Durmishi: “Shporta Shkollore” ul çmimet deri më 15%, mbrojmë buxhetin e familjeve
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka prezantuar masën e re “Shporta Shkollore”, e cila synon të ulë shpenzimet e familjeve para fillimit të vitit të ri shkollor. Sipas Durmishit, Qeveria më 25 gusht miratoi Vendimin për kushte...
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka prezantuar masën e re “Shporta Shkollore”, e cila synon të ulë shpenzimet e familjeve para fillimit të vitit të ri shkollor.
Sipas Durmishit, Qeveria më 25 gusht miratoi Vendimin për kushte të veçanta për tregtinë me mallra të caktuara, me të cilin parashikohet ulja e çmimeve të materialeve shkollore si në tregtinë me shumicë, ashtu edhe në atë me pakicë.
“Vazhdojmë me masa konkrete që mbrojnë drejtpërdrejt standardin e qytetarëve dhe buxhetin familjar. Para fillimit të vitit të ri shkollor sjellim ‘Shportën Shkollore’, përmes së cilës sigurojmë çmime më të ulëta për materialet shkollore dhe parandalojmë presionin shtesë të çmimeve mbi prindërit”, theksoi ministri Durmishi.
Me vendimin e Qeverisë, në tregtinë me shumicë çmimet do të ulen për të paktën 10 për qind, ndërsa në tregtinë me pakicë ulja do të jetë të paktën 15 për qind. Si bazë për përllogaritjen do të merren çmimet që kanë qenë në fuqi më 1 qershor 2026, përkatësisht çmimet e evidentuara për mallrat e furnizuara pas kësaj date.
Masa përfshin një gamë të gjerë produktesh të domosdoshme për nxënësit: çanta dhe çanta shpine, fletore, blloqe, lapsa, stilolapsa, lapsa me ngjyra, plastelinë, flomasterë dhe markerë, ngjyra tempera, akrilike dhe uji, furça, vizore, materiale didaktike, mprehëse, goma, gërshërë për fëmijë, kuti lapsash, ngjitës, kompasë, kalkulatorë, letër dekorative, dosje dhe materiale të ndryshme për punime kreative.
Qytetarët do të mund ta shohin qartë uljen, pasi tregtarët do të paraqesin çmimin e mëparshëm dhe çmimin e ri të ulur.
“Shporta Shkollore” do të vlejë për të gjithë tregtarët që kanë materiale shkollore në asortimentin e tyre, përfshirë libraritë, dyqanet për materiale zyre, dyqanet e pajisjeve sportive që shesin çanta dhe çanta shpine, marketet dhe subjektet e tjera tregtare.
Durmishi theksoi se qëllimi është që politika ekonomike të japë rezultate të prekshme drejtpërdrejt në buxhetin e qytetarëve, veçanërisht në periudhën kur familjet përballen me shpenzime më të mëdha për përgatitjen e fëmijëve për shkollë.
“Nuk flasim vetëm për premtime – sjellim masa që nënkuptojnë kursime reale për familjet. Në një periudhë kur prindërit përballen me shpenzime të shtuara për fillimin e vitit shkollor, është detyrimi ynë të reagojmë në kohë dhe të zvogëlojmë barrën mbi buxhetin familjar”, deklaroi Durmishi.
Masa “Shporta Shkollore” do të jetë në fuqi deri më 30 shtator 2026, duke mbuluar pikërisht periudhën kur prindërit dhe nxënësit bëjnë pjesën më të madhe të blerjeve për vitin e ri shkollor.
“Kjo është politika jonë – zgjidhje konkrete, mbrojtje e standardit dhe masa që qytetarët i ndiejnë në jetën e përditshme”, përfundoi ministri Besar Durmishi.
The post Durmishi: “Shporta Shkollore” ul çmimet deri më 15%, mbrojmë buxhetin e familjeve appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.