Elezi: Diaspora shqiptare, ura e bashkëpunimit me institucionet shëndetësore ndërkombëtare
Kongresi Klinik i Kirurgëve Shqiptarë po zhvillon sot ditën e tretë të punimeve. Në këtë aktivitet po marrin pjesë kirurgë nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës, të cilët kanë ndarë përvojat dhe praktikat e tyre profesionale gjatë këtyre ditëve. Pjesëmarrës në kongres janë edhe ekspertë ndërkombëtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës


Kongresi Klinik i Kirurgëve Shqiptarë po zhvillon sot ditën e tretë të punimeve. Në këtë aktivitet po marrin pjesë kirurgë nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës, të cilët kanë ndarë përvojat dhe praktikat e tyre profesionale gjatë këtyre ditëve. Pjesëmarrës në kongres janë edhe ekspertë ndërkombëtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë ligjëruar dhe prezantuar risi e inovacione në fushën e mjekësisë.
Vedat Elezi, Anesteziolog-Reanimator në Qendrën Klinike Universitare Gabriel Montpied, në Departamentin e Mjekësisë Perioperatore në Clermont-Ferrand të Francës, e vlerëson si të jashtëzakonshëm organizimin e këtij kongresi.
Sipas tij, përfitimet për pjesëmarrësit janë të gjithanshme, pasi kongresi sjell njohuritë më të fundit nga vende të ndryshme të botës.
Elezi thekson gjithashtu rëndësinë e shkëmbimit të përvojave, mundësinë për të bërë pyetje, si dhe hapësiren për debat, të cilat e bëjnë Kongresin Klinik të Kirurgëve Shqiptarë një ngjarje me vlerë të veçantë, sipas tij.
“Organizimi i përgjithshëm ka qenë mjaftë i mirë. Është një punë e jashtëzakonshme, e cila duhet çmuar dhe respektuar…Ka qenë një kongres i jashtëzakonshëm në sensin se ka pasur mbi 200 prezantime dhe ka pasur mbi 75 ligjërues që kanë ardhur nga vende të ndryshme…Përfitimi është i gjithanshëm. Pjesa më e rëndësishme është që sjellin njohuritë më të fundit, që aplikohen gjithkund në vendet moderne. E dyta është që ka mundësi debati, ka mundësi pyetjesh dhe shkëmbime eksperiencash. Dhe e treta që është më e rëndësishmja është njoftimi i profesionistëve që punojnë jashtë dhe brenda”, thotë Elezi.
Prezantimi i Elezit në ditën e tretë të kongresit solli në fokus rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet diasporës mjekësore shqiptare dhe institucioneve vendore.
Ai nënvizon se ka ekspertë shqiptarë të kirurgjisë, anesteziologjisë dhe lëmive të tjera, përmes së cilëve sic thotë ai mund të ndërtohen ura bashkëpunimi ndërmjet institucioneve shëndetësore rajonale dhe atyre ndërkombëtare.
“Prezantimi im ishte të sjellë disa pika në të cilat ne mund të vendosim ura bashkëpunimi ndërmjet diasporës medikale shqiptare që është gjithandej nëpër botë. Nuk duhet harruar se ne kemi ekspertë që kanë mbërri majat e shkencës, kirurgjisë dhe anasteziologjisë. Dhe ata janë ura më e mirë e mundshme për një bashkëpunim të mirëfilltë ndërmjet institucioneve rajonale lokale dhe institucioneve ndërkombëtare”, tha ai.
Kongresi i Parë i Kirurgëve Shqiptarë nisi punimet më 25 shtator dhe përfundon nesër, më 28 shtator. Gjatë këtyre ditëve, kirurgë nga Kosova dhe vende të tjera patën mundësinë të shkëmbejnë përvoja profesionale dhe shkencore.
Paralelisht, po mbahet edhe Kongresi i Pestë i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, i cili tashmë është shndërruar në një traditë të rëndësishme shkencore e profesionale në vendin tonë.
Në ditën e tretë të Kongresit Klinik të Kirurgëve Shqiptarë po mbahen ligjërata duke ndarë eksperiencat e profesionstëve shëndetësore lidhur me Kirurgjinë e Përgjithshme, Neurokirurgjinë, Kirurgjinë Pediatrike e atë Ortopedike, Kirurgjinë Kardiotorakale dhe Urologjinë.
Ndërkaq, po zhvillohet edhe simpoziumi lidhur me Kirurgjinë Maksilofaciale dhe Orale.
/Kosovapress/
