Edhe 12 ditë afat, a do të formohet qeveria e re?
Dymbëdhjetë ditë para se të përfundojë afati kushtetues për formim të qeverisë së re nga mandatari i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, janë dhënë sinjale për sigurimin e një shumice parlamentare në Kuvend. Derisa mandatari i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti, tha të martën se ende nuk kanë nisur bisedimet me partitë politike, në Nismën Socialdemokrate


Dymbëdhjetë ditë para se të përfundojë afati kushtetues për formim të qeverisë së re nga mandatari i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, janë dhënë sinjale për sigurimin e një shumice parlamentare në Kuvend. Derisa mandatari i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti, tha të martën se ende nuk kanë nisur bisedimet me partitë politike, në Nismën Socialdemokrate theksuan se do t’i përgjigjen çfarëdo ftese të LVV-së për të biseduar për formim të institucioneve.
E analistët politikë presin që qeveria e re të formohet deri më 26 tetor, kur edhe përfundon afati për formim të qeverisë nga Kurti. Sipas tyre, përveç koalicionit LVV-Nisma mund të ketë deputetë individualë nga partitë e ish-opozitës që mund ta votojnë një qeveri të pakicës.
Lideri i LVV-së, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti deklaroi se janë duke e bërë një plan për të zhvilluar bisedime me partitë politike për mundësitë e ndonjë koalicioni qeveritar.
Kurti është mandatuar për kryeministër nga presidentja Vjosa Osmani më 10 tetor për formimin e ekzekutivit të ri, pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës më 10 tetor.
Për zgjedhjen e Kurtit dhe kabinetit qeveritar që e prezanton para Kuvendit nevojiten së paku 61 vota nga 120 deputetë të legjislativit.
Para zgjedhjes së Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit, Kurti ka zhvilluar një sërë takimesh me liderin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj për konstituimin e Kuvendit si dhe arritjen e një bashkëpunimi për koalicion qeverisës, mirëpo pa arritur marrëveshje.
Në Nismën Socialdemokrate, e cila ka tre deputetë në Kuvend, thonë se do t’i përgjigjen pozitivisht çfarëdo ftese të Lëvizjes Vetëvendosje për të diskutuar për formim të qeverisë së re.
Deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku, thotë për KosovaPress se partia e saj “ka një përgjegjësi politike dhe s’ka asnjë arsye për të mos qenë në tavolinë të diskutimit me LVV-në”.
Ajo thekson se nëse formimi i qeverisë së re varet vetëm nga tri votat e Nismës Socialdemokrate, atëherë në raport me krijimin e institucioneve të reja nuk do të ketë kushte. Megjithatë, Izmaku nënvizon nevojën që të “sqarohet pozita e kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha”, pasi sipas saj, legjislativi nuk duhet të funksionojë me një figurë e cila ka krijuar përçarje.
Me të marrë detyrën e kryeparlamentarit, Dimal Basha është akuzuar se është bashkautor i një artikulli ku flitet kundër UÇK-së. Mirëpo Basha disa herë është distancuar nga ai artikull, duke thënë se kontributi i tij në të njëjtin ishte vetëm në Kapitullin 3, “i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën”.
KosovaPress ka tentuar të martën të sigurojë edhe qëndrimet e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së në lidhje me formimin e qeverisë së re, por të njëjtat gjatë ditës nuk kanë qenë të qasshme.
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Seb Bytyçi, thotë se qeveria e re mund të formohet me përfshirjen e Nismës Socialdemokrate në qeveri si dhe, siç thotë ai, bashkëngjitjen e ndonjë deputeti individual nga partitë e ish-opozitës.
Ai përmend edhe mundësinë që marrëveshjet në balotazh për zgjedhjet lokale të shërbejnë për arritjen e një marrëveshjeje në nivel qendror, madje edhe me AAK-në përkundër diskursit të ashpër që lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka adresuar ndaj Kurtit. Edhe profesori universitar, Mazllum Baraliu, është optimist se qeveria e re do të formohet. Ai deklaron për KosovaPress se në ditët në vijim mund të gjendet një zgjidhje për një qeveri të pakicës prej 61 deputetëve.
Kosova nuk ka themeluar institucionet edhe mbi tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Pasi seanca konstituive e Kuvendit u përmbyll më 10 tetor, pas gjashtëdhjetë tentativave për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Mandatari ka kohë 15 ditë që të paraqesë përbërjen e Qeverisë dhe të kërkojë miratimin nga Kuvendi. Kabineti i propozuar, për t’u miratuar, duhet të sigurojë të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 deputetë.
Në rast se nuk arrin të sigurojë mbështetjen e 61 deputetëve, presidentja Osmani ka detyrën brenda dhjetë ditësh të ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar Qeverinë. Mandatari ka 15 ditë të tjera kohë për të dorëzuar përbërjen e re të kabinetit qeveritar në Kuvend. Nëse as pas përpjekjes së dytë qeveria nuk mund të formohet, presidentja Osmani, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh./Kosovapress/
