Jashari: Kjo Qeveri dhe ministrat e saj kanë fyer veteranët e luftës
Xhavit Jashari, përfaqësues i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, ka theksuar se vendimi për të mos marrë pjesë në aktivitetet zyrtare të Qeverisë është një reagim ndaj fyerjeve dhe mosreflektimit të Qeverisë ndaj sakrificave të veteranëve dhe kategorive të luftës. ‘’Ne kemi vendosur të mos i bashkohemi Qeverisë, sepse kjo e fundit nuk


Xhavit Jashari, përfaqësues i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, ka theksuar se vendimi për të mos marrë pjesë në aktivitetet zyrtare të Qeverisë është një reagim ndaj fyerjeve dhe mosreflektimit të Qeverisë ndaj sakrificave të veteranëve dhe kategorive të luftës.
‘’Ne kemi vendosur të mos i bashkohemi Qeverisë, sepse kjo e fundit nuk ka reflektuar. Ka edhe shumë arsye që mos ta shënojmë këtë datë të pa harrueshme bashkë sepse janë fyer veteranët, janë fyer kategoritë e luftës nga kjo qeveri, por edhe ministrat e saj’’, deklaroi Jashari për FrontOnline.
Ai ka përmendur disa deklarata të ministrave të Qeverisë,.
‘’ Ka ministra në këtë Qeveri që kanë shpifur kundër luftës së UCK-së dhe e kanë deklaruar vet siç është Donika Schëarz. E kemi pastaj ministrin e Financave, Hekuran Murati, i cili publikisht ka thënë më mirë t’i kishim paguar mercenarët për të sjellë lirin e vendit e që është shumë fyerje e rëndë për kategoritë e luftës, kemi gjithashtu Mimoza Kusarin e cila bashkëpunon me Listën Serbe dhe kriminelin Radoiçiq për t’i goditur veteranët, për t’i hequr ata nga shumë të drejta të tyre e edhe paga minimale ‘’, deklaroi Jashari.
Jashari ka shtuar se për të vazhduar bashkëpunimin me Qeverinë, kjo e fundit duhet të reflektojë dhe të tregojë respekt për historinë dhe sakrificat e luftës, pasi vetëm kështu mund të ndërtohen marrëdhënie të forta dhe të qëndrueshme. Ai ka theksuar gjithashtu se me qëndrime dhe fyerje të tilla, nuk do të jetë e mundur të bëhet nder as UÇK-së dhe as dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
‘’ Mendoj se për të qenë bashkëpunëtore me ne, Qeveria duhet të reflektojë. Ne i kemi ofruar bashkëpunim, por me qëndrime dhe me fyerje të tilla nuk do të jetë e mundshme. Kështu nuk u bëjmë nder as UCK-së dhe as dëshmorëve që kanë rënë për liri’’, përfundoi Jashari.