Durmishi për tregtarët që nuk publikojnë çmimet e produkteve: Gjoba nga 500 deri në 10 mijë euro dhe mbyllje të marketeve
Sipas ndryshimeve në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, duke filluar nga mesi i muajit prill, tregtarët do të kenë obligim që të publikojnë çmimet e të gjitha produkteve në ueb-faqet e tyre, ka bërë të ditur ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi. Ai shtoi se në 10 ditët në vijim do të publikohen rregullat […]


Sipas ndryshimeve në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, duke filluar nga mesi i muajit prill, tregtarët do të kenë obligim që të publikojnë çmimet e të gjitha produkteve në ueb-faqet e tyre, ka bërë të ditur ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi. Ai shtoi se në 10 ditët në vijim do të publikohen rregullat se si duhet të publikohen dhe bëri të ditur se Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) do të dalë në terren dhe marketet që nuk respektojnë vendimin do të gjobiten nga 500 deri në 10 mijë euro, deri në mbylljen e marketeve për një periudhë 15 ditore, transmeton Portalb.mk.
“Për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore bazë dhe stabilizimit të inflacionit, Kuvendi në fillim të javës me propozimin e një grupi deputetësh votoi ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit. Me këto ndryshime, tregtarët, duke filluar nga mesi i muajit prill, do të kenë obligim të detyrueshëm publikimin e çmimeve të të gjitha produkteve në faqet e tyre të internetit. Ligji, që presim këto ditë të publikohet në Gazetën Zyrtare, parashikon që brenda 45 ditëve, nga dita e hyrjes në fuqi, tregtarët të publikojnë në uebsajtet e tyre çmimet e të gjitha produkteve që shesin në dyqanet e tyre”, tha Durmishi në konferencën e sotme për media.
Ai ka bërë të ditur se në dhjetë ditët e ardhshme do të publikohet rregullorja që do të përshkruajë mënyrën se si do të duhet të publikohen çmimet nga tregtarët. Ai theksoi se me këto ndryshime ligjore presin transparencë më të madhe të çmimeve në tregje, përmirësim të konkurrencës dhe ulje të çmimeve.
“Qytetarët tani do të mund të zgjedhin se ku do t’i shpenzojnë paratë e tyre. Ata do të dinë çdo produkt në cilin treg dhe me çfarë çmimi shitet. Ata mund të zgjedhin vetë se cilin produkt të marrin dhe nga cili market. Kjo masë do të kontribuojë gjithashtu në rritjen e konkurrencës midis tregtarëve dhe uljen e çmimeve të produkteve. Konsumatorët do të informohen plotësisht se cili produkt sa kushton”, shtoi Durmishi.
Siç ka bërë të ditur edhe më herët, këto dy masa tashmë janë në fuqi dhe do të zgjasin deri më 30 prill, si dhe do të mbulohen edhe festat e ardhshme.
“Me vendimin për kufizimin e marzhit të fitimit bruto me shumicë dhe pakicë të 102 grupe të produkteve ose mbi 1000 produkte ushqimore dhe joushqimore janë përfshirë: 5% marzh fitimi bruto mbi 8 produkte ushqimore bazë, qumësht, bukë, miell (tip 400 dhe tip 500, vezë, vaj ushqimor, jogurt dhe kos) 10% marzh fitimi bruto për produktet ushqimore ku përfshihet një grup prej 55 produktesh ushqimore (mish dhe përpunimi mishi, sheqer, produkte qumështi, margarinë, gjalpë, perime dhe fruta të konservuara, fasule, oriz, brumra) 15% marzh të fitimit bruto të 39 produkte ushqimore dhe higjienike (fruta dhe perime të freskëta, detergjente, ushqim për bebe, pelena, sapun, letër higjienike, etj”, tha Durmishi.
Siç tha ai, Inspektorati Shtetëror i Tregut është në terren dhe inspektorët po veprojnë për vendimin nëse marketet i kanë rregulluar çmimet në rafte.
- LEXO: Dënime të rrepta për çmimet e larta, hetim për marrëveshjet e fshehta mes supermarketeve në RMV
Më 25 shkurt, Kuvendi i miratoi ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, me të cilat pritet të ketë një transparencë më e madhe e çmimeve në supermarkete, të përmirësohet konkurrenca dhe potencialisht të ulen çmimet e produkteve.
Dispozitat e reja e detyrojnë industrinë e shitjes me pakicë, e cila i përfshin tregtarët e vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj, t’i publikojnë çmimet e produkteve të tyre në uebfaqet e tyre, gjë që do tu mundësojë konsumatorëve të jenë më të informuar dhe të kenë qasje të lehtë në informacione relevante.
Tregtarët që kanë më shumë se një objekt për shitje do të duhet t’i publikojnë çmimet për çdo objekt në veçanti. Ndryshimet ligjore parashikojnë edhe gjoba për tregtarët që nuk i respektojnë këto detyrime, si dhe për ata që do i injorojnë inspektorët shtetërorë të tregut.