E konfirmuar: Shqipëria organizatore e evropianit U21, FSHF-ja s’e përmend askund Serbinë
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s sot e ka konfirmuar vendimin se Shqipëria dhe Serbia do të jenë organizatorët e Kampionatit Evropian 2027, në kategorinë U21. Lajmi u bë i ditur po ashtu edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit. “Ky është një vendim shumë i rëndësishëm nga UEFA, sepse Kampionati Europian U-21 i vitit 2027 do të […]
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s sot e ka konfirmuar vendimin se Shqipëria dhe Serbia do të jenë organizatorët e Kampionatit Evropian 2027, në kategorinë U21.
Lajmi u bë i ditur po ashtu edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit.
“Ky është një vendim shumë i rëndësishëm nga UEFA, sepse Kampionati Europian U-21 i vitit 2027 do të jetë më shumë sesa një turne futbolli. Ai do të shërbejë si një katalizator për të thyer barriera, për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më pozitive për popujt e Shqipërisë dhe Serbisë. Ky turne do të tregojë gjithashtu se çfarë mund të arrihet kur njerëzit bashkohen rreth një objektivi të përbashkët, të frymëzuar nga fuqia e futbollit”, tha Duka.
Në njoftimin e lëshuar nga FSHF-ja nuk përmendet Serbia askund si organizatore.
“Ky do të jetë eventi më i madh sportiv në historinë e Shqipërisë. Prandaj, ai na jep mundësinë që, me mbështetjen e UEFA-s, të modernizojmë stadiumet dhe infrastrukturën e futbollit në të gjithë vendin. Gjithashtu, ky organizim do të krijojë një trashëgimi të qëndrueshme për të frymëzuar brezat e ardhshëm të lojtarëve, vullnetarëve dhe tifozëve në të dyja vendet”.
Me këtë rast u deklarua edhe presidenti Armand Duka, i cili tha se ky organizim do të jetë më tepër se një turne futbolli.
“Dy vendet organizatore do të mirëpresin secila nga tetë skuadra pjesëmarrëse, ndërsa ekipet do të luajnë në vendin e tyre pritës deri në finalen e madhe, e cila do të zhvillohet në “Arenën Kombëtare” në Tiranë. Ky stadium, me një kapacitet prej 22,000 spektatorësh, ka pritur finalen e UEFA Europa Conference League në vitin 2022. Ndërkohë, ndeshjet e tjera të Kampionatit Europian U-21 të vitit 2027 që do të zhvillohen në Shqipëri, do të luhen në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, “Elbasan Arena” në Elbasan dhe “Arena Egnatia” në Rrogozhinë”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.