndikim duke u bazuar në komente. Në media sociale kanë qenë 89 për qind e këtyre publikimeve, ndërkaq dy të tjera kanë qenë në media kredibile online – njëra ka qenë lajm i rremë, ndërkaq një tjetër raportim i njëanshëm. Sondazhet, në krahasim me zgjedhjet e kaluara ku ka pasur veç grafika dhe pretendime se ky subjekt politik ose ai tjetri ka dalë më mirë, në fushatën e zgjedhjeve lokale në raundin e parë keqinformimi ka ecur në mënyrë më të sofistikuar”, tha ai.

Në lidhje me sondazhet e rreme, hulumtuesi tjetër në Hibrid, Festim Rizanaj, tha se të njëjtat kanë marrë shumë reagime nga qytetarët duke i marrë si të mirëqena. Ai bëri thirrje atyre që në zgjedhjet e raundit të dytë të 9 nëntorit, të mos t’i marrin për bazë sondazhet e rreme gjatë krijimit të një përshtypjeje se për kë të votojnë.

“Sondazhet e rreme kanë pasur shumë pëlqime, shpërndarje dhe komente duke e marrë si të mirëqenë atë sondazh. Ne shfrytëzojmë rastin t’i bëjmë thirrje audiencës që në raundin e dytë gjatë balotazhit, sondazhet që i shohin në mediat sociale të mos t’i marrin për bazë gjatë krijimit të një përshtypjeje se për kënd me votuar, pasi ato janë të rreme dhe të sajuara”, theksoi ai.

Në anën tjetër, ai përmendi keqinformimin edhe nga mediat dhe zyrtarët serbë, si dhe ato ruse, për zgjedhjet lokale në Kosovë. Ai tha se të njëjtit kanë shpërndarë narrativën serbe, duke u munduar ta paraqesin Kosovën si jo demokratike dhe se zgjedhjet po bëhen në kushte të papërshtatshme për komunitetin serb.

“Duke u munduar ta paraqesin Kosovën si jo demokratike dhe se zgjedhjet po bëhen në kushte jo të përshtatshme për komunitetin serb. Narrativa ka qenë se komuniteti serb i ka zgjedhjet për mbijetesën e tyre si luftë ekzistenciale. Po ashtu, është potencuar fakti i besnikërisë ndaj Vuçiqit, që vetëm ata janë garantuesit kryesorë të komunitetit serb në Kosovë. Viktimizimi i serbëve nga Prishtina është identifikuar si kërcënim ndaj të drejtave dhe sigurisë së komunitetit serb. Fitorja e Listës Serbe është identifikuar si garanci dhe unitet në kontroll të komunave me shumicë serbe. Lista Serbe është portretizuar si e vetmja përfaqësuese legjitime dhe zëri i vetëm autentik i serbëve në Kosovë. Kur kalojmë te narrativa e mediave ruse, të cilat veprojnë në Ballkanin Perëndimor në gjuhën serbe, ‘Sputnik Serbia’ ka publikuar 43 artikuj në lidhje me zgjedhjet, ndërsa ‘Russia Today’ 31 artikuj. Këta i kanë amplifikuar këto narrativa serbe, duke identifikuar zgjedhjet si formë ose luftë për mbijetesë kombëtare të komunitetit serb në Kosovë”, tha ai.

Raporti i Hibrid ka mbuluar periudhën 13 shtator-15 tetor 2025 dhe ka analizuar përhapjen e lajmeve të rreme, sondazheve jokredibile, rolin e mediave sociale dhe influencën e narrativave të jashtme. /Kp/