Eko-aktivistë protestuan për ndotjen e lumit Kriva Reka: Deri kur do të luajmë me lumenjtë?

“Kriva Reka nuk ka faj”, “Lumenjtë duhet të na furnizojnë me ujë dhe ushqim, jo ​​me kancer”, “Nga një vend me ujë të pijshëm, do të bëhemi vend me ujë teknik!”, “Deri ku janë punimet për stacionin e pastrimit të ujit të Vardarit?”, “Republika e Deponisë”, shkruan RadioMof transmeton Portalb.mk. Ishin këto disa nga mesazhet […]

Prill 14, 2025 - 02:00
 0  8
Eko-aktivistë protestuan për ndotjen e lumit Kriva Reka: Deri kur do të luajmë me lumenjtë?
Lëngu që ka rrjedhur në Kriva Reka. Foto: Ministria e Mjedisit

“Kriva Reka nuk ka faj”, “Lumenjtë duhet të na furnizojnë me ujë dhe ushqim, jo ​​me kancer”, “Nga një vend me ujë të pijshëm, do të bëhemi vend me ujë teknik!”, “Deri ku janë punimet për stacionin e pastrimit të ujit të Vardarit?”, “Republika e Deponisë”, shkruan RadioMof transmeton Portalb.mk.

Ishin këto disa nga mesazhet e eko-aktivistëve që ata i përcollën dje në protestën filloi nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, si një nga institucionet kyçe në rastin e diskutueshëm të ndotjes së lumit Kriva Reka, të shkaktuar nga miniera e Toranicës me të cilën menaxhon “Bulmak 2016”.

Këto kohë eko-aktivistët me këmbëngulje kanë kërkuar përgjigje dhe përgjegjësi, duke theksuar se pas rrjedhjes së substancës toksike dhe gjithë kësaj tragjedie ka lëshime institucionale.

“Plasja e gypit nga miniera e ndoti lumin e Toranicës, i cili derdhet në Kriva Reka, kështu që në videot e banorëve lokalë mund ta shihnim lumin nëpër të cilin në vend të ujit duket sikur rrjedh beton. Ne nuk e kemi luksin për të qenë indiferentë dhe të heshtim, siç heshtin ata që kishin për detyrë ta parandalonin këtë incident”, tha Ivana Drakuleska nga Green Human City.

Ajo shtoi se kërkojnë që të inicohet hetim edhe për personat kompetentë nëpër institucione të cilët sipas eko-aktivistëve është dashur ta kryejnë punën e tyre në përputhje me ligjin, por që nuk e kanë bërë këtë.

“Sidomos Inspektorati Shtetëror i Inspektimit Teknik dhe inspektorët që nuk kanë marrë mostra ditën e ngjarjes. A kanë kontrolluar dhe monitoruar cilësinë e pajisjeve me të cilat disponon miniera, pajisjet teknike, gypat, a kanë qenë në gjendje të mirë apo jo, kjo ka mundur të parashikohet dhe të parandalohet. Ne nuk mund të presim që një gyp 30 vjeçar të zgjasë përgjithmonë”, theksoi Drakulevska.

Aktivisti Dejan Dimitrovski nga radhët e Të Gjelbërve nga Gazi Baba theksoi përgjegjësinë e institucioneve për këtë rast, por edhe përgjegjësinë më të gjerë ndaj qytetarëve dhe mjedisit jetësor.

“Inspektorati është i obliguar të na japë informacion sa më shpejt të jetë e mundur. U kam bërë apel të gjitha qeverive, edhe kësaj qeverie, dhe vazhdoj të apeloj që t’i heqin duart nga mjedisi jetësor, sepse është gjëja më e shenjtë që e meritojnë qytetarët – dhe sipas Kushtetutës kanë të drejtë për një jetë të shëndetshme. Ne i lusim që t’i largojnë interesat e biznesit nga shëndeti i qytetarëve”, theksoi ai.

Eko-aktivistja Iva Petrovska nga GHC theksoi se jo më kot stema e Maqedonisë i paraqet ujërat blu, jo gri – dhe këtë duhet ta kishim ruajtur.

“Nëse prindërit dhe gjyshërit kanë mundur të lahen lirisht në të gjithë këta lumenj, madje edhe t’i lanin rrobat në to, sot ne nuk mund as t’u afrohemi. Nëse doni të hyni në Vardar, duhet të merrni një vaksinë kundër tetanozit. Si arritëm nga ajo në këtë gjendje për vetëm dy breza – çfarë planifikoni t’u lëmë fëmijëve tanë?” tha ajo, duke pyetur se sa kohë do të luajmë në lumenjtë dhe a duhet të kemi prioritet mbajtjen e ujit të pastër?

Në të njëjtën kohë ajo e përmendi edhe ndërtimin e stacionit të pastrimit të ujit të lumit Vardar. Ajo përkujtoi se për këtë qëllim janë siguruar 70 milionë euro si grant i pakthyeshëm nga Bashkimi Evropian dhe 130 milionë euro shtesë si kredi nga Banka Evropiane për Investime.

“Këto mjete janë të destinuara për ndërtimin e stacioni për pastrim që do të sigurojë trajtimin primar dhe sekondar të ujërave të zeza për banorët e Shkupit. Edhe pse procedura e tenderit ka përfunduar në vitin 2022, ndërtimi i këtij stacioni ende nuk ka filluar – ose, ne nuk kemi informacion të plotë për ecurinë e procedurës”, theksoi Petrovska.

Ekoaktivistët rikujtuan edhe problemet dhe fatkeqësitë e tjera ekologjike në Maqedoni.

“Liqeni i Dibrës pothuajse është tharë plotësisht, ndërsa pikërisht atje ndodhet hidrocentrali i Shpiljes. Me ndërtimin e hidrocentraleve po e keqpërdorim edhe më tej ujin e pastër dhe ekosistemet ujore. Këto ditë po lexojmë edhe për problemet ekologjike në liqenin e Dojranit, ndërsa vetëm një ditë më pas kryetari i komunës së Dojranit mohoi se kishte ndodhur një incident ekologjik. Sipas tij peshqit e ngordhur nuk kishin qenë rezultat i kësaj”, tha Drakulevska nga GHC.

Përndryshe, javën që shkoi Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës informoi se rasti për ndotjen e lumit Kriva Reka do të merret nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Siç njoftuan paraprakisht, Prokuroria e Kumanovës ka hapur lëndë, ndërsa kallëzim penal ka parashtruar edhe kryetari i komunës së Kriva Pallankës, Sashko Mitovski.