Epopeja e UÇK-së/ Veteranët tregojnë arsyet pse nuk festojnë bashkë me Qeverinë
Të mërkurën, më 5 mars 2025, kanë nisur aktivitetet në nderim të 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së. Aktiviteti kryesor u mbajt në kazermën ‘Adem Jashari’ me rreshtimin e kuadrateve të FSK-së. Megjtihate, këtij aktiviteti nuk i është bashkuar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Këta të fundit kanë planifikuar një agjendë të veçantë


Të mërkurën, më 5 mars 2025, kanë nisur aktivitetet në nderim të 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së. Aktiviteti kryesor u mbajt në kazermën ‘Adem Jashari’ me rreshtimin e kuadrateve të FSK-së. Megjtihate, këtij aktiviteti nuk i është bashkuar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Këta të fundit kanë planifikuar një agjendë të veçantë, që ka nisur me homazhe për nder të dëshmorëve të luftës.
Jashari: Kjo Qeveri dhe ministrat e saj kanë fyer veteranët e luftës
Xhavit Jashari, përfaqësues i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, ka theksuar se vendimi për të mos marrë pjesë në aktivitetet zyrtare të Qeverisë është një reagim ndaj fyerjeve dhe mosreflektimit të Qeverisë ndaj sakrificave të veteranëve dhe kategorive të luftës.
‘’Ne kemi vendosur të mos i bashkohemi Qeverisë, sepse kjo e fundit nuk ka reflektuar. Ka edhe shumë arsye që mos ta shënojmë këtë datë të pa harrueshme bashkë sepse janë fyer veteranët, janë fyer kategoritë e luftës nga kjo qeveri, por edhe ministrat e saj’’, deklaroi Jashari për FrontOnline.
Ai ka përmendur disa deklarata të ministrave të Qeverisë,.
‘’ Ka ministra në këtë Qeveri që kanë shpifur kundër luftës së UCK-së dhe e kanë deklaruar vet siç është Donika Schëarz. E kemi pastaj ministrin e Financave, Hekuran Murati, i cili publikisht ka thënë më mirë t’i kishim paguar mercenarët për të sjellë lirin e vendit e që është shumë fyerje e rëndë për kategoritë e luftës, kemi gjithashtu Mimoza Kusarin e cila bashkëpunon me Listën Serbe dhe kriminelin Radoiçiq për t’i goditur veteranët, për t’i hequr ata nga shumë të drejta të tyre e edhe paga minimale ‘’, deklaroi Jashari.
Jashari ka shtuar se për të vazhduar bashkëpunimin me Qeverinë, kjo e fundit duhet të reflektojë dhe të tregojë respekt për historinë dhe sakrificat e luftës, pasi vetëm kështu mund të ndërtohen marrëdhënie të forta dhe të qëndrueshme. Ai ka theksuar gjithashtu se me qëndrime dhe fyerje të tilla, nuk do të jetë e mundur të bëhet nder as UÇK-së dhe as dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
‘’ Mendoj se për të qenë bashkëpunëtore me ne, Qeveria duhet të reflektojë. Ne i kemi ofruar bashkëpunim, por me qëndrime dhe me fyerje të tilla nuk do të jetë e mundshme. Kështu nuk u bëjmë nder as UCK-së dhe as dëshmorëve që kanë rënë për liri’’, përfundoi Jashari.
Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës: Kryeministri Kurti nuk na ka takuar
Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës, Fadil Shurdhaj, ka shpjeguar se përjashtimi i veteranëve të luftës nga paga minimale dhe votimi i ligjit në Kuvend për heqjen e pagave minimale për ta, ka sjellë pakënaqësi të thella. Ai ka theksuar se ky vendim ka detyruar Shoqatën që të mos i bashkohet agjendës së Qeverisë për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë, duke e konsideruar këtë si një formë proteste ndaj trajtimit të pa drejtë.
‘’Përjashtimi nga paga minimale dhe votimi i Ligjit në Kuvend për largim të pagave minimale të veteranëve të luftës si shenjë pakënaqësie është marrë vendim që të mos i bashkohemi agjendës së Qeverisë për këtë ditë’’, tha Shurdhaj për FrontOnline.
Shurdhaj ka sqaruar se ata kanë kërkuar takime personale me kryeministrin, por ai ka refuzuar.
“Ne kemi kërkuar takime me Kryeministrin, por nuk na është dhënë mundësia për t’u takuar asnjëherë. Dhe për këtë arsye kemi vendosur që të largohemi dhe të festojmë në mënyrë të pavarur,” ka thënë ai.
Sipas Shurdhajt, edhe vitin e kaluar ata festuan vetë dhe këtë vit do të bëjnë të njëjtën gjë, duke realizuar aktivitetet e tyre për datat 5, 6 dhe 7 mars.
Syla: OVL-UÇK do të shënojë 27-vjetorin e Epopesë së UÇK-së me një agjendë të veçantë, Qeveria i ka ofenduar luftëtarët e lirisë
Gazmend Syla, kryetar i degës së OVL-UÇK-së në Pejë, ka deklaruar se shoqata e veteranëve do të shënojë këtë vit 27-vjetorin e Epopesë së UÇK-së me një agjendë të veçantë, duke refuzuar bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës.
‘’Ne si OVL-UÇK kemi vendosur që të kemi një agjendë të veçantë për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së dhe të mos iu bashkohemi Qeverisë’’, tha Syla për FrontOnline.
Ai ka theksuar se ky veprim është pasojë e qasjes së Qeverisë aktuale, e cila, sipas tij, ka treguar mungesë gatishmërie për të bashkëpunuar me OVL-UÇK dhe për të ofruar ndihmë për shoqatat e veteranëve.
‘’Duke marrë parasysh qasjen e Qeverisë aktuale të Kosovës që nga fillimi i ardhjes në pushtet, e cila nuk ka treguar asnjëherë gatishmërinë për të bashkëpunuar me OVL-UÇK, duke mos ofruar asnjë ndihmë për shoqatat dhe duke u koordinuar me Listën Serbe për të lënë jashtë pagës minimale veteranët e luftës dhe duke ofenduar luftëtarët e lirisë, ne si OVL-UÇK kemi vendosur që të kemi një agjendë të veçantë ‘’, tha Syla.
Lushtaku: Qeveria dhe OVL-UÇK do të duhej të ishin bashkë
Ish- nënkryetari I Skenderajt ,Nuredin Lushtaku, ka deklaruar se Qeveria dhe OVL-UCK sot do të duhej të ishin bashkë
‘’Këto ndarje nuk janë të mira, mirëpo unë nuk ua di punët qysh i kanë. Nuk do të duhej të ndodhte kjo, do të duhej të ishin bashkë sot në agjendë qeveria e OVL-UCK’’, tha Lushtaku për FrontOnline.