Drejtori i Institutit për Krime të Luftës për ekspozitën e Shkëlzen Gashit: Duhet kujdes maksimal

Atdhe Hetemi, drejtor i Institutit për Krime të Luftës, ka komentuar ekspozitën e Shkëlzen Gashit. Në këndvështrimin e tij për atë që ndodhi, Hetemi tha se Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë ka prioritet çështjen e dokumentimit përmes një metodologjie që nuk fokusohet vetëm te statistikat dhe emrat, por edhe te ngjarjet

Prill 7, 2026 - 09:30
Drejtori i Institutit për Krime të Luftës për ekspozitën e Shkëlzen Gashit: Duhet kujdes maksimal
drejtori-i-institutit-per-krime-te-luftes-per-ekspoziten-e-shkelzen-gashit:-duhet-kujdes-maksimal

drejtori-i-institutit-per-krime-te-luftes-per-ekspoziten-e-shkelzen-gashit:-duhet-kujdes-maksimal

Atdhe Hetemi, drejtor i Institutit për Krime të Luftës, ka komentuar ekspozitën e Shkëlzen Gashit.

Në këndvështrimin e tij për atë që ndodhi, Hetemi tha se Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë ka prioritet çështjen e dokumentimit përmes një metodologjie që nuk fokusohet vetëm te statistikat dhe emrat, por edhe te ngjarjet në përgjithësi.

“Metodologjia për dokumentimin dhe verifikimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë ka qenë njëri prej dokumenteve të para pas Ligjit të Institutit, i cili është dizajnuar, pastaj aprovuar dhe ka filluar që të aplikohet në Institutin e Krimeve të Kryera të Luftës në Kosovë. Është një dokument kredibil, se nuk është që e kemi punuar vetëm vetë, por është hartuar në bashkëpunim me akterë të ndryshëm, respektivisht në momentin kur është punuar drafti i parë i metodologjisë, i cili i parasheh në mënyrë të detajuar dhe hap pas hapi çështjen e identifikimit, mbledhjes, verifikimit, përpunimit, arkivimit të dokumenteve, pastaj dhe publikimit të tyre, janë ftuar në diskutime të hapura përfaqësues të institucioneve akademike, të shoqërisë civile, të mediave dhe të institucioneve të drejtësisë, të cilët kanë punuar më herët në procesin e dokumentimit”, deklaroi Hetemi në RTK.

Hetemi tha se procesi i dokumentimit dhe verifikimit duhet të trajtohet me kujdes maksimal, në mënyrë që të dhënat e publikuara të jenë sa më të sakta dhe të besueshme.

“Është më shumë se e domosdoshme që procesi i dokumentimit dhe i verifikimit të shihet, siç thotë populli, me llupë, në mënyrë që kur të dalin me të dhëna, ato të jenë sa më kredibile që është e mundur. Instituti nuk pretendon që të jetë i pagabueshëm, por është obligim i yni edhe ligjor, por edhe mandat dhe mision, që të dhënat që publikohen nga ana e institutit të jenë sa më të verifikuara, sa më të dokumentueshme dhe të jenë të verifikuara mirëfilltë”, tha Hetemi në ‘RTK Prime’.

Më tej, ai theksoi se Instituti është duke finalizuar databazën e viktimave të luftës dhe se për secilën viktimë përdoren burime të shumta verifikimi.

“Për momentin jemi duke punuar në finalizimin e databazës së viktimave të luftës në Kosovë. Vetëm për një viktimë, instituti ka përdorur minimumi 8 burime për ta verifikuar nëse viktima e cila gjendet në databazë është viktimë e luftës, por edhe rrethanat në të cilat e ka humbur jetën. Nuk mund të bazohemi në asnjë mënyrë në një burim të vetëm, pa marrë parasysh nëse ai është kredibil apo jo, por duhet që të ketë edhe burime të tjera, në mënyrë që procesi i dokumentimit të jetë sa më kredibil, sa më i besueshëm, sepse nuk kemi të bëjmë vetëm me statistika, por kemi të bëjmë me viktimat e luftës, me të mbijetuar dhe familjarë të tyre, të cilët pastaj mund të indinjohen se një gjë e tillë nuk është bërë mirëfilli”, theksoi Hetemi.